.
×

“Flaka e Janarit 2019” i kushtohet 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit



Gjilan, 16 janar 2019 – Manifestimi shumëkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili këtë vit mbahet për herë të 28-të, Gjilanit dhe organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Lutfi Hazirit, i kushtohet 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit.Për dallim prej viteve paraprake, më 11 janar është ndezur Flakadani tek sheshi “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”. Manifestimi zyrtarisht do të hapet të enjten (17 janar) me Akademinë e Flakës kushtuar 20-vjetorit të çlirimit (16:00), për të pasuar në ora 17:00 me hapjen e ekspozitës së arteve figurative, të cilat kohëve të fundit po cilësohen si arte pamore.Më 19 janar do të mbahet tryeza historike kushtuar vepres së kolosit Mulla Idriz Gjilani, ku pritet të flasin historianët më në zë, për të vazhduar me një Akademi përkujtimore më rastin e 13-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit, dr. Ibahim Rugova më 21 janar, ku pos kryetarit Hazirit, pritet të flasin dhe prof. dr. Enver Bytyqi ( nga Shqipëria ) si dhe njëri nga përcjellësit e tij besnikë dhe shef i protokollit për një kohë të gjatë, Adnan Merovci. Pjesa artistike e Akademive do të pasurohet me program muzikor mjaft atraktiv nga musafirët e vendit nikoqir Kori i Qytetit të Gjilanit, Kori prestigjioz “SIPARANTUM” duke sjellë program të veçantë për këtë Edicion. Pas një koncerti të muzikës serioze , në mbrëmjen e 21 janarit, ku do të performojnë artistë të kësaj fushe nga Shqipëria, pason “Talia e Flakës”, ku auditorit gjilanas e më gjerë do t’i paraqiten pesë shfaqje teatrore nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.Si rëndom, edhe këtë vit, fëmijët gjilanas do t’i bashkangjiten këtij Manifestimi me “Xixat e Flakës” (28 janar), për të kulmuar me dy veprimtaritë qendrore të artit letrar dhe atij muzikor, “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka”. Përndryshe, Komuna e Gjilanit edhe më tutje pret ndihmë financiare nga institucionet qendrore të Kosovës, pasi ky manifestim i cili nderon heronjtë, dëshmorët dhe martirët përmes vlerave kulturore, vitin e kaluar është mbështetur krejtësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.