.
×

Floriana Imeri, konkurrente e fortë në “The Voice of Germany”



“The Voice of Germany” ka zbuluar një talente shqiptare nga Kosova, e cila me zërin e saj të ëmbël ka triumfuar në fillim të këtij kompeticioni muzikor.

Në Gjermani ka nisur të enjten në mbrëmje programi televiziv shumë i popullarizuar në kërkim të  talenteve të rinj të muzikës, spektakli gjerman në vazhdime „The Voice of Germany 2014″.

Shqiptarja 22-vjeçe, Floriana Imeri, nga Bietigheim – Bissingen, është njëra nga kandidatet që tashmë ka bindur jurinë “The Voice of Germany”.

Me këngën „Tik Tok“ nga Kesha, shqiptarja nga Kosova ka kaluar sfidën e parë në këtë garë muzikore në Gjermani.

“Ku ishit ju, ne kemi nevojë për energji pozitive, vajzë, zëri juaj është aq i bukur“, i ka thënë Samu Haber, njëri nga anëtarët e jurisë të edicionit të sivjetëm “The Voice of Germany”.

Floriana ka jetuar për 21 vjet në qytetin Metter Enz. “Unë edhe si një vajzë e vogël kam kënduar, por me të vërtetë ia fillova këngës në moshën 13-vjeçe”.

Ajo tha të ketë qenë e dalluar me talentin e saj edhe në shkollë. Në shumë festa me familjen dhe miqtë ajo kishte kënduar para publikut. “Kjo më dha besim”, tha Floriana.

Në Kosovë Floriana është tashmë e njohur si një këngëtare e re. Dy vjet më parë ajo ka regjistruar një album me këngë popullore.

“Muzika në shtëpinë time është shumë e rëndësishme për mua, sepse jam rritur me të”, thotë ajo.

Floriana ëndrron karrierën e një këngëtareje ndërkombëtare. Florianes i pëlqen të këndojë më shumë balada.

Nga familja e saj Floriana ka marrë mbështetje të madhe, sidomos nga babai i saj që kishte ndikuar për të treguar talentin.

“Babai im është një fans shumë i madh imi, unë jam shumë e lumtur”, kishte deklaruar për mediat gjermane talentja nga Kosova, Floriana Imeri.

Video:
http://www.the-voice-of-germany.ch/video/45-floriana-imeri-tik-tok-clip