.
×

Franca ndriçon shpellën e Gadimës me 20 mijë euro



Të gjithë ata që tash e tutje e vizitojnë shpellën e Gadimes, do të mund të shohin pamje shumë më të mirë, pasi që së fundi është ripërtërirë ndriçimi. Ky investim është bërë nga Ambasada e Francës në Kosovë.

Me 20 mijë euro investime, shpella e Gadimes, ka përmirësuar ndriçimin brenda shpellës, raporton KTV.

Donacioni i Ambasadës së Francës në Prishtinë, dhënë për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka bërë që shpella tashti të ketë një pamje krejt më ndryshe.

Kryeshefi i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit, brenda kësaj ministrie, Ilir Morina, ka deklaruar se ky donacion i Ambasadës së Francës, është i mirëseardhur.

Ndërkohë, zyrtarë të Ambasadës franceze në Kosovë, kanë thënë se janë të kënaqur që investimi i tyre ka shkuar në vendin e duhur, derisa ka pohuar se kjo ambasadë, do të vazhdojë edhe më tej mbështetjen.

“Ne jemi duke planifikuar që të vazhdojmë bashkëpunimin me projekte dhe financime të tjera si Ambasadë franceze, sa i përket përmirësimit të elektricitetit në shpellë dhe për ta bërë sa më tërheqëse për turistët. Pastaj, do t’i ftojmë personelin e shpellës që të vijnë në Francë për të shkëmbyer përvojat se si të sillen me vizitorët e shpellës”, ka thënë Herve Boisguillaume nga Ambasada e Francës në Prishtinë.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe punëtorët e shpellës, kanë thënë se që nga qershori, kanë arritur të grumbulluar rreth 20 mijë euro nga vizitat e shumta të turistëve.