.
×

Ekskluzive: Fjalimi i kolonel Ahmet Krasniqit më 8 mars 1998, në Gjermani, pas emërimit të tij Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës



(Fjalimi i Kolonel Ahmet Krasniqi, para grupit të oficerëve shqiptarë, më 8 mars 1998, në Gjermani, me rastin e emërimit të tij Ministër i Mbrojtjes i R. Kosovës)

Unë jam Ahmet Krasiqi dhe mua më kanë emëruar që tani e tutje me udhëheq me ministrinë e mbrojtjes. Kam nderin që gjindem në mesin tuaj sepse, ky është takimi i fundit që do ta kemi jashtë vendit. Me është dhënë sinjali nga Qeveria e R. Kosovës që të formoj bërthamat e para të njësive, të futemi në Kosovë dhe ta udhëheqim popullin tonë deri në çlirimin definitiv të vendi. UCK-ja ka nevojë të madhe për ne. Do ta ndihmojmë atë që të rritet dhe të profesionalizohet. Kyçja jonë në ato njësi dhe marrja e komandës, do të bëhet shumë shpejtë në terren. Ju jeni të shkolluar që të komandoni me njësitë e rangut, që nga kompania me e lartë. Në fillim do t’i formojmë bërthamat e brigadave, e ato gradualisht do të rriten e do të forcohen. Problem të madh do ta kemi në fillim furnizimin me armatim dhe pajisje teknike, por në momentin kur do ta kemi një pjesë të territorit nën kontrollim, kjo gjë do të lehtësohet. Atëherë do ta kyçim edhe aviacionin tonë luftarak sepse ne kemi pilotë të shkëlqyeshëm.
Do ta kemi problem edhe që t’i bashkojmë të gjithë drejtë fitores. Njerëzit në Kosovë janë organizuar në baza lokale dhe nuk ka një komandë siç duhet ta ketë një ushtri moderne. Shpresoj, se ne me punën dhe rezultatet tona do të krijomë bindje dhe besim tek populli e tek te gjithë ata që ndodhen atje dhe qe, kanë rrëmbyer armët për t’i dalë zot atdheut. Për detajet tjera do t’ju njoftoj secilin nga ju veç e veç, kur edhe do t’ju jap detyrat konkrete. Tani e tutje nuk do të ketë më marrëveshje e bisedime por dihet do të veprojmë si një ushtri e vërtetë me urdhra dhe zbatime. Kush nuk e zbaton urdhrin dihet se çka e pret në bazë të ligjeve të luftës. Pra, po ua rikujtoj se unë marrë urdhra nga kryeministri Bukoshi dhe kryetari Rugova, dhe në bazë të tyre, do të bie vendimet të cilat insistoj të realizohen në tërësi. Kështu do të veprohet derisa unë të jem këtu. Ndoshta dikush nga ju, një ditë do të zë vendin tim, dhe unë, që tani zotohem publikisht se do t’i kryej të gjitha urdhrat e ministrit të atëhershëm të mbrojtjes, në qoftë se ai është edhe nëntoger, bile pa asnjë diskutim. Pra detyrë dhe qëllim kryesor e kemi çlirimin definitive dhe të krejtësishëm të Kosovës.
Brenda disa ditësh, në një shtet mik të Kosovës, do të niset grupi i parë i ushtarakëve, për të bërë disa përgatitje dhe aftësime taktike. Atje siç jemi marrë vesh me organet e atjeshme shtetërore, ushtarakët do të vijojnë një kurs të shkurtër për komandant brigade. Me vonë do ti ftoj personat që do të udhëtoj dhe do t’i njoftoj për detajet e tjera. Të tjerët do të udhëtojnë më vonë, ndoshta në ndonjë shtet tjetër mik, por ndoshta edhe me ndonjë detyrë tjetër
Grupi i fundit do të udhëtoje drejtë në Shqipëri, ku do të përgatisim bërthamat e ushtrisë dhe brenda disa javësh të futen në Kosovë. Pra, kohë nuk kemi për të humbur, sepse Kosova po digjet flakë.
Shpresoj se një ditë, pas çlirimit do të ulemi prapë kështu, serish së bashku, dhe do të tregojmë për punën dhe trimëritë e njësive tona. Mos harroni edhe një gjë, ushtaraku trim shkon në luftë për të jetuar dhe shpëtuar jetët e bashkëkombësve e assesi për të vdekur. Ne kemi pak popull dhe oficerë, mua me duheni të gjithë të gjallë. UNË DËSHIROJ QË TA GËZOJMË LIRINË DHE POPULLI ME JU TË GJALLË,POR PA ASNJË SHKA NË KOSOVË, KUPTONI PA ASNJË SHKA! Lufta do të jetë e gjatë dhe e mundimshme, pra ju, me dituritë tuaj duhet, të asgjësoni të gjitha pengesat drejtë lirisë., transmeton Botapress.