.
×

Gani Mehmetaj: Pjetër Bogdanin e mohuat, kund varr nuk i latë. Josip Bagerin e harruat!



 

– Nuk i lejoni shqiptarët ortodoksë të dëgjojnë predikimin në gjuhën shqipe. Kishat ua shurdhuat para 100 vjetësh, kombin ua ndryshuat me dhunë, priftërinjtë ua vratë, ashtu si na e ndryshuan neve turqit fenë para 200-300 vjetësh dhe na i vranë priftërinjtë, – iu drejtova herën tjetër mikut tim Dimçës, me t’u ulur buzë Vardarit, në pjesën e Shkupit të qytetëruar, ku pihet birra e rakia, e ku nuk ta zë frymën qebapi i djegur e as vaji i fërguar i Bit- Pazarit. Kujtoja frikën e banorit të Ohrit, Dimitrit a Dhimitrit sikurse e quante gjyshja e vet, kur nisi të më fliste shqip, duke hetuar me njërin sy se mos futej dikush i padëshiruar në sallon e na dëgjonte. Historia e Dhimitër(Dimitar)  Ohrit(Ohridskit) ishte e dhimbshme, ashtu sikurse ishte tragjike fati i mijëra shqiptarëve ortodoksë që i bënë sllavë, apo fati i  mijëra shqiptarëve myslimanë që i bënë me dhunë turq e torbesh, ndërsa i kaluan dy breza që ta mësonin gjuhën sllave e turke e ta harronin shqipen. Ende e kam në kujtesë priftin e kishës së Shën Naumit kur me foli shqip, por e këputi ligjërimin kur hyri prifti tjetër.

-Prapë ti me akuza të vjetra, – mu drejtua Dimçe paksa i emocionuar, ndërsa porositi dy birra të ftohta, duke me treguar se mish derri nuk ka, – e kanë ngrënë shqiptarët përtej Vardarit, të babëzitur për mish derri, sepse andej lumit është i ndaluar me fatva të vehabistëve e myslimanëve të xhamisë turke.

E shikova i habitur, megjithëse nisa ta besoja për herë të parë. Ma kujtoi ushtrinë jugosllave, kur bashkëkombësit e mi nga Shkupi e Prishtina një herë e refuzonin më përbuzje mishin e derrit, pas disa javësh e hanin me aq babëzi sa më bënë të mos e fusja në gojë për vjet më radhë.

-Dëgjo, ti, nipi i Pjetër Bogdanit, kot që me bie në qafë, kishat i mbyllën bullgarët, kur e pushtuan Maqedoninë. Pas tyre serbët erdhën me hekur e me zjarr dhe i i vranë priftërinjtë shqiptarë ortodoksë. Njerëzit, që thoshin se janë turk elhamdyrilah e flisnin shqip, i shihnin me aq përbuzje besimtarët e këtyre kishave, të nxitur nga hoxhallarët, sa që nuk e bënin dallimin në mes serbo-bullgarëve e  shqiptarëve të fesë tjetër. Kaur, ose shka i thërrsnit shqiptarët ortodoksë , kaur ose shka i thërrisnin edhe sllavët. Shqiptarët e turqit bastard nga gjeni shqiptar edhe në ndeshje futbolli sot këndojnë këngë islamike terrori, për dallim nga bota qe e këndojnë himnin e kombit a ekipit të tyre.

Pastaj mos me shit përralla patriotike për shqiptarë katolikë e ortodoksë. Pjetër Bogdanin e mohuat, kund varr nuk i latë. Josip Bagerin e harruat. Qe të dytë kanë vdekur në Prishtinë. Varrin e Bagerit e gjeten, por shtatore nuk i ngritën. Nuk i bënë shtatore as Bogdanit që ishte kolosi më i madh i shqiptarëve në treqind vjetët e fundit. Njeri më të madh Dardania juaj nuk pati, ndërsa nuk e ka asnjë shenj. I latë pas shpine edhe rilindësit qe nga Reka e Keqe deri në Ohër, ndërkaq, dhanë aq shumë për kombin.

-A e di ti, Dimçe që Shkupi ishte qyteti më i madh shqiptar në Gadishullin Ilirik?

-E di që kurrë më pak shqiptarë nuk keni qenë dhe kurrë më të rrezikuar nuk jeni. Po u hanë turqit, po u hanë arabët si kanceri që e gërryen trupin, ndërsa pushteti ua ka vënë lakun në fyt, ua blenë politikanët si lopët në pazar, sepse i keni humbur idealet e patriotizmin. Pastaj disa nga ju kanë dashuri të sëmurë ndaj Turqisë e Erdoganit. Një mrekulli mund t’u shpëtoj nga bataku ku keni rënë. Thirreni Gjergjin tuaj ditën e natën, mbase u ndihmon, armiqtë i keni të njëjtit.

 

Nesër:  Kthimi i shqiptarëve në rrënjë do të trondiste themelet e shtetit!