.
×

Ekskluzive: Pas vrasjes së Aulonit, të dyshuarit u shfaqën me revole në rrjetet sociale



 

 

 

Vetëm pak minuta pas vrasjes së Aulon Zekës, dy të dyshuarit për vrasjen e tij, Guxim H. dhe Riga G., po ashtu të mitur, janë shfaqur “live” në një prej rrjeteve sociale. Në një pamje të kësaj paraqitjeje Guximi, 16 vjeç, shihet me një pistoletë që mban rreth qafës së të dyshuarës tjetër 15-vjeçare. Megjithatë, Riga duket e buzëqeshur.

Gjetja e një 16-vjeçari të vrarë me katër plumba, të shtunën, në afërsi të një shkolle në Prishtinë, është bërë edhe më tronditëse kur dyshimet e para të hetuesisë nxorën dy të dyshuar për vrasje, po ashtu të moshës minore.

Guxim H., i moshës së njëjtë sikurse viktima dhe e dashura e tij Riga G., një vit më e vogël, u arrestuan të dielën mbrëma nga Policia e Kosovës, si të dyshuar për vrasjen e Aulon Zekës.

Asnjëri prej tyre nuk kanë pranuar fajësinë para prokurorit të rastit, që për shkak të moshës së të dyshuarve hetohet nga Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Megjithatë, dyshimet e para të hetuesisë kosovare, të bazuara në dëshmi të disa dëshmitarëve nga rrethi shoqëror i të dy të rinjve, tregojnë se deri te vrasja ka çuar simpatia e Aulonit për të dashurën e Guximit, i cili banon në SHBA, Rigën.

Dyshimet për implikimin e dy minorëve në krimin që ndodhi gjatë fundjavës, rriten edhe nga një fotografi që ka siguruar Gazeta Express, e që hetuesia ka konfirmuar se ka arritur edhe në adresë të tyre.

Në fotografinë e nxjerrë nga një video “live” e Instagramit të Riga G., shihen 15-vjeçarja dhe i dashuri i saj, po ashtu i dyshuar, Guxim H., derisa ky i fundit mban një pistoletë në dorë, me të cilën dyshohet se kryen vrasjen e Aulonit.

Në videon që dyshohet së është bërë pas kryerjes së krimit, Guximi shihet se pistoletën e ka vendosur rreth qafës së të dashurës së tij një vit më e vogël. Porse, ajo nuk duket e trishtuar, madje buza i duket sikur buzëqesh.

Viktima Aulon Zeka, që të dielën u varros në kryeqytet, dhe i riu, i kthyer nga Amerika, Guxim H., që dyshohet për vrasjen e tij, dyshohet se patën edhe një konflikt tjetër, dy vite më parë. Motivi, edhe atëkohë dyshohej të ketë qenë e dyshuara tjetër për vrasje, Riga.

 

Megjithatë, familjarë të Aulonit kanë mohuar të kenë qenë në dijeni për ndonjë problem që ka mundur ta ketë fëmija i tyre, tashmë i ndjerë.

 

Ndryshe, Prokuroria e Shtetit ka kërkuar edhe zyrtarisht nga Gjykata Themelore e Prishtinës që ndaj dy të dyshuarve të mitur të caktohet masa e arrestit për një muaj.

 

Aulon Zeka nga familjarët dhe shoqëria është përshkruar si i qetë dhe jo problematik dhe i përkushtuar në mësime. Nga ana tjetër, i dyshuari Guxim H, është djali i ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës. /M.Gj./GazetaExpress/.