.
×

Faruk Tasholli: Sabri Fejzullahu, Zëri Vullkanik i këngëve të dashurisë



 

(Pak fjalë për artistin e madh në jubileun e tij 50-vjeçar në skenën artistike shqiptare)

 

Ka gjysmë shekulli që në veshin e shqiptarit tingëllon fuqishëm një zë melodik, sa i ashpër dhe sa i butë, sa lutës e sa krekosës,sa i hareshëm e sa i përvajshëm; varësisht nga shqiptimi i temës në vargjet lirike, të cilat rrodhën nga shpirti poetik shqiptar i shtrirë në dy shekuj.Prapa këtij zëri të dashur, që ngazëllen shqiptarët brenda e jashtë atdheut, qëndron një artist i kultivuar, një artist i lojës skenike dhe një artist i interpretimit të këngës, që përkulet para madhështisë së artit dhe vetë dhuron art, i madhi Sabri Fejzullahu. Kënga e tij, e shfaqur triumfalisht këtu e gjysmë shekulli më parë, është jo vetëm një histori shpirtërore e kulturore e një kombi të ndarë politikisht e territorialisht, por edhe një njyjë e bashkimit etnik.Kjo këngë lidhi breza e lidhi zemra të shpërndara, nëpër botë duke shfrytëzuar poezinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetët e gjysmë shekullit të fundit, duke shfaqur një rilindje të këngës brenda kombit konform zhvillimit të këngës europiane.Tërësia e këngëve të tij,të kënduara nëpër kohë, madje edhe në momentet kur nuk mund të këndohej, përnga volumi, sikur përbën në Iliadë bashkëkohore, me gjithë ngrohtësinë e Mesdheut, që fryn e zbut ashpërsinë e maleve shqiptare, në zemër ta Ballkanit të tronditur nëpër kohë.

Artisti këngëtar Sabri Fejzullahu është një histori në vete, ku si te shumë personalitete artistike, pasqyrohen edhe anë të historisë kombëtare. Të kthehemi pesëdhjetë vite pas: jeta institucionale në Kosovë po ndërtohej me veshtirësi, kur ende po funksiononin kurset kundër analfabetizmit dhe bukuria e gruas, mençuria e saj, fuqia krijuese artistike, zëri për ta bërë këngën, po mbyllej brenda mureve. Jeta muzikore, ende nuk po dilte nga odat dhe dasmat e zbehta, ku pos daulles dhe instrumenteve me tela, po këndoheshin këngë historike nga periudha e Perandorisë Osmane dhe ngjarje me temë shoqërore. Për koncerte as që flitej dendur, pasi ato ishin pjesë përbërësë e popujve të zhvilluar, e rrallë, në qytetet e Kosovës që po fillonin të ringriteshin në një frymë të re, mbërrinte ndonjëri sish. Një radiostacion shtetëror, Radio Prishtina, mezi tubonte pak këngëtarë për të bërë emisione muzikore, për ta shpërndarë këngën shqipe gjithandej. Në këtë zymtësi kulturore, bulon zëri vullkanik i Sabri Fejzullahut, duke u zgjeruar e shpërndarë nëpër kohë me këngë të reja, me këndim të nivelit të lartë artistik që njëkohësisht emanciponte shijen e publikut për muzikën moderne, me temën e dashurisë, që në këtë vend ishte „e ndaluar“ të trajtohej publikisht me gjithë dimensionet e saj, falë një mentaliteti primitiv. Kënga e dashurisë që Sabri Fejzullahu e këndoi për gjysmë shekulli, lidhi kohë e lidhi breza, lidhi vise e lidhi njerëz, zbehu anakroninë e këngës tradicionale dhe kultivoi artin elit. Me artin elistist të interpretimit të këngës, Sabri Fejzullahu nxiti edhe shumë artistë të rinj që të dashurohen në këtë zeje, që ta pasurojnë këngën shqipe, e cila preku kulmet e suksesit.

Në këto pak fjalë për këtë artist, do të vëja në spikamë edhe nderin që unë pata në këngën e Sabri Fejzullahut, ku zëri i tij, shpirti i tij artistik, krahas vargjeve të Asdrenit e të Migjenit i këndoi me një fuqi bubulluese edhe vargjet e mia, të cilat tash e njëzet vjet i shpërndau dhe i nguliti në botën shqiptare. Ai me afro njëmijë këngë e mbylli gjysmë shekullinë skenë dhe ende si vullkan e mban të ndezur flakën e dashurisë në shandanin e këngës, gjithmonë:bukur dhe shqip.