.
×

Ferhat Ymeraga: Një biografi e familjes së njohur ndritur Rizvanolli nga Gjakova            



 

“Jeta mund të kuptohet vetëm duke vështruar prapa, por ajo duhet të jetohet  duke shikuar përpara.”

— Soren Kierkegaard (1813-1855)

 

Familja Rizvanolli është një familje e madhe dhe e shquar gjakovare, me degëzime të shumta në Kosovë, Shqipëri, SHBA, dhe, gjithandej, në diasporë. Në të vertetë, më saktë, mund të bëhet fjalë për familjet Rizvanolli dhe fisin e tyre të madh. Por tipari thelbësor që i karakterizon dhe i bashkon ato në një, është tradita arsimdashëse dhe të arriturat e tyre të larta në një spektër të gjërë të fushave të dijës: në arsim, shkencë, art, kulturë, jurisprudencë, mjekësi, pozita udhëheqëse bankare e ministrore, inxhinjeri, sport, filantropi, etj.

Do të duhej një monografi e tërë për t’i përfshirë të gjitha. Por, qëllimi i këtij shkrimi është për të hedhur dritë në një nga familjet më përfaqësuese të të arriturave në fjalë—familjes Rizvanolli që krijuan Ismet Rizvanolli (1892-1945) dhe Naxhije Pula Rizvanolli (1900- 1974).

Ismeti u lind në Gjakovë, 14 vjet pas themelimit të “Lidhjes së Prizrenit”(1878). U shkollua në Medresën e Shkupit, ku i kreu shtatë klasë. Nga viti 1912 deri ne v.1918 (në moshën 20 deri në 26-vjeçare) punoi mësues në katundin Ponoshec të Gjakovës. Më pas, vazhdoi punën si nëpunës në Komunën e Gjakovës.

Në këtë familje u lindën gjashtë fëmijë: Resmija, Avdullahu, Faiku, Fuati, Esati dhe Agimi. Motra e vetme dhe të pesë vëllezërit u edukuan me dashurinë dhe kujdesin prindor shembullor. Ati i tyre ua rrënjosi zjarrin e dashurisë për dije, arsim e dritë si një nga mënyrat më efikase për vetrealizim e përparim. Ndërsa, nana Naxhie i edukoi ata me shembullin e vet të sakrificës, të bujarisë e fisnikërisë shqiptare e njerëzore.

Resmija (e martuar Domi) u nda e re nga jeta (1923—1950) duke lënë tre fëmijë: Shqipe, Ruzhdi dhe Shkëlzen Domi.

Avdullahu (1926—1999) ishte ekonomist i diplomuar. Studioi në Suboticë dhe Prishtinë. Punoi si drejtor i Bankës Ekonomike në Gjakovë, më pas, drejtor i Filialës së Bankkosit në Franfurt të Gjermanisë, si dhe zëvendës drejtor i përgjithshëm i Bankkosit në Prishtinë. Në një vizitë zyrtare në SHBA, pas inaugurimit të Presidentit Carter, u takua me z. Bardyl Tirana, ish-zyrtar i lartë për çështje Civile në qeverinë e Presidentit amerikan Jimmy Carter (1977—1981).

Faiku (1929—2006) ishte magjistër i shkencave të Biologjisë. Diplomoi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Sarajevë (1958) kurse magjistroi në Universitetin e Zagrebit në v. 1976. Ligjëroi lëndën e biologjisë në Fakultetin Filozofik—Dega e Biologjise në Prishtinë (1967-1991). Gjatë studimeve në Sarajevë, u miqësua me Prof. Arshi Pipën, miqësi e cila vazhdoi edhe në SHBA, kur vinte në vizita te i biri Florenti në Karolinën Veriore.

Fuati (1932—2017) ishte doktor i Matematikës. Doktoroi në Fakultetin e Skencave Natyrore të Universitetit të Beogradit në v. 1982. Punoi si profesor i Matematikës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Nga v. 1991 deri ne v.1994 ishte dekan i Fakultetit Ekonomik.

Esati (1936—2006) ishte dhe mbetet një kompozitor i shquar i botës shqiptare. Diplomoi në Fakultetin e Arteve – Dega e Muzikës në Universitetin e Beogradit. Magjistroi në Moskë (ish-Bashkimi Sovjetik). Ligjëroi si profesor inordinar në Fakultetin e Arteve – Dega e Muzikës në Prishtinë.

Veprimtaria e kompozitorit Rizvanolli përfshin vepra solistike-kamertale, korale, vokale-instrumentale dhe muzike simfonike. Ndër më të dalluarat janë: “Suita Dasmore” (1960); “Kuarteti Harkor” (1963) – vepër që mori shpërblimin (atëherë) krahinor të Kosovës, të quajtur “Shpërblimi I Dhjetorit” në v. 1967;  “ Koncert Për Violinë e Orkestër të Madhe Simfonike” (1967), i cili u ekzekutua në v. 1986 në “Tribunën e Muzikës Serioze” në Opati të Kroacisë”; “Musica Sinfonica” u luajt në v. 1978 në “Tribunën e Muzikës Serioze” në Opati.

Ka fituar dhe çmimin Kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani.” Eshtë subjekt i studimit në librin “Esat Rizvanolli Kompozitor” të autorit Shefqet H. Hoxha, botuar në Prishtinë në janar  të vitit 2011. Në shkrimin e tij “Lament për kompozitorin Esat Rizvanolli,” Prof. Akil Koci e vlerëson Esatin si njërin prej kompozitorëve më të spikatur të muzikës shqiptare në tërësi.

Agimi (1941)–si të gjithë femijët e tjerë– u lind në Gjakovë, ku i kreu tre vjet të shkollës së mesme, ndërkaq, vitin e katërt të gjimnazit e mbaroi në Prishtinë. Studioi dhe diplomoi në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Beogradit. Punoi si inxhinier në Kombinatin Ndërtimor Industrial “Ramiz Sadiku(drejtor teknik) dhe në KEK (Kombinati Energjetik i Kosovës) si udhëheqës teknik deri ne v. 2006, kur u pensionua.

Duket si një mrekulli që të pesë vëllezërit arritën aq shumë, por nuk e patën lehtë. Në v. 1945, u nda nga jeta babai i tyre, në moshën 53 vjeçare, dhe, pesë vjet më pas, humbën motrën e tyre të vetme, Resmije, në moshën e re 27-vjeçare. Në të dy rastet, ata përjetuan goditje të rëndë, por gjetën ngushëllim në njëri-tjetrin në vatrën e ngrohtë familjare. Dhimbjen dhe pikëllimin e tyre e shndërruan në punë. Me vetdisiplinë, zell e përkushtim, ata u përqëndruan në punën e tyre parësore, që ishte mësimi e studimi. Dhe, dalngadalë, i kryen me sukses të gjitha nivelet e shkollimit deri te arsimimi i lartë universitar.

Kudo që punuan, dëshmuan përkushtim, aftësi profesionale dhe përgjegjësi. Ata gjithnjë synonin të mirën e përgjithshme, suksesin e studentëve e të bashkëpunëtorëve si dhe mbarëvatjen e institucioneve ku punonin. Kështu, të gjithë vëllezërit Rizvanolli, krijuan emër të mirë e miq të shumtë.  Botëkuptimi i tyre humanist, dija dhe përvoja e tyre e pasur, si dhe kuptimi intim i halleve njerëzore, i bënë ata të dashur e të respektuar.

Por jeta e tyre nuk ishte vetëm punë e punë pas pune. Fatmirësisht, ata kishin dashuri të thellë për muzikën dhe talent të spikatur muzikor. Jo rrallë, mblidheshin në ndeja e ahangje familjare, duke kënduar e bërë muzikë: Faiku i binte kitarës e këndonte bukur (madje, dhe si kantautor, me incizime të veta në Radio Prishtinë). Fuati i binte mandolinës dhe këndonte, kurse Esati violinës dhe, gjithashtu, këndonte. Ata kishin një repertor të pasur këngësh të bukura shqipe nga të gjitha trojet shqiptare. Sidomos, i këndonin me afsh ato gjakovare, shkodrane, korçare, të Shqipërisë së mesme dhe të asaj jugore, me thesarin e mahnitshëm polifonik.

Në muzikë ata gjenin freskimin emocional, ripërtëritjen shpirtnore e mendore dhe lidhjen me burimet më të pasura e jetike të traditës shqiptare muzikore e artistike, që ishte shprehje dhe reflektim i mënyrës së jetesës, mendësisë e identitetit shqiptar! Përmes traditës ata e krijonin modernitetin, duke iu përgjegjur kërkesave të kohës.

Të pesë vëllezërit Rizvanolli, idividualisht, e të gjithë sëbashku, i kontibuan ekonomisë, arsimit, shkencës, kulturës e ndërtimit të Kosovës. Ata e dhanë ndihmesën e tyre në krijimin e kuadrove të reja në Kosovë në fushat e tyre përkatëse të dijës.

Po si i arriti familja Rizvanolli të gjitha këto? Këtë pozitë të ngritur të një familjeje të ndritur? A ekziston ndonjë virtyt i veçantë që e karakterizon atë?

Ata e arritën këtë me shembullin e tyre personal: “me mësimin e durueshëm të virtytit më të lartë—maturisë së urtë,” (1) të cilin virtyt Eskili (525—456 p.e.r.) i rekomandon njerëzimit. Familja Rizvanolli e mishëroi maturinë e urtë—e kishte atë si dritë udhërrëfyese në jetë e në praktikë.

Bijtë e familjes Rizvanolli, zjarrin e dashurisë për dije, arsim e dritë ua kaluan breznive të reja, me shpresë se do t’a bartin atë zjarr në vazhdimësi. Një trashëgimi që duhet ruajtur e celebruar si pjesë jetike të identitetit tonë europian, për sot, mot, dhe përgjithnjë!

 

 

  • Cituar sipas autorit Milivoj Sironiq (nga pasthënia në kroatisht e librit: Eshil. Okovani Prometej. (Eskili. Prometheu I Mbërthyer).

Grech. Zagreb 1994. f.77. (Përkthimi i citimit nga kroatishtja: F.Y.)