[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Florim Zeqa: Pavarësia e Kosovës, realitet apo iluzion!?



Përderisa shpallja e pavarësisë më 17 Shkurt 2008 ishte konsideruar si e arritura më e madhe e shekullit për shqiptarët, fillimi i dialogut të pabarabartë dhe pa njohje reciproke me Serbinë është goditja më e rëndë dhe shkatërrimtare për shtetin e Kosovës.

Tkurrja e pavarësisë, e shton varësinë e shtetit

Pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes nga afro 100 shtete, në fund të vitit 2011 ish i pari i qeverisë (tani president i shtetit), kokë në vete e fillojë dialogun me Serbinë, e pranoj fusnotën dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, duke i vënë kështu në lajthitje vendet që na kanë njohur si shtet i pavarur e jo subjektivitet sipas Rezolutës 1244.
Pavarësia gjysmake e 17 Shkurtit 2008 u cungua dhe u dëmtua akoma më shumë gjatë viteve të fundit përmes procesit të dialogut me Serbinë. Kualiteti i ulët i pavarësisë dhe largimi i lidershipit aktual nga vlerat kombëtare ka bërë që identiteti i shtetit të tjetërsohet nga një shtet etnik (mbi 90% shqiptar) në një shtet “multietnik”.
Dialogu na e solli Gjykatën Speciale, Asociacionin e Komunave Serbe, Demarkacionin me Malin e zi, tkurrjen e pavarësisë dhe integritetit territorial.
Politikanët e mjerë shqiptarë të Kosovës, në këmbim të gjitha këtyre të këqijave për vendin nuk arritën ta nxjerrin as liberalizimin e premtuar (nga (BE) për qytetarët kosovar.
Nga fillimi i bisedimeve politike (“teknike”) me Serbinë në Bruksel e deri në ditët e sotme, nga dialogu në dialog negociatorët kosovar e kanë humbur nga një pjesë të shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit të tyre.
Rihapja e statusit të Kosovës në dialogun e Brukselit, Kosovës i kushtoj me tërheqjën e 18 njohjeve ndërkombëtare.
Pas gjitha këtyre dështimeve e rrëshqitjeve nga shtetësia, pavarësia e 17 Shkurtit 2008 gjithnjë e më pak po i ngjet një pavarësie, e cila më shumë po i ngjet një shteti në inkubator që po mbahet peng nga Serbia!

Zgjimi i vonuar i “çlirimtarëve”

Heqja e një kolonializimi (nga serbia), dhe futja nën një tjetër (nën tutelën e BE-së), jo vetëm që nuk është pavarësi, është varësi akoma më e madhe nga e cila vështirë do të dilet!
Pas aksionit të fundit të EULEX-it, shtrohet pyetja logjike; a është Pavarësia e Kosovës, iluzion apo realitet!?
Aksioni i fundit i EULEX-it në zyrat e OVL të UÇK-së dhe arrestimi i dy drejtuesve të kësaj organizate, është tregues se EULEX-i nuk paska vetëm rol vëzhgues dhe këshilldhënës (siq na thonin liderët shtetëror), por fuqi të plotë ekzekutive dhe na qenka mbi shtetin dhe institucionet shtetërore të drejtësisë!
Siq duket vonë iu doli gjumi atyre që votuan dhe mbështetën Gjykatën Speciale nën presionin e paparë të liderëve shtetëor; “Kush nuk e voton Gjykatën Speciale është armik i pavarësisë së Kosovës dhe i UÇK-së”,…tani përballja me këtë gjykatë të njëanshme do të jetë e mundimshme për pjestarët e ushtrisë çlirimtare dhe me pasoja të rënda për vendin.
Iluzionistët më të mëdhenj pa dyshim janë ata që mendojnë se Gjykata Speciale do të përfundoj shpejt punën e saj dhe se do ta pastrojë skenën politike kosovare me gjykimin e “peshqve të mëdhenj”, ngase ata e kanë fuqinë mbrojtëse-milionat si mburojë para akuzave.
Kështuqë, milionat e disa prej politikanëve, të përfolur si të akuzuar të mundshëm nga Gjykata Speciale nuk do të përfundojnë në arkën e shtetit të Kosovës, por në llogaritë e avokatëve, prokurorëve dhe gjykatësve perëndimorë.
Nuk duhet harruar se “Specialja” e njëanshme e sponsorizuar nga Serbia nuk e ka për qëllim zbardhjen e vrasjeve politike të luftës dhe pas luftës në Kosovë, por ajo për qëllim e ka nivelimin e krimeve të supozuara individuale të ndonjë pjesëtari të UÇK-së me gjenocidin shtetëror serb në njërën anë, ndërsa në tjetrën ta dëmtojë imazhin e luftës çlirimtare dhe ta pengojë ecjen e Kosovës drejt integrimeve evropiane!
Përderisa vendi ynë të qeveriset nga servilët dhe matrapazët politik, Kosova do të mbetët e kontrolluar nga Serbia dhe e sunduar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni (vendor dhe ndërkombëtar), nocionet Liri dhe Pavarësi për qytetarët e Kosovës do të mbetën përveçse nocione ngushëlluese edhe mashtruese njëkohësisht.

Menu Title