.
×

Erdogan: Izraeli është shtet terrorist



 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dënoi “tragjedinë humanitare” në Gaza, duke e përshkruar dhunën izraelite kundër protestave palestineze si “gjenocid”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ajo që po bën Izraeli është gjenocid. Izraeli po ushtron terror shtetëror. Izraeli është shtet terrorist”, tha Erdogan, duke folur para studentëve me bursa në Londër.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin palestinez me vendosmëri”, shtoi presidenti turk.

“Ne nuk do të lejojmë që sot të jetë dita kur bota myslimane humb Kudsin”, tha ai.

Presidenti turk shtoi se një tubim i madh do të mbahet në sheshin Yenikapi të Stambollit të premten lidhur me dhunën në Gaza.

Erdogan bëri thirrje që të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësinë fetare, të ngrisin zërin kundër padrejtësisë në Gaza.

Po ashtu, presidenti i Turqisë njoftoi se Turqia ka shpallur tri ditë zie kombëtare në solidaritet me vëllezërit palestinezë.

Ai u shpreh se në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, përgjatë Ramazanit do të organizojnë fushatë ndihme për palestinezët, së bashku me vendet anëtare të kësaj organizate.

Erdogan njoftoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka kryer blerje emergjente me një vlerë prej 100 mijë dollarëve dhe ka nisur t’i dërgojë këto ndihma nëpër spitalet në Gaza.

Ndryshe, palestinezët, të cilët kanë ngritur tenda në kufirin e Gazës me Izraelin, po zhvillojnë protesta gjithëpërfshirëse nën moton “marshimi milionësh” të cilin e zhvillojnë për të protestuar kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe me rastin e 70 vjetorit të Nakbas (Fatkeqësia e madhe), e cila paraqet përvjetorin e themelimit të Izraelit.

Që nga orët e mëngjesit, 55 palestinezë kanë gjetur vdekjen dhe 2.771 të tjerë janë plagosur si pasojë e hapjes zjarr nga ushtarët izraelitë ndaj pjesëmarrësve në protestat në kufirin e Gazës.