.
×

Gëzim Muçolli: Ikja nga metafora sizmike



Adi Krasta u largua nga rrënojat e sistemit informativ dhe shoqëror në Shqipëri. Ai shkoi pak më në Veri, në Shqipërinë tjetër, ku do ta ndiejë veten më pak “londinez” e më shumë patriot. 

Në Kosovë ai gjeti azilin e tij kulturor edhe pse nuk e kërkoi atë, sepse te vëllezërit dhe motrat e matanë gardhit, shqiptari nuk ka nevojë të kërkojë status të strehimit politik.

Adi është Gazetar i madh, Intelektual i vërtetë dhe frikës dhe qyqarllakut provincial e lokal, nuk ia ka bërë hyzmetin. E sot kur Shqipëria po vuan për të gjithë ato që tërmeti i Durrësit i nxorri mbi gërmadhat e dështimit institucional dhe të koshiencës civile, natyrisht krijohet përralla e re se jo vetëm sulltani po edhe shteti qenka lakuriq.

Shteti i cili nuk ishte në gjendje ta kishte një qen apo kudër të përgatitur për kërkim-zbulimin e të gjallëve nën gërmadha, natyrisht që duhet të gjejë dikënd që ta paguajë fakturën e angazhimit civil në denocimin e gjithë asaj që nxorri në shesh të vërtetën e thyer.
Adi do të jetë ADI edhe më i madh nga Prishtina, por duhet ta heqë nga koka idenë e hakmarrjes publicistike duke e zëvendësuar me thjerrzën e transparencës dhe vetëdijsimit primar qytetar.

Shpresojmë ta kuptojnë edhe këtë herë të gjithë shqiptarët se nuk kemi dy nëna por jemi vëllezër të një gjaku dhe se duhet harruar përgjithmonë përemrat (emrat) më të përfolur në njëqind vjetët e fundit: Ne dhe Ata!
Nuk mund të bëhemi të gjithë londinezë.
Katundarë po!
Rroftë besa e Kosovës dhe qytetaria shqiptare.