.
×

Exskomunikimi politik si vlerë e re demokratike e koalicionit “V-LAN” për ta larguar keqqeverisjen e Hashim Thaçit..?!



Shkruan: Rexhep ELEZAJ

Shkrimit tim të para disa ditëve kushtuar ngërçit politik në Kosovë i bindur në faktet e gjalla se kryeministri në largim z. Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor i këtij ngërçi, ia dhashë këtë titull:  “Thirrje publike drejtuar Hashim Thaçit: dorëzojeni pushtetin më dëshirë, sepse pasnesër do jetë shumë vonë..!?”, por të cilën thirrje si duket nuk deshi ta dëgjonte fare..!

Prandaj, sot disa ditë pas dështimit të zgjedhjes së kandidatit të PDK-së z. Arsim Bajramit për kryetar të Parlamentit (18 shtator), shtyrjes së seancës së radhës e paraparë që të mbahej dje më 2 tetor, por edhe për shkak të rrjedhave politike të cilat shkonin në disfavor të PDK-së dhe kryetarit të saj, etj, duket se partia e cila kishte fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 8 qershorit, është ajo që ka humbur më së shumti në terrenin politik pas zgjedhor, pikërisht për shkak të zvarritjes së dorëzimit të pushtetit grupit më të madh parlamentar, ose siç quhet koalicionit VLAN..!?

Madje, vetë fakti se brenda gati katër muajve asnjë udhëheqës i PDK-së nuk dha ndonjë “arsyetim” publik, sado të ketë qenë i vogël, se për çfarë arsyeje asnjë parti parlamentare shqiptare nuk dëshironte të bënte koalicion më PDK-në dhe H. Thaçin, flet qartë se kësaj partie i ka munguar lidershipi i guximshëm për t’u ballafaquar më të vërtetën politike, qoftë brenda saj, qoftë në raport më këto katër subjekte politike, të cilat më këmbëngulje dhe në vazhdimësi kanë refuzuar të bëjnë çfarëdo lloj koalicioni dhe bashkëpunimi më PDK-në, gjë që dëshmon qartë se z. Hashim Thaçi dhe partia e tij po e humbiste më të madhe terrenin mbi të cilin e kishte ndërtuar taktikën dhe strategjinë e gabuar për shtyrjen dhe mos dorëzimin e pushtetit shumicës parlamentare, meqë ishin të bindur se më zvarritjen e këtij procesi do të dobësohej ky koalicion, ose në ndërkohë blloku LAN dhe më vonë VLAN do të përçahej, sikundër që në këtë vazhdë ishte edhe tentimi i blerjes së deputetëve dhe ajo loja më “Listën Srpska” e cila ia doli që ta shtynte vazhdimin e seancës së dytë, gjithnjë më shpresën se në ndërkohë PDK-ja do të arrinte t’i bënte numrat e nevojshëm për ta zgjedhur kryetarin e parlamentit nga radhët e saj..!?

Mirëpo, pasi që të gjitha këto lojëra dhe manipulime politike të H. Thaçit dhe PDK-së dështuan keq, madje edhe më turp dhe moral të thyer politik, thirrja e dëgjuar sot nga vetë H. Thaçi, se për ta zgjidhur ngërçin politik duhet të ketë komunikim midis liderëve partiak, gjë të cilën po e kërkon më shumë vonesë, mbase duke e akuzuar tash Bllokun për exskomunikimin ndaj PDK-së, dhe sipas tij, pa marrëveshje midis palëve “në konflikt” nuk mund të kapërcehet bllokada politike në vend, etj, pa dyshim nënkupton se PDK-së dhe udhëheqësve të saj nuk iu ka mbetur opsion tjetër, përveç se pranimi i fakteve në terren, se nuk e kanë shumicën parlamentare dhe që domosdo nënkupton dorëzimin e pushtetit dhe shkuarjen në opozitë, qoftë edhe pa një “pjesë të tortës” të cilën dje e kërkoj z. Xhavit Haliti në një emision televiziv..!?

Ndërsa, vetë lideri i PDK-së duke e parë më në fund se nuk mund ta udhëheq më vendin, me gjithë ndihmën që ia ofroi Gjykata kushtetuese (lexo: Enver Hasani) më vendimin e saj ekskluziv në favor të PDK-së, pas gati katër muajve bllokade institucionale që i bëri shtetit të Kosovës, themi se do të kishte qenë shumë më mençuri po sikur H. Thaçi ta pranonte më kohë humbjen e pushtetit, duke marrë më vete një grimcë nderë dhe fytyrë dhe jo duke hyrë në historinë e shtet ndërtimit të Kosovës, si njëri ndër udhëheqësit politik i cili më sjelljet dhe veprimet e tij antikushtetuese e ka dëmtuar më së shumti procesin e ndërtimit të sotmes si dhe të ardhmes së Kosovës, rrjedhimisht të ardhmes evropiane të shqiptarëve në familjen e popujve dhe vendeve demokratike, aty ku e kanë vendin meritor dhe të natyrshëm..!?