.
×

Gara “hot” e LDK’së, të gjithë e duan postin më të lartë partiak



Zyrtarë të lartë të LDK’së mezi po përmbahen pa folur publikisht rreth kandidaturave për kreun e partisë. Brenda këtij subjekti lakmitë për ta trashëguar Isa Mustafën janë të mëdha. Synimet më të qarta  i kanë Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, por Gazeta merr vesh se pa këtë ambicie nuk është as i përkëdheluri i kryetarit aktual Avdullah Hoti, duke e bërë edhe më të “nxehtë” situatën brenda partisë. Për udhëhequr me partinë, plane ka edhe Kujtim Shala një kuadër partiak po ashtu i afërt me Isa Mustafën. Por, krejt “loja” po mbetet e paqartë për shkak të Isa Mustafës, i cili nuk dihet ende se çfarë befasie do të përgatis.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lënë që më 3 gusht ta zgjedh Kryetarin e ri të Partisë. Por, këtij subjekti i ka mbetur edhe pak punë për të kryer, duhet ta përmbyll Kuvendin Zgjedhor në Degën e Tretë që njihet si Dega e Presidentit Ibrahim Rugova, ku kishte pasur probleme.

Aty në garë janë Arban Abrashi dhe Hazir Borovci. Por, përveç kësaj beteje  më të vogël e cila ende nuk dihet se kur do të marrë fund, të gjithë sytë janë drejtuar tek kreu i partisë.

Zyrtarë të lartë të LDK’së mezi po përmbahen pa folur publikisht rreth kandidaturave. Por, brenda këtij subjekti lakmitë për ta trashëguar Isa Mustafën janë të mëdha. Synimet më të qarta  i kanë Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, por Gazeta merr vesh se pa këtë ambicie nuk është as i përkëdheluri i kryetarit aktual Avdullah Hoti, duke e bërë edhe më të “nxehtë” situatën brenda partisë.

Gjithashtu, në këto llogari hynë edhe Vjosa Osmani, e cila ka shfaqur ambicie edhe në Kuvendin e kaluar, por ishte eliminuar. Edhe pse aktualisht ka një heshtje rreth kandidaturave, Agim Veliu, njëri prej të fuqishmëve të LDK’së  ka sinjalizuar se e do postin e kryetarit.

Vetë Isa Mustafa është duke heshtur dhe kjo lë shumë vend për spekulime.  Nuk dihet nëse ai është duke bërë lojë sikur në Kuvendin e kaluar, duke planifikuar të rizgjedhiet në momentet e fundit, apo siç thuhet kuloareve tashmë ka vendosur të largohet përfundimisht

Javë më parë, përveç Isa Mustafës si dy pretendetët më favoritë, ishin ata që edhe publikisht pranuan se kanë synime karrigen e të parit,  Lutfi Haziri që ka vite se po thotë se do të shpallë kandidaturën, e deputetja më e votuar grua, Vjosa Osmani.

Këta të dy madje ka kohë që i patën të acaruara goxha shumë marrëdhëniet mes vete, e këto nuk ngurronin që t’i paraqitnin edhe në publik përmes statuseve e studiove televizive.

Si duket tani Haziri e Osmani i kanë normalizuar pak marrëdhëniet, duke ditur që jo shumë kohë më parë, nënkryetari i LDK-së e pranoi që ishte vetë ai që e kishte ngacmuar e kishte faj sa i përket raporteve mes tyre.

Përderisa vetë Isa Mustafa as nuk e ka mohuar e as pohuar kandidaturën, ai që ka befasur, pasi besohej se do jetë i kënaqur duke mbajtur rolin e njeriut të dytë në LDK dhe bastionin e tij në Podujevë është Agim Veliu.

Nënkryetari dhe kryetari i Degës së Podujevës për vite të tëra, ka pasur  ambicie të heshtura që të bëhet lider i Lidhjes Demokratike, por tani po thotë se për këtë po e ka përkrahjen edhe brenda partisë.

Veliu nuk po e përjashton mundësinë se si kundër kandidatë mund të ketë jo vetëm një, por disa persona, kolegë të tij në parti, ani pse ky pavarësisht këtij qëndrimi shprehet se gjithçka do të finalizohet sa i përket emrave në Kuvend zgjedhor.

Përderisa edhe kreu i LDK-së në Podujevë po pret që ta propozojë dikush, pretendime të njëjta po flitet që kanë edhe disa persona.

Por, çfarë janë shanset e ish-kandidatit të LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e fundit, Avdullah Hotit që është emri tjetër që mund të propozohet për kandidat, edhe pse nuk dihet se sa gjasë mund të ketë ai kundër Hazirit, Osmanit e Veliut. Hoti njihet gjithashtu si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Isa Mustafës ndër vite.

Të tërhequr nga gara tashmë janë deklaruar Imri Ahmeti kryetar i degës së Lipjanit, e Gazmend Muhaxheri, kryetar i degës në Pejë. Muhaxheri u deklarua ditë më parë për Express se nuk ka pretendime të tilla, pavarësisht se jo më larg se vitin e kaluar pati thënë se është gati që të bëhet kryeministër i Kosovës.

Ndonëse emri i tij u pat lakuar në radhën e pretendentëve për kryetarë, Kujtim Shala, ka qëndruar në heshtje pa komentuar shumë këtë çështje.

Sikurse ndodh zakonisht me partitë tjera në vend, LDK nuk do të shkojë në Kuvend Zgjedhor me vetëm një kandidat që fiton votat e shumicës në mënyrë të pakontestueshme. Por, kjo mund të ndodhë pasi zyrtarët e lartë kanë folur për një marrëveshje.

Megjithatë  LDK po kujdeset për të mbajtur  gjithcka sekret, ani pse kryesia e di mirë se kush janë të “interesuarit” për më shumë pushtet partiak.  Ata po e bëjnë këtë për t’i ikur problemeve me të cilat u përballën në LDK që nga marsi kur ia filloi procesi i zgjedhjeve të brendshme.

Se a do të mund të kalojë Kuvendi i 3-gushtit pa përleshje e grushte, kjo mbetet të shihet, derisa LDK pritet që të finalizojë procesin e zgjedhjeve për dy javë.

Në rast se befasisht nuk del ndonjë pretendent për pozitën e kryetarit të LDK-së, ata që përflitetn më së shumti deri tani janë Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu e Avdullah Hoti. Një nga këta, do të jetë edhe kandidati i ardhshëm për kryeministër nga LDK-ja.