[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Flet kryefamiljari i të prekurve me COVID-19 nga Miradija e Poshtme



Hartës së komunave të prekura nga koronavirus i është bashkuar edhe Fushë-Kosova. Tri raste pozitive me COVID-19 janë konfirmuar mbrëmjen e së hënës në Miradi të Poshtme të kësaj komune.

Të infektuarit janë anëtarë të një familjeje, dy vëllezër dhe halla e tyre. Që të tre po qëndrojnë të vetizoluar në shtëpi, në fshatin Miradi e Poshtme, raporton KOHA.

Virusi dyshohet të jetë bartur nga kryefamiljari, megjithëse ky i fundit në testin e bërë të hënën ka rezultuar negativ. Ai ka rrëfyer për KOHA-n se para rreth 15 ditësh ka vizituar motrën e tij në Prishtinë, e cila së fundmi bashkë me bashkëshortin e saj kanë rezultuar pozitivë në testet për këtë virus.

Kryefamiljari shtoi se edhe bashkëshortja e tij rezultoi se nuk është e prekur nga virusi, derisa tha se gjendja e fëmijëve dhe motrës është e mirë. 62-vjeçari që punon në degën e Postës në Fushë-Kosovë thotë se ka ndërprerë punën me të kuptuar për infektimin e personave, me të cilët ka pasur kontakt.

Të martën, mjekët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike filluan identifikimin e personave me të cilët kanë pasur kontakt të prekurit. Por nga Komuna e Fushë-Kosovës kanë thënë se për momentin nuk ka nevojë që fshati të futet në karantinë.

Rezultatet e së hënës të IKSHPK-së, Komuna e Fushë-Kosovës i kishte quajtur të pakonfirmuara dhe me motive politike. Tani, zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, tha se situata është sqaruar. Topalli u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Menu Title