.
×

Flora Brovina flet për fotografinë që publikoi, paralajmëron publikimin edhe të dy fotove tjera



Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, ka paralajmëruar se do të bëjë publikimin edhe të dy dëshmive tjera për krimet që serbët i kanë kryer në Kosovë.

Në një prononcim për Telegrafin, Brovina tha se fotografia e publikuar sot gjatë seancës plenare në Kuvend, ku shihen disa ushtarë serbë duke dhunuar një grua kosovare, është fshehur që shumë kohë, prandaj ka vendosur ta publikojë sot.

“I kam edhe dy dëshmi tjera, do t’i publikojë në Kuvend sot. Kjo dëshmi që e kam prezantuar sot nuk është diçka e re, por është anashkaluar.

Ndërkombëtarët, por edhe tanët e kanë fshehur, prandaj e kam publikuar sot”, ka deklaruar deputetja Brovina.

Në dëshminë e publikuar sot nga deputetja Brovina, ushtarët serbë shihen duke dhunuar një femër në Kosovë, dhe familjarët e saj janë prapa saj – disa të vrarë e disa duke u keqtrajtuar nga ushtria serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndryshe, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar në ora 10:00, dhe ka shtatë pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit dhe pika tjera që lidhen me gjenocidin serb në Kosovë.