.
×

Flet eksperti i sigurisë kibernetike Hekuran Doli: Kujdes, shfrytëzimi i lartë i internetit, rrezik për sulme kibernetike dhe të privatësisë



Përqindja e lartë e përdoruesve të internetit në Kosovë, nga njohësit e kësaj fushe po shihet si diçka pozitive, gjë e cila mund të ndikojë në rritjen e nivelit të edukimit të masës së gjerë.
Hekuran Doli, ekspert i sigurisë kibernetike ka thënë për Telegrafin se në Kosovë vite më parë, falë organizatave të huaja që kanë vepruar në vend ka pasur një shtrirje të gjerë të internetit në mbarë territorin.
Sipas tij, edhe viteve të fundit janë bërë shumë investime në shtrirjen e rrjetit të komunikimit, duke e rritur kështu qasjen e qytetarëve të Kosovës në internet.
“Mendoj se me shfrytëzimin sa më të madh të internetit do të duhej të kishte popull që është më i informuar dhe më i edukuar, por më kusht nëse ajo shfrytëzohet si duhet”, ka shtuar Doli.
Ai ka sqaruar se sipas të dhënave shfrytëzuesit e internetit në Kosovë aktivitetin e tyre e fokusojnë në informim për aktivitetet dhe zhvillimet ditore, e më pak sipas tij, në edukim të përgjithshëm.
“Në bazë të statistikave Kosova ka numër dukshëm më të lartë të përdoruesve të internetit se sa të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria”, ka thënë Doli.