.
×

Flet Avni Mazreku: Burgu është për burra



Ish drejtori i Kolegjit ‘ISPE’ Avni Mazreku është dënuar me tri vjet burgim për veprën legalizim i përmbajtjes së rreme.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Mazreku në vitin 2014 në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishte vënë në lajthim organin kompetetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore.

Për Ballkani.info Avni Mazreku ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore për mbajtjen e tre vjet burg është bërë nga ndërmarrjet kriminale të cilat sipas tij prapa tyre qëndrojnë shuma marramendëse financiare.

“Ato dëshirojnë që me çdo kusht ta dëshmojnë të kundërtën e së vërtetës, dhe unë si Avni nga pozicioni i viktimës kushtimisht jam shndërruar në kriminel”, ka shtuar Mazreku.

Ai potencoi se pavarësisht këtij vendimi arbitrar e kriminal, ai ende beson në sistemin e drejtësisë.

“Burgu është për burra. Por ky është mesazhi që u jepet të gjithë atyre qytetarëve të vendit tonë që dëshirojnë të shohin një sistem funksional të drejtësisë”, shtoi Mazreku.

Avni Mazreku më nuk është pronar i Kolegjit ISPE. Aktakuza lidhet me procesin e akreditimit të kolegjit, përkatësisht pagesat të cilat duhej kryer në Agjencinë Kombëtare të Akreditimit.

Sipas aktakuzës, Mazreku akuzohet se e kishte vënë në lajthim Agjencinë e Akreditimit kur u kishte paraqitur dëshminë se ai kishte kryer pagesën prej 19,300 Euro.

Pagesa sipas Prokurorisë nuk ishte bërë, ndërsa me këtë dëshmi-pagese aplikacioni i Kolegjit ISPE është futur në shqyrtim në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cila është mbajtur më datën 1 korrik të vitit 2014.