.
×

Ftohtë, shi, temperaturat shkojnë shumë poshtë, njihuni me parashikimin e motit



Ditët në vijim më të ftohta dhe me vransira, të enjten mundësi për reshje të dobëta shiu. Sistemi frontal që po kalon mbi rajon, ditëve në vijim do të sjellë mot më të ftohtë, kryesisht me vransira, e ditën e enjte vende-vende me mundësi për reshje të dobëta shiu.  Mirëpo ditëve të fundjavës nga Mesdheu sërish do të fillojnë të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore, që pritet të rrisin temperaturat pak mbi vlera mesatare.

Fusha të presionit të ulët që do të shtrihen mbi Europë në fillim të javës së ardhshme, do të depërtojnë edhe në Itali, të cilat ditën e hënë ka gjasa të sjellin edhe reshje shiu mbi vendin tonë, derisa masat e ngrohta nga Mesdheu vazhdojnë të rrisin temperaturat mbi vlera mesatare.

Koncentrimi i ndotësve që ditëve të shkuara dhe sot ishte shumë i lartë, si shkak edhe i zjarreve që po zhvillohen në fusha dhe bjeshkë të rajonit, në ditët e ardhshme, nën kushtet meteorologjike të krijuara me kalimin e sistemit frontal, do të fillojnë të shpërndahen, e vlerat e kualitetit të ajrit do të zbresin në mesatare dhe të mira.

31.10 – Më ftohtë, kryesisht vranët, herët në mëngjes dhe pasdite vende-vende mundësi për reshje të dobëta shiu.

1.11 – Kryesisht me vransira dhe intervale me diell gjatë ditës.

2.11-3.11 – Vransira dhe intervale me diell. Të dielën, vonë pasdite, në perëndim të vendit mundësi për reshje lokale shiu.

4.11 – Paradite me shi. Gjatë ditës reshjet do të pushojnë, e vransirat do të shpërndahen.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 3C deri në 6C, e maksimalet ditëve të ardhshme do të zbresin në 11C deri 12C, e nga fundjava do të rriten në 15C deri 18C.

Do të fryejë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 3-7m/s, e nga fundjava do të fryejë nga juglindja 3-7m/s.

Shtypja atmosferike do të rritet mbi vlera normale, e në fillim të javës së ardhshme pritet të pësojë rënie.