.
×

Flet Burim Murturi, kapiten i FC Dardania (Linz): Synojmë sukseske të mëdha në futbollin austriak



Intervistë me kapitenin e FC Dardanisë nga Linz-i Burim Murturi

Klubi që përmes futbollit po e ruan gjuhën shqipe dhe po kontribuon në integrim

Nga Ramiz Selimi

Nga disa studime të nxjerra më herët në Austri të Epërme, rezulton që në ketë Land të jetojnë mbi 25 mijë shqiptarë. Ata janë të integruar mirë në shoqërinë austriake.  Shqiptarët e kësaj ane janë të njohur për aktivitete të shumta. Ata themeluan klubin “FC Dardania Linz” – një klub i ri, i themeluar vitin e kaluar, por i cili që nga hapat e parë premton shumë. Një klub i cili edhe përkundër mungesës së kushteve elementare vitin e parë ka korrë suksese të jashtëzakonshme më të gjitha ekipet, duke filluar nga ekipet e të rriturve e deri tek ato të juniorëve.

Ne  intervistuam kapitenin e ekipit të parë 1A të “FC Dardanisë Linz” lojtarin me përvojë Burim Murturi.

Burim Murturi është 36 vjeçarë, luan qendërsulmues, çdoherë me numër 9, ka luajtur edhe për disa ekipe tjera si: Union Arbing, ASKÖ Neue Heimat, SKA Asten, ASKÖ Dionisen dhe tani FC Dardania Linz

Duke përkrahur sportin, përkrahim shëndetin dhe edukatën e cila përfitohet përmes sportit dhe largon të vegjlit nga rruga. Pikërisht për këtë qëllim vitin e kaluar është themeluar Klubi i Futbollit FC Dardania Linz!  Si e keni prit themelimin e tij dhe çka pret nga ky klub?

Burim Murturi: Në Austri të Epërme është hera e parë që shqiptarët kanë arritur ta themelojnë dhe udhëheqin një klub futbolli. Secili shqiptar që jeton në këto anë është i gëzuar që tani e kemi klubin tonë të futbollit, si për të rritur ashtu edhe për fëmijë. Është një mundësi tepër e mirë për ne që të kontaktojmë me vendasit, të shkëmbejmë mendime të ndryshme, por edhe me bashkëkombësit tanë. Nga Klubi pres që në të ardhmen të zhvillohemi në kualitet edhe më shumë dhe pse jo edhe të synojmë liga me të larta. Por primare është që ne, të cilët jemi më të vjetër të kontribuojmë, që të ketë harmoni dhe rregull brenda ekipit por edhe jashtë tij, ndoshta pse mos të synojmë që ky klub të jetë prodhues i talentëve të mëdhenj edhe për reprezentacion të Kosovës.

Duke e ditur që keni një karrierë të pasur futbollistike, nëse e bëjmë një krahasim me ekipet e mëparshme, a mund të na tregoni, çfarë është klima dhe si ndihesh në këtë klub?

Burim Murturi: Në klubin FC Dardania Linz ndihem për mrekulli, mezi pres ditën e stërvitjeve dhe të ndeshjeve të takojë kolegët e mi. Është një klimë e mrekullueshme, ndoshta edhe mentaliteti jonë dallon nga ai vendasve, prandaj me duket sikur të jemi në një klub kosovar. Kryesia është shqiptare, është kënaqësi e veçantë, të gjithë ndihemi sikur një familje. Të gjithë flasim shqip, dëgjojmë muzikë shqip. Shtatë ditë në javë, secila ditë në vete e mbushur me aktivitete, njëherë stërvitje të moshave me vonë edhe të rriturit. Pastaj nga e premtja deri të dielën ethe dhe emocione duke pritur punën e javës për 5 ndeshje futbolli në javë U-10, U-12, U-15, 1-B dhe 1-A.

Sa jeni i kënaqur me ecurinë e gjertanishme dhe çfarë duhet ndryshuar në vitin që vjen? Cili është mendimi yt për funksionimin e tij më të mirë?

Burim Murturi: Nga përvoja që kamë e di që viti i parë çdoherë është i vështirë. Në fillim njerëzit hezitojnë shumë, presin çka po ndodhë, besa edhe sponsorët nuk janë të sigurt në investimet e tyre. Në këto raste ka çdoherë dashakeq, që përhapin dezinformata e gënjeshtra, prandaj është e vështirë. Unë personalisht jam shumë i lumtur me ecurinë dhe suksesin e klubit deri me sot. Kemi arrit rezultate edhe më të mira se sa që i ka deklarua klubi. Shumë gjëra janë bërë mirë, por ka vend për përmirësime çdoherë. Çdo shqiptarë që ka mundësi dhe e ka në zemër shqiptarinë, duhet ta ndihmojë klubin. Ata janë të mirëseardhur në çdo aspekt, me sa kamë dëgjuar unë klubit i duhet një buxhet bukur i mirë për të mbijetuar një vit. Mos hezitoni, ejani ndihmoni klubin, është i hapur për të gjithë. Është e ardhmja e rinisë shqiptare në Austri të Epërme. Klubit i duhen Sponsor, por i duhen edhe njerëz me përvojë në futboll, kryesia është e hapur për këta njerëz.

Pas përfundimit të sezonit në mesin e artë të tabelës së klasifikimit, cili mendon ti se duhet të jetë pretendimi i FC Dardanisë për vitin tjetër?

Burim Murturi: Qëllimi ishte këtë vit të stabilizohemi, sepse ishte viti i parë që merrnim pjesë në një garë sportive dhe ai është arrit. Jam i bindur se vitin që vjen do të kemi qëllime tjera, pse jo edhe të ngjitemi një ligë më lartë. Besoj që kryesia do ti ketë parasysh edhe përforcimet adekuate, kemi një grup shumë të mirë, besoj që mund të ja dalim. Sa herë që kemi pas mbështetje të shikuesve kemi treguar lojëra me kualitative, nuk di pse! I ftojë shikuesit  mos të hezitojnë, por të vijnë, të na mbështesin, sepse kur ka shikues vërtet po angazhohemi më shumë dhe po i aritmi rezultatet e dëshiruara.

Të lutem edhe një mesazh para se ta mbyllim këtë intervistë?

Burim Murturi: Mesazhi im i parë është një falënderim, që i shkon Kryesisë së FC Dardanisë, e cila e ka bërë të pamundurën me kushtet minimale që klubi të funksionojë. I falënderojë stafin e trajnerëve që nga fillimi i klubit e gjerë ma tani për punën e palodhshme, i falënderojë edhe shpresat/çunat e vegjël të Fc Dardanisë, ata janë  e ardhmja e Fc Dardanisë. Mesazhi im për shqiptarët e Austrisë së Epërme, e që nuk janë pak por 25.000 të japin nga 1€ në vit për klubin, klubi do të funksionojë gjatë. Të gjithë së bashku mund ta ngritim klubin në nivele më të larta. http://vereine.fussballoesterreich.at/FcDardania/News/

 

Faleminderit Burim për intervistën

 

Burim Murturi: Kënaqësia ishte e imja!