.
×

Gëzim Muçolli: Nuk ka asgjë të pandryshueshme pos nevojës për ndryshim



Qeveria e Kosovës mbrëmë mori vendim mbi masat e reja për parandalimin të pandemisë koronavirus i cili hyn në fuqi nga nesër.

Vendimi i ri i cili do të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve, pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme: nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Por i njëjti vendim qeveritar mundëson qarkullimin e lirë për operatorët më të rëndësishme në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

Masat shtërnguese për ta zvogëluar mundësinë e kontaktit dhe përhapjes masive të Covid-19 kufizojnë edhe lëvizjet në rrugë të bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

Poashtu ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë,

Per ne që jetojmë në Itali dhe jemi mësuar me masa të tilla që në dy javët e fundit kanë shkuar duke u ashpërsuar pothuajse përditë duke shpresuar se nuk do të vihet në veprim plani B i qeverisë italiane i cili parasheh në rast nevoje edhe nxjerrjen e ushtrisë në hyrje dhe dalje të vendbanimeve, sipas modeleve urbane tashme të eksperimentuara me sukses: “Vo Euganeo” afër Padovas në Veneto si dhe “Codogno” në Lodi Të Lombardisë.

Si zakonisht në Republikën e Kosovës asgjë nuk kalon pa u tjerrur mbarë dhe mbrapsht dhe pa ngjyrime politike.

Politikanët më të përçarë e kurrë nga dëshira e lidershipit dhe protagonizmit ekstrem në vend se të ndjekin me me bindje propozimin e qeverisë dhe të solidarizohen me masat e marra , edhe njëherë dëshmojnë se nuk e kanë kuptuar se në këtë krizë humanitare të shkaktuar nga pandemia e Covid-19 duhet të mbizotërojë logjika dhe vendosshmëria per t’u përballur me sëmundjen dhe virusin vrastar.

Si zakonisht emrat e njohur janë të pakënaqur, të pabindur dhe ftojnë qytetarët per moszbatim të urdhërave. Duke dashur ta shpallin antikushtetues këtë vendim të nxjerrë nga situata emergjente, harrojnë se protagonistët kryesorë në këtë betejë kolosale kudo nëpër vendet e goditura në botë janë mjekët dhe masat që marrin ata per ta mbrojtur popullin.

Meqenëse sot duke filluar që nga ora 10 e mëngjesit qytetarët duhet të vendosin se a do të dëshmojnë vullnetin per ta ndaluar hovin e kësaj sëmundje apo do të luajnë ekstremisht rolin e militantëve rrebelë të partive politike, ju kujtoj se në Itali deri më tash qe një muaj të gjitha vendimet per menaxhimin e situatës emergjente i ka marrë qeveria duke nxjerrur dekrete me emrin e kryeministrit Conte të cilat pothuajse kanë paralizuar jetën duke ndalur , arsimin, sportin, industrinë, ndërtimet,kulturën, etj, dhe pas numrave të tmerrshëm të shtimit të rasteve të reja dhe të vdekurve që në javën e fundit po i afroheshin numrit njëmijë, dje dhe sot kanë filluar të bie numri i viktimave duke i dhënë shpresë popullit si drita në fund të tunelit. Presidenti i republikës Mattarella gjatë gjithë kohës u angazhua per të siguruar unitetin aq të kërkuar kombëtar të të gjitha partive për të garantuar funksionimin e institucuioneve të shtetit.

Qytetarët e Kosovës nesër para se të ndahen politikisht duhet të bashkohen të gjithë në respektimin e urdhërave të mjekëve të cilët ditë e natë po sakrifikojnë çdo gjë per shëndetin e popullit kosovar.

Vendim më i madh dhe detyrues se ky që e dhanë me të drejtë, pas arritjes së numrit në 61 të infektuar me coronavirusin Sars-Cov-22, mjekët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nuk ka:

” QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!

MBANI DISTANCË SOCIALE PËR 2 METRA!

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË! “.