.
×

Gashi: Kosova do të përballet 10 vjet me Gjykatën Speciale



Themelimi i Gjykatës speciale do të marrë pesë vite, kurse Kosova do të përballet me procese gjyqësore në këtë Gjykatë të paktën dhjetë vjet.

Kështu thotë avokati dhe eksperti i çështjeve juridike, Tomë Gashi në një intervistë për RTK-Radio.

Do të duhen një mori ligjesh të ndryshohen për të mundësuar themelimin e saj, siç është Kodi i Procedurës penale, ndërsa duhet të ndërrohet edhe një pjesë e Kushtetutës së Kosovës për të përligjur gjykimin e qytetarëve të vendit, jashtë Republikës së Kosovës.

Kosova nuk ka ndonjë përfitim nga themelimi i Gjykatës Speciale dhe ato që thuhen për përfitime, janë vetëm retorikë politike, vlerëson Tomë Gashi.

“I vetmi benefit që Kosova do të ketë, është ai, se do të mbyllet kapitulli i dyshimeve për kryerjen eventuale të krimeve nga ana e UÇK-së gjatë luftës së fundit. Kosova vetëm do të humbë: do të humbë edhe në planin ndërkombëtar, sepse do të ndalohet procesi i njohjeve të Republikës së Kosovës nga ato shtet që nuk e kanë njohur vendin tonë deri më tani” ,thekson avokati Gashi.

Gjykata Speciale nuk do të themelohet vetëm për disa muaj, sepse kjo është krejtësisht e pamundshme, shton ai.

“Sipas dijes sime juridike kjo do të marrë minimum pesë vite, ndërsa përballja e Kosovës me këtë Gjykatë mund të zgjasë për dhjetë vite. Do të duhet të ndryshohen një mori ligjesh për të mundësuar themelimin e saj, siç është Kodi i Procedurës penale, për shkak të vend-ndodhjes së dyfishtë”.

Me dy seli do të jetë Gjykata Speciale: njëra në Kosovë dhe tjetra në Holandë, përkatësisht në Hagë, atje ku do të zhvillohen gjykimet. Mund të jetë edhe Brukseli si seli për shkak se është jo vetëm kryeqyteti i Belgjikës, por i krejt BE-së, për shkak se ka infrastrukturën e nevojshme, nënvizon eksperti i çështjeve juridike Tomë Gashit

“Si ekspert, mendoj se për themelimin e Gjykatës Speciale, duhet të ndërrohet edhe një pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe një mori ligjesh, kjo për ta përligjur dhe bërë të ligjshme mbajtjen e gjykimeve për qytetarët e vendit jashtë Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai thekson se “nuk ka një periudhë të përcaktuar kohore për themelimin e Gjykatës Speciale, sado që kohëve të fundit ka një trysni të shtuar të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj Qeverisë së Kosovës, me qëllim për të zënë hapin e humbur gjatë kohës kur ndodhi ngërçi politik”.

“Kjo do të thotë se tempoja e punës së Qeverisë dhe Komisioneve të posaçme që merren me përgatitjen e proceduarave për themelimin e Gjykatës Speciale, do të duhej të ishte shumë më e shpejtë”.

“Qeveri e re e Republikës së Kosovës sigurisht është e vetëdijshme se duhet të përshpejtojë procedurat pasi edhe Parlamenti në legjislaturën e kaluar është deklaruar hapur se nuk janë kundër themelimit të Gjykatës Speciale”.

Ajo që Grupi teknik – grupi i ekspertëve dhe institucioneve të Kosovës, duhet të bëjë, është që kjo Gjykatë të jetë gjithsesi nën juridiksionin e Kosovës dhe që ajo të punojë me ligjet e Kosovës, pasi ndryshe rreziku është shumë më i madh se sa mund ta kuptojë dikush, shprehet Tomë Gashi. /RTK

– See more at: http://politiko.net/gashi-kosova-te-perballet-10-vjet-gjykaten-speciale/#sthash.kT08Haxa.dpuf