[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

FFK-ja ndalon ndeshjen e “Zvezdes” me Graçanicën



Federata e Futbollit të Kosovës ia ka ndaluar ndeshjen e paralajmëruar dhe tradicionale të klubit serb “Crvena Zvezda” në Graçanicë, ka raportuar sot “Radio Graçanica”. Ndeshja mes klubeve të Graçanicës dhe “Zvezdes” është dashur të luhej të mërkurën, më 9 maj, ndërsa, siç raportojnë mediat në Serbi, paratë e mbledhura nga kjo ndeshje do të shkonin për repartin e pediatrisë në klinikën gjinekologjike në veri të Kosovës.

 

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se “ky është një turp i madh i Prishtinës dhe i atyre që nuk lejojnë të luhet një ndeshje humanitare për repartin e lindjeve”.

 

“Ata nuk lejojnë të luhet ndeshja miqësore, jo e përfaqësueses, por e ‘Crvena Zvezedes’ e cila për vite të tëra ndihmon repartet e lindjeve në Kosmet. Të gjithë në Serbi kemi rënë dakord ta dënojmë këtë, kjo s’mund të kalojë pa reagim nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Gjuriq për televizionin publik të Serbisë.

 

Kryetari i përgjithshëm i FFK-së, Fadil Vokri, mendon se kjo ndeshje do të ndikonte në përkeqësimin e raporteve mes komunitetit serb dhe popujve tjerë, sikurse edhe do të përkeqësonte sigurinë edhe të vetë lojtarëve e akterëve tjerë, raporton mediumi serb “mondo”.

 

Kryetari i Komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, ka deklaruar për RTV Graçanicën se nuk e kupton këtë veprim të FFK-së.

 

“Askush s’e ka pritur një përgjigje të këtillë nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga vetë Fadil Vokrri, për faktin se edhe ai vet është sportist, rrjedhimisht futbollist. Një ndeshje humanitare e cila do të ndihmonte klinikën e lindjes në Graçanicë u refuzua, kërkesa jonë u refuzua, ndërsa arsyeja e refuzimit nuk është justifikuar dhe s’kemi marrë asnjë dëshmi që do të faktonin se arsyet e refuzimit janë raciste apo politike që nuk janë në pajtim me ngjarjet sportive”, tha ai, transmeton Koha.net.

 

Sipas fjalëve të tij, Komuna ka kërkuar fakte për arsyen e refuzimit, por nuk ka pranuar asgjë.

Menu Title