.
×

Fati i Azem Sylës në duart e …



 

Kur kanë kaluar më shumë se një vit qëkur është mbajtur seanca fillestare Azem Syla dhe të akuzuarit e tjerë të rastit të njohur si “Toka”, së bashku me avokatët e tyre u paraqitën sot në Gjykatë, megjithatë kjo nuk ishte e mjaftueshme që të mbahej gjykimi.

Kjo pasi që trupi gjykues nuk ishte i plotë, pasi përveç dy gjyqtarëve të EULEX-it që ishin të pranishëm, mungoi anëtarja vendore e kjo arsye rrezikon të bëhet shkaku që ky rast të zvarritet edhe më tej pasi që seanca u shty në kohë të paktën deri javën tjetër.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla në prill të viti 2016 ishte kthyer nga Shqipëria dhe ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, pasi që kjo e fundit në një aksion të gjerë i kishte bastisur shtëpinë.

Dy muaj më pas, mes muajve qershor dhe korrik të vitit 2016, si pjesë e hetimit të këtij rasti ishin mbajtur 20 seanca të mundësisë se veçantë hetuese ku ishin dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur të thirrur nga prokuroria.

Seancat e mundësisë së veçantë hetuese janë seanca që mbahen gjatë fazës së hetimeve, para ngritjes se aktakuzës, ku sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës parashihet që dëshmitarët mund të dëgjohen nga një panel prej 3 gjykatësish , prokurori, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Këtë mundësi Kodi i Procedurës Penale të Kosovës e parasheh në rastet kur ka rrezik që dhënia e dëshmisë së këtyre dëshmitarëve të jetë dukshëm e vështirësuar apo e pamundur në fazat e mëvonshme të procedurës.

Pikërisht kjo mundësi ishte shfrytëzuar dhe dy dëshmitarë të mbrojtur kishin dhënë dëshminë e tyre dhe deri në këtë fazë gjithë procesi megjithëse dukej se po shkonte ngadalë, ishte në rregull.

Mirëpo, kjo rregullsi e procesit duket se tanimë më është vënë në pikëpyetje.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës parasheh që të paktën njëri nga gjykatësit që merr pjesë në panelin e mundësisë së veçantë hetuese, të jetë në përbërje të trupit gjykues që do të gjykoj çështjen në shqyrtim kryesor nëse rasti mbërrin deri në atë fazë.

Gjykatësja e vetme vendore që kishte marrë pjesë në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, Nora Bllaca, në ndërkohë ishte avancuar duke kaluar në Gjykatën e Apelit ndërsa dy gjyqtarët e EULEX-it po ashtu tanimë nuk janë pjesë e këtij rasti dhe janë zëvendësuar me dy të rijnë.

Kërkesë që Shkaktoi Pështjellimin

Për të përmbushur kriterin e kërkuar nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës që një gjykatës që ka qenë pjesë e panelit të mundësisë së veçantë hetuese të jetë edhe në përbërjen e trupit gjykues në shqyrtim kryesor, kryetari i tanishëm i trupit gjykues, Arcadius Sedek i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit duke kërkuar që gjykatësja Bllaca të jetë pjesë e trupi gjykues.

Kjo kërkesë fillimisht ishte pranuar nga zëvendës kryetari i Gjykatës së Apelit, Hashim Çollaku por kjo kishte ndodhur në kohën sa kishte qenë në pushim kryetari i Gjykatës, Hasan Shala i cili me tu kthyer kishte marrë një vendim tjetër nga vartësi i tij.

Në një intervistë për KALLXO.com, Shala tha se ka ndryshuar kërkesën e zëvendësit të tij, pasi që kërkesa e EULEX-it ishte adresuar gabimisht.

“Vetëm Këshilli Gjyqësor i Kosovës është kompetent për të deleguar një gjyqtare nga Gjykata e Apelit në gjykatë më të ulët. Kërkesa e EULEX-it ishte adresuar gabimisht dhe për këtë arsye ne i kemi udhëzuar ata që kërkesën ta dërgojnë në KGjK”, tha Shala për KALLXO.com.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Sedek gjersa arsyetoi shtyrjen e seancës tha se kishte kërkuar një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe se ende nuk kishte pranuar përgjigje.

Sedek, gjithashtu njoftoi se nga përgjigja e KGjK-së do të varet edhe procedimi i rastit pasi që në rast se KGjK- miraton kërkesën e EULEX-it, seancat mund të mbahen javën tjetër, ndërsa nëse përgjigja është negative, atëherë duhet të ri-dëgjohen dëshmitarët e mbrojtur.

KALLXO.com, ka provuar që lidhur me këtë çështje të kontaktoj edhe me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi lidhur me atë se kur mund të pritet një vendim i KGjK-së lidhur me këtë rast por e ka pasur të pamundur të vë kontakt.

Lidhur me këtë çështje që rrezikon të shtyjë rastin Syla, KALLXO.com kontaktoi edhe me ish-avokatin e Sylës në kohën kur ishin zhvilluar seancat e mundësisë së veçantë hetuese, Tomë Gashi.

Gashi tha se Kodi i Procedurës Penale është i qartë në këtë drejtim dhe parasheh që në rastet kur është zhvilluar mundësia e veçantë hetuese, duhet që njëri nga anëtarët e atij paneli të jetë pjesë e trupit gjykues në shqyrtim gjyqësor, ndërsa gjithashtu tha se nuk është e palejuar që një gjykatëse e Apelit, të jetë pjesë e një trupi gjykues në Themelore.

“Kjo nuk është një praktikë e ndaluar pasi që sipas parimit që nëse ka të drejtë për më shumë lejohet edhe më pak, një gjykatëse e Apelit mund të jetë edhe në një çështje të Themelores. Unë vetë si avokat kam përfaqësuar në raste kur ka ndodhur një praktikë e tillë në të kaluarën”, tha Gashi.

Syla aktualisht është në paraburgim dhe disa herë mbrojtësi i tij aktual, Besnik Berisha ka ngritur çështjen se shkeljes së të drejtave të njeriut, klientit të tij për kohëzgjatjen e paraburgimit.

Seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 15 dhjetor 2016 ku Syla dhe të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa që nga ajo kohë ende nuk është arritur të kalohet në shqyrtim gjyqësor kryesor.

Syla pjesën më të madhe të kësaj periudhe e ka kaluar në masën e paraburgimit.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.