.
×

Eksportet e Shqipërisë në Kosovë janë rritur, por të Kosovës në Shqipëri kanë rënë



Kosova është ndër të paktat vende, për të mos thënë i vetmi, me të cilat Shqipëria po vijon me ritme pozitive rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, rezulton se Shqipëria ka eksportuar në Kosovë rreth 3.2 miliardë lekë (mbi 26 milionë euro) mallra më shumë se në 6 mujorin e parë të vitit 2018.Nga 11.1 miliardë lekë (rreth 91 milionë euro) që u eksportuan në Kosovë në janar-qershor 2018, në janar-qershor 2019 Shqipëria eksportoi 14.3 miliardë lekë (rreth 117 milionë euro) mallra, raporton “ScanTv”.

Ndryshe ka ndodhur me importet me Kosovën që kanë njohur rënie. Në janar-qershor 2018, Shqipëria importoi nga Kosova rreth 3.8 miliardë lekë (mbi 31 milionë euro) mallra ndërsa këtë janar-qershor, importet ranë në rreth 3.7 miliard lekë (mbi 30 milionë).

Çfarë eksportoi Shqipëria në Kosovë?Nëse analizojmë në detaje, rezulton se Shqipëria ka eksportuar në Kosovë rreth 400 milionë lekë (3.2 milionë euro) më shumë ushqime, pije e duhan.

Po ashtu ka eksportuar 1.4 miliardë lekë (11.4 milionë euro) më shumë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike si dhe më shumë se 300 milionë lekë produkte kimike dhe plastike.Një rritje të ndjeshme, me 700 milionë lekë (5.7 milionë euro), ka njohur edhe eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve.