.
×

FIFA i jep shans Kosovës



FIFA ka vendosur ta zgjerojë formatin e Kampionatit Botëror në 48 ekipe, nga 32 sa ishte deri tash. Ky ndryshim do t’ia japë një shans real Kosovës, por edhe Shqipërisë, për t’u kualifikuar në Botërorin 2026, kur edhe do të fillojë së aplikuari ky ndryshim. Përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se kjo është një mundësi ideale për shtetet e vogla që ta shijojnë ndjenjën e pjesëmarrjes në Botëror

FIFA e ka marrë një vendim të rëndësishëm të martën. Propozimi mjaft kontrovers për ta rritur numrin e ekipeve pjesëmarrëse në Kampionat Botëror është votuar nga shumica e anëtarëve të shtëpisë së futbollit botëror.

Me këtë rast FIFA në mënyrë unanime ka votuar për rritjen nga 32 në 48 skuadra për Botërorin e viti 2026. Formati i ri, i cili përfshin 16 grupe me nga tri skuadra, u votua unanimisht dje nga anëtarët e Këshillit të FIFA-s, shkruan sot gazeta Zëri.

Nga 37 anëtarët e Këshillit ishte kërkuar që të votohej njëri nga pesë opsionet e ofruara, dy opsione përfshinin formatin me nga 48 ekipe, dy opsione formatin me nga 40 skuadra dhe opsioni i fundit ishte formati i tanishëm me 32 skuadra.

Propozimi i presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantinos, i fitoi votat nga shumica e anëtarëve, duke përfshirë presidentin e Federatës Nigeriane të Futbollit, Arnaju Pinnick, i cili të hënën kishte thënë se shumica e vendeve afrikane janë mjaft të lumtura me këtë ide. Kundër kësaj ideje më të zëshmet ishin Gjermania dhe Anglia.

Vendimin në fjalë e ka mirëpritur edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, sipas së cilit, nga “Botërori 2026” ekipet e vogla, duke përfshirë edhe atë që e drejton vetë trajneri, do të kenë mundësi më të mira për t’u kualifikuar në evenimentin më të rëndësishëm botëror të futbollit.

“Është një vendim i pritur dhe shumë i qëlluar. U pa edhe në Evropian që ishte ide e mirë me shumë lojë interesante”, ka thënë fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

“Po, natyrisht që është një mundësi ideale për të gjitha kombëtaret e vogla, edhe pse nuk do të thosha që Shqipëria bën pjesë në këtë kategori, por ne si Kombëtare e re, po natyrisht”, vazhdoi ai.

Deri në vitin 2026 ndoshta Bunjaki nuk do të jetë në krye të Përfaqësueses, por ai siguron se ky ekip ka të ardhme të ndritshme dhe e sheh me gjasa për t’u kualifikuar në botërorët e ardhshëm.

“Kjo është një gjë e mirë për të ardhmen dhe gjasat për kualifikim janë shumë më të mëdha, pavarësisht se kush e udhëheq Përfaqësuesen në atë kohë. Ajo që unë jam i sigurt është se në atë Kombëtare do të ketë edhe lojtarë që janë tani me ne”, përfundoi Bunjaki.

48 ekipe do të ndahen në 16 grupe nga tri ekipe dhe dy të parat do të përparojnë në fazën tjetër, atë të eliminimit, me 32 skuadra, respektivisht e 16-ta e finales.

Shqipëria ia pa hairin së fundmi shtimit të ekipeve në Kampionat Evropian në 24 ekipe, duke e siguruar kualifikimin historik në Evropianin e Francës.

Deri më tash Botërori është luajtur me 32 ekipe dhe shtimi i 16 skuadrave të reja u jep shpresa të mëdha për kualifikim ekipeve më të vogla si Shqipëria dhe Kosova. /Zëri/