.
×

EULEX-i dorëzon tek vendorët një rast për krime lufte



Prokurori i EULEX-it, Charles Harley, nga sot e ka dorëzuar te vendorët rastin e të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, Skënder Bislimi. Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në këtë rast.

 

Prokurori Harley, pas përfundimit të kësaj seance, ka thënë se meqenëse seancat e radhës do të vazhdojnë në muajin qershor, ai nuk do të mund ta përfaqësojë më tutje këtë lëndë, për shkak të përfundimit të misionit të EULEX-it, në Kosovë.

 

Ai ka falënderuar trupin gjykues për korrektësinë dhe profesionalizmin që sipas tij, ka treguar për gjatë shqyrtimeve gjyqësore.

 

 

Pas kësaj, pritet që të caktohet prokurori që pritet ta përfaqësojë tash e tutje këtë lëndë.

 

Paraprakisht, në këtë seancë, e ka dhënë dëshminë e saj, dëshmitarja Shukrije Beraj, e cila është bashkëshortja e të akuzuarit Bislimi.

 

Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj asnjëherë nuk ka qenë në luftë e as nuk ka bartur armë ndonjëherë.“Skenderi nuk ka pasur punësim në ndonjë ndërmarrje asnjëherë. Ai nuk ka shërbyer në ushtri sepse kanë sjellë dokumentacion ku ai ka qenë i sëmurë, e që përshkruajnë se pse nuk ka shërbyer. Kurrë në jetën e tij nuk ka mbajtur armë. Nuk e kam parë asnjëherë as me uniformë e as me armë”, ka deklaruar ajo.

 

Beraj deklaroi se ka qenë rreth 15 vjeç kur ishte martuar me të akuzuarin Bislimi dhe se me të ka 13 fëmijë, me të cilët jetojnë në Krushevc të Serbisë që kur kanë ikur nga Kosova, për shkak të fillimit të luftës, e kjo sipas saj, pasi që kanë qenë të frikësuar nga serbët, meqë emrat i kishin shqiptarë, e po ashtu babai i saj ishte shqiptar.

 

 

Sa i përket shtëpisë në Fushë Kosovë, në të cilën jetonte me të akuzuarin dhe me fëmijët, Beraj deklaroi se më herët për t’ia blerë shtëpinë, kishte ardhur fqinji i saj Shabani, gjyshi i Bujar Bajramit që në këtë proces gjyqësor është në cilësinë e viktimës.

 

Në pyetjen e prokurorit Charles Harley, se gjatë kohës sa kanë jetuar në Fushë Kosovë, nëse e kanë njohur familjen Bajrami, dëshmitarja deklaroi se ata i ka pasur fqinj dhe kanë pasur raporte shumë të mira.“Edhe pse ende prona dhe shtëpia janë ende në emrin tuaj, përse nuk jeni kthyer në Kosovë edhe pas përfundimit të luftës?”, ka qenë pyetja tjetër e prokurorit për këtë dëshmitare, e cila ka shtuar se para 10 vjetësh vajza i kishte vdekur nga kanceri dhe kishte tentuar që ta shes shtëpinë e saj në Fushë Kosovë, pasi një person i kishte ofruar 40.000 euro.

 

Prokurori Harley, e pyeti dëshmitaren edhe në lidhje me deklaratën e saj se nëse kishin pasur frikë nga serbët, përse ishin ikur për në Serbi.

 

Dëshmitarja Beraj, deklaroi se kishte dëgjuar se lufta do të fillonte dhe se kishin menduar që më mirë do të ishte të fshiheshin në Serbi te një e afërm e burrit të saj.”Nga shtëpia jemi larguar tre muaj para fillimit të luftës dhe se nuk jemi kthyer më asnjëherë., Shtëpinë ia pata lënë në kujdes fqinjit Mejdi, e pas luftës për të është përkujdesur motra e tij Shema”, tha Beraj.

 

E njëjta deklaroi se kur kishin ikur për strehim në Serbi, nuk kishin dalë për një muaj nga shtëpia.“Burri jem s’ka qenë asnjëherë në luftë, e as nuk ka bërë qysh kanë deklaruar kojshit. E kam Kur’anin, muj me bë be në të”, përfundoi ajo.

 

Në këtë seancë ishin të paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Silvana Bislimi, Ali Bahtijari, Sabit Jashari, Shpresa Gërvalla dhe Naile Bajrami, e të cilët nuk ishin prezent në këtë seancë.

 

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti deklaroi se sa i përket dy dëshmitarëve Silvana Bislimi dhe Ali Bahtijari, meqenëse nuk është siguruar adresa e tyre, gjykata do të revokojë vendimin që të njëjtët të dëgjohen si dëshmitarë.

 

Ndërsa, për dëshmitarin Jashari, ai deklaroi se do të përsëritet urdhëresa për sjelljen me detyrim, dhe njësojë do të veprohet edhe për verifikimin e dëshmitares Naile Bajrami, kurse për Shpresa Gërvallën do të vendoset më vonë.

 

Ndryshe, seanca u ndërpre në mungesë të këtyre dëshmitarëve, dhe meqenëse seanca e ardhshme ishte përcaktuar paraprakisht që të mbahet më 04 qershor 2018, në ora 10.

 

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se Skender Bislimi ka kryer veprën penale “krime kundër popullatës civile” si parashikohet me nenet 22 dhe 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht i penalizuar sipas neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës.

 

Në aktakuzë thuhet se më 26 mars të vitit 1999, në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me të paktën dhjetë autorë tjerë të njohur dhe të panjohur, duke vepruar si pjesëtarë të forcave të armatosura serbe, Bislimi ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 cilëve, meshkuj shqiptarë të Kosovës.

 

Sipas aktakuzës, Bislimi ka aplikuar masat e frikësimit dhe terrorit, dhe ka kryer arrestime ilegale dhe ka marr pengje duke përfshirë këtu edhe viktimat Bujar e Haki Bajrami.

 

Ndryshe, Ivica Radivojeviq, ka qenë duke u hetuar së bashku me Bislimin në vitin 2012.

 

Pasi Radivojeviq është akuzuar e gjykuar, më 24 maj 2015, është dënuar me 6 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë.Kurse, Bislimi më 9 dhjetor të vitit 2016, ishte ekstraduar nga Bosnja e Hercegovina në Kosovë. /BetimiperDrejtesi