.
×

Germani Airways fillon anulimin e fluturimeve, diaspora kosovare e pëson nga mashtrimet



Albinfo.ch kishte raportuar edhe më herët për skemën e mashtrimeve me bileta të aeroplanit nga Baseli në PrishtinëAgjencioni “Germani Airways” gjatë ditës  ka filluar t’i njoftojë pasagjerët se fluturimet të cilat ishin paraparë të realizoheshin për datën 19.07.2018 janë anuluar. Ata ju kanë thënë pasagjerëve se fluturimet janë anuluar për arsye të një defekti teknik në aeroplanin e tyre.

 

Ky agjencion kishte planifikuar që fluturimet t’i realizonte me kompaninë “Express Airways”, pronar i të cilës është Sefa Tuncer i cili ka në pronësi edhe Germani Airways.

 

Ne kemi kontaktuar aeroportin e “Basel Moulhouse” për të verifikuar nëse një kompani e tillë ka bërë të paktën kërkesë për të ofruar fluturime nga ky aeroport, mirëpo përgjigjja që kemi marrë është dëshpëruese. Kjo kompani nuk ka të lajmëruar asnjë fluturim nga aeroporti i Basel.

 

 

 

Për herë të parë pas disa tentimeve kemi arritur të kontaktojmë qendrën e thirrjeve të agjencionit “Germani Airways” në një numër në aplikacionin VIBER dhe kemi kërkuar sqarime se cila është kompania që do të realizoj fluturimet dhe numrat e fluturimeve.

 

Vajza e cila i ishte përgjigjur thirrjes sonë tha se ende nuk i kanë numrat e fluturimeve por që kompania është “GERMANIA AIRWAYS”. Ne verifikuam nëse një kompani e tillë ekziston, mirëpo rezultatet ishin negative. Asnjë kompani ajrore me këtë emër nuk ekziston.

 

Pra, e gjitha kjo është një skemë e radhës për të mashtruar diasporën kosovare.

 

Kemi tentuar të marrim përgjigje edhe nga institucionet e Kosovës duke ju drejtuar Aeroportit të Prishtinës, Policisë së Kosovës, Ministrisë së punëve të brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

 

Të vetmen përgjigje që kemi marrë ishte ajo e zëdhënëses së Aeroportit të Prishtinës,Valentina Gara e cila na premtoi që do të merrte një iniciativë për një fushatë senzibilizuese për të njoftuar pasagjerët për mashtrimet të cilat po bëhen me bileta të aeroplanit. Ajo shton se përgjegjëse për lejet e fluturimeve dhe gjithë procedurën tjetër është Ministria e Infrastrukturës.

 

Diaspora kosovare e shqetësuar për mashtrimet

 

Në redaksinë tonë tanimë kanë arritur me qindra mesazhe nga rrjetet sociale dhe e-mail, ku familje të shumta të cilat kishin planifikuar pushimet në Kosovë tanimë kanë kuptuar se janë të mashtruar.

 

Kjo kompani ka planifikuar fluturime me datë 19.07.2018 dhe një pjesë e madhe e pasagjerëve akoma nuk janë të njoftuar që fluturimi i tyre nuk ekziston fare. Pjesa tjetër tanimë janë njoftuar në mënyra të ndryshme nga ky agjencion. Disave u janë dërguar mesazhe nga Viber ku u është thënë se fluturimi është anuluar për shkaqe teknike.

 

Pasagjerët tani janë të hutuar nëse do t’u kthehen paratë e paguara.

 

Sipas praktikës nga këto agjensione mashtruese, paratë e paguara nuk u janë kthyer asnjëherë pasagjerëve.

 

Platforma Albinfo.ch do të përcjellë nga afër të gjithë ngjarjen dhe të gjitha zhvillimet nga ky agjension mashtrues dhe do të ju njoftoj me kohë.

 

Të gjithë ata të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve me bileta, ju lutemi dërgoni ato në E-mail ([email protected] dhe [email protected]) që në të ardhmen të parandalojmë mashtrime të tilla.

 

Arlind Imeri, Lozanë 2018