.
×

Fillon vendosja e kabinave të reja në stacionet e autobusëve në Mitrovicë



Në dy stacione të autobusëve, në qendër të qytetit të Mitrovicës,  janë vendosur kabina pritëse të mbuluara, si një mundësi më e mirë për qytetarët, për tu mbrojtur nga të reshurat dhe të ftohtit. Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti tha se këto kabina që janë vendosur do të jenë shumë më funksionale se ato paraprake.

“Po i vendosim këto dy kabina pritëse në dy stacionet kryesore të autobusëve në qytet, që do të jenë shumë më funksionale për udhëtarët gjatë  pritjes së autobusëve. Kabinat e reja do të jenë me qelq të mbuluara në tërësi, ndërkaq do të kenë edhe hapësirën për qasje në to të personave me nevoja të veçanta”, theksoj Baruti.  Ai vlerësoj se me vendosjen e tyre, qytetarët e Mitrovicës do të kenë një mundësi më të mirë për pritje të autobusëve dhe beson se ata do të jenë të kënaqur me  realizimin e këtij projekti.

Drejtori Baruti, njofton se kabinat ekzistuese do të zhvendosen në lokacione të tjera ku ka nevojë për to. Sipas tij realizimi i këtij projekti kap shumën prej mbi 9 mijë euro, që janë mjete nga granti qeveritar.