.
×

Ekskluzive: Prokurorja Hajdari fshehu skandalin financiar të Alush Gashit



Nga Elhami Ismajli

Prokurorja speciale Drita Hajdari, derisa ishte në pozitën e Koordinatores Nacionale kundër Korrupsionit, në vitin 2011, ka hudhur poshtë kallëzimin penal për vepër penale të korrupsionit ndaj tani ish-ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi me arsyetimin se i dyshuari ka imunitet nga ndjekja penale.

Indeksonline posedon këtë aktvendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal kundër Alush Gashit për shkak të veprës penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas këtij aktvendimi të prokurores Hajdari, të nxjerrë më 19 tetor 2011, Alush Gashi nuk mund të ndiqej penalisht, pasi i dyshuari Gashi gëzon imunitet nga ndjekja penale.

Sipas kallëzimit penal të ushtruar nga Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, del se ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, më datën 14 maj 2009, kishte nxjerrë një Udhëzim Administrativ (me numër 09/2009), për vendosjen e banderolave në produktet medicionale që importohen, prodhohen dhe qarkullojnë në Republikën e Kosovës, me të cilin ka autorizuar Agjencionin Kosovar për Produkte Medicionale që banderolat e vendosura në artikujt e medikamenteve t’u shiten kompanive që ofrojnë barna në treg me çmimin 0.002 cent për copë, i cili çmim ishte më i ulët nga çmimi blerës i banderolave, me çka ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për 379.694.2 euro.

Sipas kallëzimit penal të siguruar nga ineksonline, Udhëzimi Administrativ ishte nxjerrë pa i kaluar procedurat ligjore, duke mos e formuar grupin punues të ekspertëve, po ashtu ky Udhëzim Administrativ nuk kishte kaluar fare përmes Zyrës Ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk ishte protokoluar as si vendim zyrtar në Arkivin e kësaj ministrie.

Të gjitha këto gjetje për shkeljen e ligjit dhe dëmtimin e buxhetit të Republikës së Kosovës, janë hedhur poshtë për ministrin Alush Gashi, pasi prokurorja Drita Hajdari, ka vlerësuar se ai gëzon imunitet nga ndjekja penale për vepra penale të korrupsionit.

Indeksonline ka hulumtuar vendosjen e këtij rasti për të zbardhur të vërtetën, nëse ministrat gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për korrupsion dhe nëse ky vendim është nxjerrë bazuar në ligj.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, në një përgjigje përmes postës elektronike për indeksonline, ka thënë se askush prej zyrtarëve të lartë të shtetit nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale. “Besoj se çështja e imunitetit përveç në Kushtetutën e Kosovës është qartësuar edhe më shumë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku qartë thuhet se asnjë prej këtyre zyrtarëve të lartë shtetërorë nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për keqpërdorim, por gëzon imunitet funksional për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit që i takon”.

Indeksonline ia ka dërguar Kryeprokurorit Hoxha vendimin e skanuar të prokurores Drita Hajdari për ta komentuar nëse hudhja poshtë e kallëzimit penal ndaj ministrit Gashi për shkak të imunitetit të tij ishte bërë në përputhje me ligjin. “Ky vendim është vetëm një akt juridik, i cili nuk mjafton për të dhënë përfundime se si është vepruar në pajtim apo në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Hoxha.

Më tej ai ka shtuar se Këshilli Prokurorial ka mekanizma të mjaftueshëm për të vlerësuar edhe këtë akt juridik dhe se si ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ai ka premtuar se do të shfrytëzoj kompetencat ligjore për të vlerësuar këtë rast, por pasi ta siguroj të gjithë dosjen e këtij rasti.

“Prokurori i Shtetit dhe Këshilli Prokurorial do të veprojnë edhe për këtë rast, sikurse për të gjitha rastet tjera në përputhje me ligjin. Megjithatë, dua të besoj se vendimi i Prokurores është marrë në përputhje me ligjin, duke pasur parasysh se kjo Prokurore ka qenë Koordinatore Nacionale kundër Korrupsionit për tri vite dhe është ndër prokuroret më të specializuara kundër korrupsionit në Kosovë”.

Sidoqoftë, Kryeprokurori Hoxha, ka theksuar se për shkak të imunitetit të ministrave nuk mund të hidhen poshtë kallëzimet penale për vepra penale të korrupsionit sepse për këto vepra ata nuk kanë imunitet. “E përsërisë se askush nuk ka imunitet nga ndjekja penale për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Sidoqoftë, secili rast në Prokurori të Shtetit trajtohet me kujdes dhe vendoset në përputhje me ligj”.

Indeksonline ka kontaktuar prokuroren Drita Hajdari përmes postës elektronike, duke e pyetur rreth këtij vendimi për hedhjen poshtë të kallëzimit penal për korrupsion për shkak të imunitetit të ministrit Alush Gashi. Prokurorja Hajdari nuk është përgjigjur përmes postës elektronike, ndërsa indeksonline e ka kontaktuar atë përmes telefonit, por ajo ka hezituar të përgjigjet, duke sugjeruar që pyetjet të dërgohen në Zyrën për Informim në Prokurorinë Speciale. “Nuk përgjigjem kurgja, nuk do të përgjigjem… i drejtoheni përmes zëdhënëses Liridona Kozmaqi, këto janë rregullat ju lutem”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Indeksonline pyetjet rreth këtij vendimi të prokurores Hajdari ia ka dërguar sipas sugjerimit të saj edhe zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, por ajo nuk është përgjigjur as përmes emailit as në telefonin e saj.
Po ashtu, redaksia ka kontaktuar me Alush Gashin nëpër mes telefonit, por ai nuk ka pranuar të flas për këtë çështje në momentin që i është përmend vendimi që e kishte marr.

Gashit, redaksia i ka shkruar edhe mesazh duke i kërkuar edhe një herë sqarim, mirëpo ai nuk ka kthyer përgjigje.
Rreth këtij rasti është kontaktuar edhe Policia e Kosovës, por zyrtarët e saj, nuk kanë dashur ta komentojnë vendimin e prokurores Drita Hajdari. “Ne nuk i komentojmë vendimet e prokurorëve”, tha për indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani./