.
×

Gëzim Muçolli: Uji i Venecisë duhet ti lagë ndërgjegjet tona



Lajmet mbi katastrofën natyrore të (shumë) pritur bashkë me mijëra fotografi e video ka më shumë se tri ditë që po i sillen botës bashkë me vetëdijësimin se ngrohja globale dhe helmimi absolut i ujit, ajrit dhe dheut nga dora e njeriut na solli këtu ku jemi.

Gjithë globi ndien keqardhje per dëmet që batica e madhe ia shkaktoi qytetit të përjetshëm të Venecias. Venezia është qytet që jeton nga turizmi dhe është pasuri artistike dhe arkitektonike e gjithë njerëzimit. Është ëndërr e çdo njeriu që ta vizitojë njëherë këtë qytet që të mrekullon me pamjet e tij dhe të bënë të dashurohesh përjetë në të. Jo rastësisht quhen edhe “Dashnorët e Venedikut”!

Italia po vajton humbjet në jeta njerëzish dhe humbjet materiale dhe artistike duke shpresuar në mirëkuptimin e njerëzve të mirë që pritet të japin donacione per restaurimin dhe rikthimin e vlerës së thesarit që ende ka shpresë të mund të shpëtohet.

Është për tu vlerësuar edhe jehona që iu dha lajmeve nga Venecia në mediat tona në Kosovë. Megjithatë pos karakterit informues dhe ilustrues të ndodhisë natyrore nuk pati ndonjë vlerësim kritik lidhur me efektin anësor dhe pasojat e pakthyeshme që mund të prodhojë ky vërshim i ujit të detit pikërisht mbi kulturën, artin dhe historinë shqiptare.

Siq duket askujt nuk po i bie ndërmend se në këtë qytet ndodhen shumë dokumente dhe vepra arti ende të pazbuluara që nesër mund ta ndryshojnë historinë tonë të mesjetës. E mesjeta jonë ngjan pikërisht në historinë e Venezias, e vërshuar nga uji i zi i lagunës dhe në pritje të kohëve më të mira për të dalur në dritë. E ne vazhdojmë të qahemi dhe ankohemi se historinë tonë na e kanë rrëmbyer dhe zhdukur pushtuesit e huaj.

Pikërisht sot bashkë me gruan time Valdeten, i telefonuam mikes sonë të dashur që jeton në qendër të qytetit të përmbytur të Venezias, profesoreshës së mirënjohur italiane dhe albanologes së shquar Lucia NADIN për tu interesuar për shëndetin e saj dhe per rrethanat në të cilat gjendet ajo tani.

Me kënaqësi të madhe u përgjegj se fatmirësisht uji nuk kishte depërtuar në banesën e saj meqë ajo banon në katin më të lartë dhe se ishte mirë me shëndet megjithë ndjenjën e “të ngujuarit” sepse nuk mund të dilet jashtë shtëpisë nga uji i lartë.

​1

Pyetjes sonë se a kishte njohuri lidhur me dëmet e mundshme të ujit në arkivin historik të Venedikut ajo u përgjigj se deri më tash nuk kishte ndonjë njohtim per dëme të raportuara.

Punonjësit e arkivit me kohë kanë marrë masa për të shpëtuar pasurinë e arkivit duke e ngritur në nivele më të larta ku mund ti shpëtojnë efektit të baticës veneciane.Problemi është se shqiptarët duhet të marrin masa që të kryhen studime të nevojshme sepse ka rrezik që një ditë të zhduken mijëra dokumente me vlerë të paçmueshme që kanë rëndësi jetike per njohjen dhe rishkrimin e historisë së kombit shqiptar në territoret etnike dhe në ato të humbura që dikur ishin të tyre.

Vërtetë shqetësimi i Profesoreshës Nadin është përherë aktual sikur që e ka pohuar edhe në bisedat tjera që kemi pasur në takimet tona në raste të ndryshme. Pyes se ku janë njerëzit e artit, historisë dhe të kulturës që udhëheqin me entet dhe institucionet tona qeveritare. Nuk ju shkon fare mendja të brengosen se ekziston rreziku që një ditë të shkatërrohet e të zhduket përgjithmonë pjesa më e rëndësishme e palcës së historisë mesjetare shqiptare që ruhet ende në arkivat e Venecias, Padovës e qyteteve të tjera të ish – Republikës së Venedikut .

Kam përshtypjen time se as hulumtuesit e historisë kishtare nuk po interesohen sa duhet që të ndihmojnë në këtë drejtim apo që Ipeshkvia e Kosovës të kujtohet dhe të nxitë, mbështetë e të kontribuojë direkt me ekspertët e saj në zbulimet e ardhshme që mund ti kthehen kishës tonë dhe popullit shqiptar si pasuri që pret të kthehet te i zoti.

Në pritje që të thahet ndërgjegjja e lagur e atyre që institucionalisht janë të thirrur në ngritjen e kulturës, artit dhe historisë kombëtare, nuk mungojnë asnjëherë përpjekjet e individëve të shquar nga diaspora jonë pozitive që në këtë aspekt nuk ka prituar të shprehë interesimin e saj “radikal” për zbulimin e pjesëve të humbura të thesarit tonë kombëtar !

Padova , 15 nëntor 2019 ..2019