.
×

Faruk Tasholli: “Me zotin e veshur në të bardha”



 (Reportazh për punën e mjekut shqiptar Arjan Mullahi që transplaton kockat e të vdekurve te pacientët e gjallë që rrezikojnë të mbesin në karrocë të paralizuar)

Në shtypin gjerman të rrethinës ku jetoj, në Aachen të Rajnës Veriore, rastësisht has një emër të një mjeku shqiptar, i cili bën mrekulli duke transplatuar kockat e të vdekurve tek të gjallët. Është ky shefi i klinikës kirurgjike në spitalin Shën Josef në Linnich, Arjan Mullahi, i specialiazuar në kirurgji, traumatologji dhe ortopedi.

Ai ka nëntëmbëdhjetë vite që punon në Gjermani, ndërsa në pesë vitet e fundit, aplikon metodën e transplatimit të eshtrave të të vdekurve në personat e gjallë, duke eliminuar në shumë raste vënien e protezave dhe implantateve gjigante ose te quajtura proteza tumorose, të cilat jo gjithherë janë aq të përshtatshme, ose lëvizjet e pacientit nuk i kthejnë përpiktë në gjendjen normale. Për t’u njohur nga afër me punën e këtij dijetari mjekësor, i cili po bën mrekulli me pacientët e pashpresë, i shkruaj pasi gjej të dhënat e tij në adresarin e spitalit. Të nesërmen në telefonin tim kumbon zëri i mjekut pedant Arjan Mullahi, i cili pa përtesë, miraton kërkesën time për t’u takuar dhe për të parë në vendin e punës se çfarë bën ai.

Eja, më thotë doktori, se ke qëlluar të më kontaktosh kur kam ditë pushimi! Plus kësaj, sapo kam bërë transplantin e kockës e një kosovareje, e cila me këmbët e veta në levizje do të dalë nga spitali për të shkuar në shtëpi!

Nuk pres shumë. Fushës së gjerë të Vestfalisë, nxitoj me veturë drejt qytezës Linnich ku është klinika dhe pak pa rënë muzgu, ndodhem në recepsion. Nuk vonon shumë dhe sipas marrëveshjes, mbërrin edhe mjeku modest, energjik, i dashur dhe shumë komunikativ Arjan Mullahi. E fillojmë bisedën rreth historisë profesionale të tij, që nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë dhe puna si mjek në spitalin e Krujës dhe ne Qendren Spitalore Universitare Tiranë Nënë Tereza (QSUT) , ku vazhdon edhe specializimet në Gjermani në fushën e kirurgjisë dhe ortopedisë, duke bërë përvojë në shumë klinika gjermane. Më në fund ai zë vend në spitalin e vogël të qytezës, po ashtu të vogël, në Linnich, ku si shef i repartit të kirurgjisë, me punën e tij, më dijen e tij dhe aplikimin e transplantimit të kockave, reflekton namin e tij jo vetëm në rrethin ku punon, por tutje edhe në hapësirat shqiptare prej nga vjen.

Në kabinetin e tij të punës, në dy monitorë përmasash të mëdha, më tregon se si bëhet transplanti, procedurat e punës dhe gjithë ecuritë përcjellëse që e karakterizojnë një procedurë të tillë, kur masa kockore e të vdekurve mbillet tek kockat e të gjallëve, zakonisht të goditur nga trauma ose defektet e mëdha kockore rreth protezave dhe implantateve ose nga tumoret dhe njerëzve iu kthehet lëvizja në gjendje normale si të mos kishte ndodhur asgjë.

Deri tash, zgavrat ku eshtrat janë ngrënë nga proteza ose tumori, zakonisht janë mbushur me cement, por me kohë kanë ndryshuar gjërat. Doktor Mullahi ato gërryerje që i ka bërë tumori, i mbush me inde kockore të të vdekurve, ku pjesa e transplatuar revitalizohet plotësisht. Kështu ndodhi edhe këto ditë, kur pasë shumë transplatimeve të suksesshme tek pacientët, rastisi që këtë fat ta ketë edhe kosovarja e re, që me dijen dhe punën e doktor Mullahit një javë pas operacionit, e shëruar ta lëshonte spitalin. Prandaj doktori na shpjegon i entuziazmuar rastin më të freskët.

Për këtë rast, nis rrëfimin doktor Mullahi, bëhet fjalë për një vajzë 22-vejçare nga një qytezë e Kosovës, e cila duke ndenjur ne dritare papritmas i është thyer këmba në gju. Pasi bëri ekzaminimin në Kosovë, u vu re që ishte një thyerje në bazën e një tumori në pjesën e fundit të kofshës në afërsi të gjurit, direkt mbi gju. Pas ekzaminimit, ku është vendosur diagnoza, është dyshuar për një tumor kompleks që quhet chondromyxoid fibrom.

Ky tumor që ka përfshirë kockën në një gjatësi gati 13 centimetra dhe gjithë gjerësinë e kockës e ka grirë, e ka ngrënë. Kështu që këto kocka dhe ekstremitete janë shumë të rrezikuara për thyerje spontane. Trajtimi i këtyre rasteve është trajtim shume i vështirë, sepse nuk ka material kockor brenda dhe është e vështirë se si të gjej një procedurë për të shpëtuar kockën, për të shpëtuar kyçin ose për të shpëtuar këmbën.

Ky tumor zakonisht përfshin moshat e reja, diku nga 11 deri në 50 vjeç dhe zbulohet në mënyrë të rastësishme, ose kur ata pësojnë frakturë spontane patologjike. Trajtimi i tyre në moshat e reja ka si qëllim ruajtjen e kyçit të gjymtyrëve, për të ruajtur ekstremitetin dhe janë tumore relativisht të rralla, kështu që ka edhe shumë pak përvojë per trajtimin e tyre. Duke pasur këso rastesh pak në përgjithësi, ka edhe përvojë të vogël të trajtimit kirurgjikal të këtyre tumoreve. Unë i kam afruar këtë teknike speciale operatore për të ruajtur artikulacionin, për të ruajtur kyçin dhe gjymtyrën njëkohësisht, për të mos e vendosur një protezë.

Ka qenë ideja ime thelbesore për ta ruajtur gjymtyrën dhe artikulacionin kështu që është bërë një procedurë speciale duke hequr gjithë tumorin. Ky defekt, që krijohet pas heqjes së tumorit është mbushur me kockë transplantive, të marrë nga kofsha e njerëzve që nuk jetojnë më dhe është mbushur me kockë dhe rreth e rreth, mbulesa gjithashtu është mveshur me një kockë të këtyre njërëzve që nuk jetojnë më dhe është vendosur një pllakë në këtë efekt dhe mbi të është bërë stabilizimi me disa vida. Operacioni ka zgjatur mbi 5 ore dhe është është kryer me sukses, pa kurrëfarë komplikacioni dhe pacientja ecën me paterica. Ajo është 22-vjeçare, është në gjendje të mirë fizike, ecën më ndihmën e patericave, lëvizë dhe këmbën dhe është në gjendje shume-shumë të mirë dhe të kënaqshme.

Tani kemi marrë edhe përgjigjen nga biopsia, kemi marrë edhe përgjigjen e analizave laboratorike të cilat kanë nxjerrë rezultatin se origjina e këtij tumori nuk është se është një kancer, por ka ardhur nga një funksion i shtuar i gjendjes paratiroide.

Për gjëndrrat në qafë kemi gjëndrrat tiroide dhe disa kokrra të vogla që quhen gjëndrra paratiroide që formojnë një hormon i cili është përgjegjës për nivelin e kalciumit në gjak, në trup dhe në kocka. Kjo gjëndërr prodhon shumë hormon kështu që kalciumi largohet nga kocka dhe në raste të rralla sjell këtë komplikacion dhe shkakton këtë deformim, ose këtë ngordhje të kockës deri në këto thyerje. Në këtë rast që është shumë, shumë i rrallë dhe jo vetëm që është shumë i rrallë por edhe komplikacioni është akoma më i rrallë, prognoza të pacienti konkret është shumë e mirë. Sepse, në këtë rast, ne kemi trajtuar komplikacionet e kësaj sëmundjeje dhe kjo sëmundje mund të mjekohet me medikamente dhe nga ana kirurgjikale duke hequr këtë adenomën që është në gjëndrrën paratiroide dhe pacienti është shëruar në përgjithësi përgjithmonë. Në këtë procedurë që ne i kemi bërë transplatimin nga kockat e të vdekurve në kockat dhe në trupin e të gjallit, do të revitalizohet dhe rimodelohet kjo këmbë do të jetë edhe nga ana e gjurit sikurse të mos kishte ndodhur asgjë.

Do të thotë që pacienti në të ardhmen nuk do të ketë asnjë lloj çalimi, kur edhe nga një thyerje e zakonshme, jo rrallë është vështirë të rikthehet gjendja e mëparshme te kockat?!. Kjo paciente nuk do të mbetet me ndonjë defekt të vogël në lëvizje!, i shprehim habinë tonë dr. Mullahit. Jo, jo, asesi!, na e kthen ai. Ajo sot kur kaluar një javë pas operacionit dhe nuk ka as më të voglin komplikacion. Sot, tetë ditë pas operacionit është funksioni i gjurit më mirë se sa para operacionit. Sepse është bërë jo vetëm mbushja dhe stabilizimi i kockës, por dhe korigjimi i aksit te gjurit dhe kofshës të deformuar nga fraktura, si shihet nga grafia si ka qenë dhe si është tash, që do të thotë, shtrihet këmba më mirë se ç’ka qënë para operacionit. Është pa asnjë dallim në të dy këmbët.

Mjeku shqiptar, në këtë spital të vogël, përpos vendësve, ka shëruar edhe pacientët shqiptarë. Por një nga rastet më ekstreme ka qenë kur ka bërë transplantin në kofshën e një zonje nga Kuçova, që derisa ajo rrezikonte të mbetej në karrocë, pas operacionit, edhe pse në moshë të shtyer, iu kthye jetës normale. Shtypi gjerman, mjekun shqiptar Arjan Mullahi e ka cilësuar si „zoti i veshur me të bardha“. As ne nuk mund ta quajmë ndryshe. Ai është pjesë e mërgatës së madhe shqiptare, jo vetëm në Gjermani, që dijet e fituara në Tiranë, i ka thelluar në Europë, ku kohët e fundit qindra intelektualë shqiptarë të rinj janë ngritur nëpër universitetet prestigjioze. Ky është ai truri elit i kombit që po t’i kthehej veprimit në trojet shqiptare si do të ishte mbarë, do të ishim në lagjen e popujve më fatlumë të botës.