.
×

Gëzim Muçolli : Mos e preni tortën e Kosovës



  I ftoj të gjithë miqtë e mi brenda trojeve etnike gjithëshqiptare po në veçanti shoqërinë time në diasporë (anëtarë dhe kryesi të shoqatave kulturore dhe patriotike shqiptare) që ta lexojnë këtë postim me vëmendje dhe pa hatërngelje.

Jemi dëshmitarë se sot prodhimet e kuzhinës e sidomos ëmbëlsirat (tortat) e ditëlindjeve punohen me shije dhe përmbushin dëshirat e të gjithëve me imazhet mbi tortë që personalizojnë individin apo festën e caktuar.

Është bërë modë që në festën e Pavarsisë së Republikës së Kosovës , momenti kulmor i festës të celebrohet me prerjen e tortës së madhe që zakonisht në shumë raste ëmbëltoret e punojnë me imazhin e flamurit shtetëror të Kosovës.

E dihet mirë se flamuri shtetëror i republikës së dytë shqiptare ka në qendër hartën e Kosovës.

Sot kur ideja e copëtimit të Kosovës po shtyhet me të madhe paturpësisht si ide e tmerrshme rrezikuese e sovranitetit të Kosovës,do të ishte mirë që të heqet dorë nga porositja dhe prerja e tortës me pamjen e flamurit të Kosovës.

Ne mund të ruhemi nga analogjia dhe ekuivoku që mund të ndërlidhet me rrethanat aktuale historike. Ka kohë që dikush po shtyn drejt ndarjes së Kosovës, dikush po financon projekte të tëra per ta realizuar këtë, dikush tjetër per ta shpëtuar postin e vet po e përkrah me heshtje dhe mungesë reagimi institucional, dikush po kujton se duke i ndërruar territoret si kuleqtë e bijave, do të arrijë kushedi se çfarë rezultati historik të fantapolitikës ballkanike që sot as që mund të imagjinohet e aq më pak të realizohet.

Mua më rrënqethet trupi në ato momente dhe në duket sikur nuk jemi të vetdijshëm para një mesazhi që sado që duket mjaft aplikativ vizualisht, është antipatik dhe absurd.

Ju lutem që mos të rreshtohemi as me ide të pasherr në anën e atyre që edhe sjelljen më të pasherr mund ta komentojnë si aprovim qorrazi të një politike që sot po dënon edhe ambasadorë e kryeministra me mosmundësim të realizimit dhe kryerjes me sukses të misionit të tyre funksional e shtetëror.

Torta është dhe do të bëhet edhe më e ëmël edhe atëhere kur t’ia heqim shijen e mesazheve të hidhura.

P,S: Fotografitë kanë vetëm kuptim ilustrues dhe nuk paragjykojnë askënd !