.
×

EULEX e pranon që po zhvillohen hetime për korrupsion brenda misionit



 

Misioni i EULEX-it në Kosovë e ka pranuar se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me akuzat për korrupsion brenda në EULEX, të bëra nga Malcolm Simmons, ish-shefi i gjykatësve të këtij misioni, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje, njofton Klan Kosova.

 

Në një komunikatë dërguar mediave, EULEX-i shkruan se ata janë mision që të gjitha pretendimet i trajtojnë me seriozitet.

 

“Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016”, thuhet në komunikatë.

 

“Nga Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por – për fat të keq – ai këtë nuk e ka bërë ende”.

 

Por, në komunikatën e këtij mision, që jo pak ka pasur probleme prejse ka ardhur në Kosovë, akuza thuhet se ka edhe për vet Malcolm Simmons.

 

“Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons, ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”.

 

“Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”.