.
×

Festohet 17 Shkurti edhe në Baden të Austrisë



Besim Xhelili Vjenë, Austri – Tashmë një kohë bukur të gjatë SHKA “17 Shkurti”, nga qyteti Baden i Austrisë, nën udhëheqjen e Tahir Turkajt, është një bartëse e denjë e shumë aktiviteteve kulturore në këtë qytet dhe jo vetëm. Ajo bashkëpunon me gati të gjitha shoqatat e tjera si motra në Austri dhe jashtë saj si dhe mban gjallë traditën dhe kulturën shqiptare në Austri. Është për t’u lakmuar gëzimi i fëmijëve kur i sheh në skenë me plot vullnet, dëshirë dhe buzëqeshje të lozin valle, ndonëse disa kanë lindur këtu në Austri, por me mish e me shpirt tregojnë aftësitë e tyre artistike pikësëpari, pastaj ato atdhetare që ua kanë mbjellë familjet e tyre në zemër së dyti. Si tradicionalisht për festat kombëtare, SHKA “17 Shkurti”, të shtunën, më 15 shkurt 2019 në sallën e qytetit Baden, organizoi një koncert për nder të festës së 17 Shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës. Në program kishin zënë vend këngët e vallet burimore shqiptare, recitalet nga nxënësit e mësimit shqip në Austri, të udhëhequr nga mësuesi Ibrahim Hasanaj, kurse për në fund për atmosferë të lirë vallëzimi e hareje u përkujdesën këngëtarët Vjollca Selimi dhe Kudret Rrustemi, kurse për muzikën u kujdesën Rejhan Kurtani dhe DJ Xheni. Moderimin e programit me zellshmëri e bëri Kaltrina Durmishi, e cila i falënderoi të pranishmit në emër të nikoqirit, pastaj ftoi të dëgjohen himnet e Austrisë dhe Kosovës. Nga paria e qytetit Baden e pranishme kësaj radhe ishte znj. Dr. Helga Krismer, e cila u paraqit me një fjalë përshëndetëse. Mysafirë nderi ishin edhe znj. Carmen-Jeitler Cincelli, deputete e parlamentit austriak dhe z. Mag. Lukas Mandl, deputet në parlamentin europian dhe kryetar i Shoqërisë së Miqësisë Austriako-kosovare, të cilët gjithashtu me nga një fjalë rasti iu drejtuan të pranishmëve. Nga ambasada e Kosovës në Austri kishin ardhë znj. Dhurata Selimi dhe znj. Zana Rugova, sekretare e parë e ambasadës, kjo e dyta mori fjalën dhe në emër të ambasadorit z. Sami Ukelli dhe të stafit të ambasadës shprehu falënderime për ftesën dhe tha se ndjehet shumë mirë kur sheh që larg vendlindjes po ruhet me dashamirësi gjuha, kultura, tradita dhe eposi i kombit. Ajo falënderoi shtetin e Austrisë që gjithmonë ka qenë në krah të popullit tonë, në ditët e vështira, por dhe tani në paqe, për ta afruar atë drejt familjes së madhe të popujve të lirë të Europës. Në këtë pasdite festive nuk munguan as ushqimet e shumta tradicionale shqiptare, kurse një falënderim të madh shkon për të gjithë sponsorët që vazhdimisht përkrahin dhe mbështesin aktivitetet e SHKA “17 Shkurti”.