.
×

Flamur Gashi: «Evropa duhet të llogarisë në ne shqiptarët si pjesë e saj!»



Intervistoi: Dashnim HEBIBI

«Është me interes të veçantë edhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit, nëse sot kryeqyteti i Maqedonisë është afërsisht 300 km larg nga Tirana, shumë shpejt do të shkurtohet për rreth 100 km, e kjo rrugë do t’u shërbejë qytetareve të të dyja vendeve. Infrastruktura rrugore e Shqipërisë është konceptuar në zhvillimet globale dhe rajonale, kurse po planifikojmë që brenda 4-5 vjetëve të bëhemi pjesë e rëndësishme e rrjetit rrugor të Evropës», na thotë, ndër të tjera, z. Gashi.

 

10631425_10204869302273728_866440096_o

Përshëndetje z. ambasador Gashi! Të falënderojmë për kohën që keni ndarë për këtë intervistë, duke e ditur se jeni shumë i ngarkuar. A mund të na thoni se kur është hapur Ambasada e Shqipërisë në Sarajevë?

Ambasada e R së Shqipërisë në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë është hapur zyrtarisht më 2 qershor 2010. Atë ditë në Sarajevë është mbajtur edhe takimi ministerial i ministrave të jashtëm të BE-së, në të cilin është vendosur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nga Bashkimi Evropian. Hapja e ambasadës ka qenë një lajm i gëzuar për qytetarët dhe gjithë dashamirët e raporteve të mira ndëretnike, ndërshtetërore dhe ndërqytetare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në hapjen solemne të ambasadës kanë marr pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Ilir Meta, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i BeH, z. Sven Alkalaj, si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Skender Hyseni, si dhe shumë autoritete vendore dhe bashkëkombës tanë që jetojnë në BeH.

Foto: «Dnevni Avaz», marrë nga z.Gashi.

Nuk po ndalemi në punën tuaj shumë të frytshme që e keni pasur deri më sot, sepse e kemi parë herë pas here nëpërmjet medieve tona. Por, po flitet se kjo ambasadë do të mbyllet. Na tregoni më hollësisht për këtë, ju lutem, nëse ka mundësi? 

Po, fatkeqësisht ambasada jone në Sarajevë do t’i mbyllë dyert më 30 shtator 2014. Kjo është si pasojë e shumë gjërave: Qeveria e Shqipërisë thekson se ambasada në BeH, si dhe tri ambasada të tjera po mbyllen në kuadër të reformës dhe ristrukturimit të politikës së jashtme të Shqipërisë, që kryesisht ka të bëjë me krizën ekonomike në rajon, në përgjithësi. Mendoj se kjo ndoshta është edhe si një “masë reciprociteti” për shkak të një neglizhence të institucioneve të BeH që për këtë kohë nuk morën asnjë hap konkret për hapjen e ambasadës së tyre në Tiranë. Unë kam vlerësuar në qëndrim edhe në raportet që kamë dërguar në Qeverinë e Shqipërisë se është një ngutje nga qeveria jonë, do të dëshiroja që t’u japim edhe një rast institucioneve të reja të BeH që do të krijohen pas zgjedhjeve të tetorit këtu, që të kishin mundësi të ndërmerrnin hapa konkretë për hapjen e ambasadës së tyre në Tiranë, sepse është e domosdoshme që Shqipëria të ketë ambasadë në Sarajevë, dhe Bosnjë-Hercegovina të ketë ambasadë në Tiranë.

Megjithatë, keni pasur raporte të mira me institucionet vendore, si dhe nënshkrimin e më shumë se 20 marrëveshjeve bilaterale?

Kjo është e vërtetë, janë firmosur mbi 20 marrëveshje te ndryshme dhe disa të tjera janë në proces e sipër, drejt përfundimit. Ne kemi pasur edhe organizimin e disa vizitave të nivelit të lartë përfaqësues politik të të dyja vendeve, vizita me karakter politik, diplomatik e ekonomiko-kulturor ndërmjet përfaqësuesve të të dyja vendeve, aktivitetet kulturo-artistike, shumëfishimin e numrit të turistëve, si dhe bashkëpunimin ekonomik, jo në nivelin e duhur, por që është në rritje. Statistikat tregojnë se në vitin 2009 Shqipërinë e kanë vizituar rreth 7 800 turistë nga BeH, kurse deri në këto momente të vitit 2014, statistikat e institucioneve të Bosnjë-Hercegovinës thonë se rreth 50 000 qytetarë të saj i kanë kaluar pushimet në Shqipëri, gjithashtu më shumë se 30 000 mijë qytetarë të Shqipërisë e kanë vizituar BeH. Një prej pengesave kryesore në bashkëpunimin ekonomik përmendet infrastruktura rrugore, posaçërisht në disa segmente. Rrugët që janë të pakalueshme për transportin e mallrave dhe 20 km nga Foça në Shçepan Pole me kalimin kufitar për në Mal të Zi, i detyrojnë transportuesit të bëjnë 160-170 km më shumë.

Gjatë një edicioni të lajmeve në Bosnjë e Herecegovinë

Gjatë vitit 2012 keni organizuar shumë aktivitete të ndryshme kulturore. e konkretisht dini sa ishin? 

Në vitin 2012 janë organizuar rreth 30 aktivitete të ndryshme kulturore, artiske, shfaqje teatrore, koncerte të mëdha, deri koncertin e hapur të orkestrës të RTVSH në qendër të Sarajevës, kemi pasur me dhjetëra e dhjetëra aktivitete, promovime librash, ekspozita etj. Mbi 70 veta, drejtues institucionesh, ministri i Kulturës, i Turizmit dhe ai i Ekonomisë, 25 gazetarë të medieve të ndryshme nga e gjithë BeH, 25 operatorë turistikë dhe 25 nga agrobiznesi e kanë vizituar dy here Shqipërinë në mënyrë të organizuar nga ambasada jonë në muajin prill 2011 dhe në muajin maj 2013. Gjithashtu është bërë edhe vizita kthyese nga Shqipëria në maj 2012 nga operatorë turistikë dhe të agrobiznesit dhe kjo ka ndikuar që ky zhvillim ta ketë një hov cilësor, sidomos në fushën e turizmit. Unë pres që kjo të vazhdojë, pa marrë parasysh që ambasada do të mbyllet.

1073826_10201585387337907_870011608_o

Gjithashtu i keni bërë të gjitha përgatitjet që zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës ta vizitojë Shqipërinë, por ajo nuk ndodhi?

Fatkeqësitë natyrore e anuluan vizitën e zyrtarëve të lartë të Bosnjë- Hercegovinës, vizitë në të cilën ishte parashikuar që të nënshkruhet një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe domethënëse. Dy herë është përgatitur vizita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, z.Zllatko Llagumxhija, në Republikën e Shqipërisë, por për shkak të gjendjes të jashtëzakonshme që ndodhi me përmbytjet në BeH u desh të anulohej në momentet e fundit. Do të firmosej marrëveshja për kalimin e lirë në pikat e kalimit kufitar ndërmjet dy shteteve tona me karta të identitetit, do të ishte rast i parë edhe për RSH edhe për BeH, kur qytetarët e këtyre dy shteteve do të kalonin me kartë identiteti në një shtet tjetër, i cili nuk është drejtpërdrejt fqinj i kufizuar me kufijtë tokësorë, e ky do të ishte një mesazh jo vetëm për qytetarët e dy shteteve tona, por do të ishte një mesazh i qartë për gjithë rajonin, sepse ne duhet të qarkullojmë të lirë te njëri-tjetri, do të ishte edhe një mesazh i qartë edhe për pengesat që po bëhen akoma ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës për shkak të reciprocitetit në mosnjohjen e dokumenteve nga shteti i BeH dhe pengesave në lëvizjen e lirë të mallrave dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Vlen për ta theksuar se në BeH kanë ardhur në vizitë zyrtare gjatë kësaj kohe ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm z. Ilir Meta, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm z. Edmond Haxhinasto, si dhe pothuajse shumica e ministrave të Qeverisë së Shqipërisë; gjithashtu ne Tiranë kanë qenë kryeministri i Federatës së BeH z. Mustafa Mujezinoviq, respektivisht z. Nermin Nikshiq, kryetari i Parlamentit të Republika Sërpska, z. Igor Radojçiq, si dhe shumë ministra të qeverisë qendrore dhe të etniteteve të BeH.

10718261_10204869302393731_500276081_o

Ambasada e Shqipërisë e ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm si ndërmjetësues në përafrimin e qëndrimeve ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës? 

Do të thosha që ju është mirë të pyetni në institucionet relevante të BeH se çfarë e ka ndaluar atë proces… Ne jemi munduar të bëjmë ndërmjetësin, dhe të ndikojmë sa më shumë që ky proces të relaksohet. Në të gjitha takimet e niveleve nga Presidenca, Këshilli i Ministrave në BeH, Ministria e Jashtme etj. kam kërkuar vetëm një gjë të bëjë Bosnjë-Hercegovina, atë që bëri Serbia në raport me lëvizjen e lire dhe me njohjen e dokumentacioneve të lëshuara nga institucionet e Kosovës. Duke i ditur kushtet dhe rrethanat në BeH, asnjëherë nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi këmbëngulur që BeH ta njohë pavarësinë e Kosovës, por së paku t’i njoh dokumentacionet, targat e automjeteve, lejet e qarkullimit, patentëshoferët dhe dokumentet e tjera të lëshuara në Republikën e Kosovës. Mund të them që Republika e Kosovës ka treguar vullnetin e mirë, edhe pse Bosnje Hercegovina menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës i ka vendosur vizat për qytetarët e Kosovës. Është procedurë e stërmundimshme për t’i marrë vizat, e edhe sot janë ato procedura. BeH është i vetmi vend në botë ku duhej që Këshilli i Ministrave të vendosë për një vizë, por tani kjo fatmirësisht ka kaluar në institucionet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por përsëri është pengesë. Institucionet e RKS, edhe me ndërhyrjen tonë si ambasadë në mirëkuptim ndaj nesh, nuk kanë vendosur masa reciprociteti deri më 15 janar të vitit 2014, duke pritur që të ketë një hap pozitiv nga institucionet e BeH.

1077213_10201585368577438_840539820_o

Nga 15 janari 2014, edhe Qeveria e Kosovës ka marrë vendim reciprociteti, pra qytetarët e BeH duhet të marrin vizë për të shkuar në Kosovë. Para disa ditësh është mundësuar që vizat të merren edhe në Zagreb, pasi ato deri më tani janë dhënë vetëm në Tiranë. Këto janë pengesa të mëdha, të cilat shkojnë në dëm të zhvillimit të raporteve të mira në gjithë rajonin. Këtë më së shumti e pësojnë familjet shqiptare dhe ato boshnjake. Ballkani duhet të çlirohet brenda vetes nga hipotekat, hap konkret është ky: njohja e ndërsjellë e dokumentacionit dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës në Kosovës dhe anasjelltas, shkëmbimi i lirë i mallrave dhe ideve, ka familje të përziera, ka rreth 10 000 qytetarë të Kosovës që janë me origjinë boshnjake, në BeH ka mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë, për të mos thëne sa shumë qytetarë të Bosnjë Hercegovinë janë me origjinë nga trojet shqiptare. Pra, ne duhet të punojmë në atë drejtim që t’i ofrojmë njerëzit, e jo t’i ndajmë, skajshmërisht tepër kemi qenë të ndarë. Kjo duhet të jetë pika e ardhshme e veprimit sa më të shpejtë të institucioneve të BeH.

976663_10201585376857645_350796638_o

Rrugët që janë ndërtuar dhe infrastruktura e Shqipërisë janë ndër më të mirat në rajon. Rruga e Kombit, Rruga e Arbrit dhe rrugë të tjera, a i shërbejnë ato vetëm Shqipërisë?

Rruga e Kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë, të gjitha këto shkojnë në funksion, përveç të zgjidhjes së problemit të qarkullimit dhe transportit të mallrave dhe njerëzve brenda territorit të Shqipërisë, por edhe për lidhjet me shtetet fqinje dhe rajonin, në përgjithësi. Rruga e Kombit është përtej përmasave të lidhjes së Shqipërisë me Kosovën. Autostrada që lidh Tiranën me Prishtinën, një pjesë e saj po shkon drejt Merdares në pikën e vendkalimit kufitar me Serbinë, ndërsa një në drejtim të Shkupit. Pa dyshim se është me interes të veçantë edhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit, nëse sot kryeqyteti i Maqedonisë është afërsisht 300 km larg nga Tirana, shumë shpejt do të shkurtohet për rreth 100 km, e kjo rrugë do t’u shërbejë qytetarëve të të dyja vendeve. Infrastruktura rrugore e Shqipërisë është konceptuar në zhvillimet globale dhe rajonale, kurse po planifikojmë që brenda 4-5 vjetëve të bëhemi pjesë e rëndësishme e rrjetit rrugor të Evropës, pasi kemi porte detare të rëndësishme – portin e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, e do të vihet në funksion edhe porti i Sarandës, por ndërkohë janë projekte madhore të qeverive shqiptare në vazhdimësi për ndërtimin e porteve të jahteve, për zgjerimin e kapaciteteve të porteve ekzistuese, kapacitete të cilat do ta ulin koston, por do ta rritin qarkullimin dhe besoj se shumë më afër do ta ketë një biznesmen nga Nishi portin e Durrësit se sa portin e Selanikut që do të jetë 200 e më shumë km më larg. Ne do të përpiqemi edhe në këtë mënyrë t’i përafrojmë njerëzit në rajonin tonë.

3-jpg20140913144242

Çfarë janë raportet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë?

Janë raporte miqësore, të ndërtuara në baza të shëndosha, të cilat njohin rritje pozitive çdo ditë e më shumë. Ne e mirëpresim çdo zgjedhje që bën populli i Turqisë, në këtë rast përshëndetim zgjedhjen e presidentit të ri, një mik i deklaruar i popullit shqiptar. Shpresojmë dhe besojmë në bashkëpunimin korrekt në respekt të traditës që kemi që nga ndërtimi i Turqisë së re të Kemal Ataturkut, por edhe në histori, duke e respektuar pavarësinë, integritetin, dinjitetin dhe personalitetet e shteteve respektove. Unë besoj shumë se marrëdhëniet bilaterale dhe multilatelare në të gjitha sferat ndërmjet dy shteteve tona do të kenë vetëm ngritje cilësore. Shqiptarët dinë t’i respektojnë miqtë, por kam bindje që edhe turqit dinë t’i respektojnë dhe vlerësojnë miqtë.

Në rajon ka shumë paragjykime: boshnjakët kanë paragjykime ndaj serbëve dhe anasjelltas, shqiptarët ndaj boshnjakëve dhe anasjelltas etj. Si t’i tejkalojmë këto paragjykime? 

Këto paragjykime ndodhin nga mosnjohja e mirë ndërmjet vete, nuk e njohim mirë kulturën e njëri-tjetrit, traditat dhe çdo gjë tjetër, edhe pse jetojmë kaq afër. Fatkeqësisht, për një periudhë të gjatë kohore kemi qenë të prirë t’i njohim të këqijat e jo të mirat e njëri-tjetrit dhe ne jemi në atë fazë kur duhet të bëjmë sa më shumë që të njihemi dhe duke u njohur do t’i thyejmë këto paragjykime. Duke shkuar sa më shumë qytetarë të BeH për ta vizituar RSH, do ta njohin shumë më mirë kulturën, mentalitetin, traditën e shqiptarëve dhe nuk do të flasin më me paragjykime. Gjithashtu, duke ardhur sa më shumë qytetarë nga Shqipëria në Bosnjë-Hercegovinë, duke parë e duke u njohur me qytetarët e BeH do t’i thyejmë ato paragjykime.

 

Rugovë-Pejë, pranverë 1990, ( Pajtimi i gjaqeve, Flamur Gashi gjithnjë në ballë të pajtimeve të gjaqeve)

Ashtu do të ndodhë edhe me Serbinë, e Maqedoninë dhe shtetet e tjera të rajonit, e duke i thyer këto paragjykime ne e kemi një perspektivë të qartë, e ajo është integrimi i rajonit në strukturat euroatlantike, pra i gjithë rajoni t’u bashkëngjitet Shqipërisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, të jenë anëtare të plota dhe të barabarta të NATO-s, aty duhet të jenë Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Kosova e Maqedonia. Vetëm anëtarësimi i këtyre shteteve në NATO mbjell shpresën e paqes dhe sigurisë në rajon dhe mbjell siguri për investitorët ndërkombëtarë që dëshirojnë të investojnë në rajon, e dyta ne të gjithë duhet ta kemi një pikësynim dhe ajo është të gravitojmë drejt BE-së. Anëtarësimin në BE, fatmirësisht, e kanë arritur Sllovenia dhe Kroacia në rajon, ndërkaq Shqipëria është në rrugë të mbarë.

10637878_10204869301913719_137069842_n

Si e komentoni që disa të rinj nga trevat shqiptare janë pjesëmarrës në luftëra të ndryshme nëpër botë?

Mund të them me bindjen e plotë që pjesëmarrja e të rinjve të rajonit në ato luftëra nuk është aspak e nevojshme, ngase ne nuk kemi nevojë ta përkrahim ekstremizmin e asnjë lloji. Është e paarsyeshme dhe e palogjikshme që djemtë tanë nga i gjithë rajoni të marrin pjesë në luftëra, të cilave nuk ua dimë mirë as arsyen e as qëllimin, luftëra që po ndodhin në Siri, në Irak etj., siç është e panevojshme pjesëmarrja në luftën e Ukrainës. Kemi informacion që qytetarë nga Serbia dhe i gjithë rajoni marrin pjesë në luftimet në Ukrainë. Pra, ne duhet të krijojmë kushte optimale që këta djem dhe këto vajza të qëndrojnë këtu. E jona është të bashkëpunojmë ngushtë me institucionet fetare dhe ato të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën. Të gjitha konfeksionet në rajon të mos nxisin asnjë lloj tendence, ekstremizmi brenda institucioneve fetare, toleranca dhe mirëkuptimi fetar duhet të jenë motivi kryesor për qytetarët tonë. Fatmirësisht, institucionet fetare të besimit Islam, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe gjithë rajonin janë distancuar prej veprimeve ekstremiste të këtyre qytetarëve që shkojnë për të marrë pjesë në luftërat e tyre, siç po i quajnë të shenjta. Duhet të distancohemi të gjithë nga pjesëmarrja e tyre, qoftë në Ukrainë, Siri, Afganistan, e kudo tjetër. Nuk ka askush të drejtë ta vrasë dikë në emër të Zotit, duke i fshehur pas kësaj shprehjeje qëllimet më të errëta antinjerëzore dhe anti-Zot e anti-fe.

Si e shihni të ardhmen e rajonit në Ballkan?

Mund të thotë kush çfarë të dojë, por edhe Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia, të gjithë jemi në Evropë derisa jetojmë në kontinentin e Evropës, derisa kemi dhënë kaq shumë si popuj për Evropën, deri sa mundohemi të japim edhe sot kaq shumë me mirëkuptim fetar, kulturor, etnik, duke mos i harruar edhe tragjeditë dhe luftërat që kanë ndodhur këtu. Evropa duhet të llogarisë në ne si pjesë e saj, por edhe ne duhet të sillemi si Evropë dhe ne duhet të punojmë që të jemi evropianë të dinjitetshëm.

10721115_10204869302193726_1494231068_n

Ku do ta shohim Flamur Gashin në një të ardhme të shpejtë?

Deri më tani e kam përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në Bosnjë-Hercegovinë, tani e tutje do t’i përfaqësoj moralisht të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës në Shqipëri. Besoj se do të vazhdoj ta jap kontributin tim brenda institucioneve të shtetit shqiptar, kryesisht i fokusuar në fushën e diplomacisë, me interesim të veçantë për rajonin. (dialogplus.ch)