.
×

Edi Rama rrugës së Bajram Kosumit, me avion të dyshimtë privat drejt Kinës



Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, kishte kaluar pushimet në Turqi në vitin 2005 dhe nga atje, ishte kthyer me avion privat. Ai asnjëherë nuk kishte treguar se kush ia kishte paguar këtë udhëtim me avion privat. Tani edhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe qeveria shqiptare mund të jenë përfshirë në një konflikt të pastër interesi, duke udhëtuar drejt Pekinit me një avion charter të ofruar nga një kompani private kineze.

Kompania në fjalë është një sipërmarrje private që vepron në sektorin energjitik dhe që ka shprehur interesin e saj për të investuar në Shqipëri. Një investigimi i portalit Debat24, ka nxjerrë në dritë fakte që e kompromentojnë rëndë qeverinë shqiptare me interesat e kësaj kompanie private.

Delegacioni shqiptar mbërriti në Pekin me një avion charter modern, i prodhuar dy vite më parë i tipit “Gulfstream” (G550). “Debat24” ka verifikuar se avioni zotërohet nga CEFC, Kompania e Energjisë së Kinës, e cila është një sipërmarrje private, së bashku me Fondin e Investimeve të Energjisë në Shangai dhe “Zhong An United”, një tjetër fond investimesh. Interesat e këtij grupi privat shtrihen në fushën e energjisë dhe janë pikërisht ata që kanë sponsorizuar edhe udhëtimin e kryeministrit Rama drejt Pekinit. Avioni dymotorrësh, që transportoi Ramën drejt Pekinit, ka 20 vende dhe më parë ka qenë në pronësi të “ËELLS FARGO BANK”, në Qytetin Salt Lake të Shteteve të Bashkuara. Me një pavarësi fluturimi prej 12 orësh, avioni që mban edhe logon e CEFC, duket t’i ketë garantuar Ramës dhe ministrave të tij një udhëtim komod. Zbritja e Ramës në Pekin është dokumenttuar edhe nga fotot e korrespondentit të Radios së Jashtme të Kinës, në shqip, Fan Lupeng.

Historia e këtij udhëtimi të paprecedent, kur një delegacion zyrtar i nivelit të lartë pranon shërbimin e një kompanie private, komplikohet edhe më tej kur shihen interesat ekonomike të CEFC në Shqipëri. Portali Debat24 sjell në vëmendje se janë të paktën dy vizita gjatë këtij viti të drejtuesve të kompanisë kineze CEFC në Tiranë, të shoqëruara nga dy takime me Edi Ramën dhe ministrat e tij.

Fillimisht në janar 2014, drejtori ekzekutiv i CEFC për Kinën, Zang Jianjun dhe drejtues të tjerë të kompanisë kanë trokitur në zyrën e Edi Ramës. Në qendër të bisedës ka qenë vendosja e një bashkëpunimi afatgjatë për projektet e energjisë, si dhe ajo që është cilësuar si një aleancë strategjike në fushat e industrisë, financës, infrastrukturës dhe investimeve. Në mënyrë specifike, investitorët kinezë janë takuar me ekspertë të kompanisë shqiptare të naftës, të cilëve ju kanë bërë një pyetësor me 33 kërkesa, duke nisur nga rezervat e naftës e gazit dhe deri të problemet e taksimit apo modelin e kontratave.

Një delegacion tjetër i CEFC ka mbërritur në Shqipëri në mars të këtij viti, këtë herë i udhëhequr nga Chan Chauto, president i kompanisë. Ftesa për këtë vizitë mësohet se ka qenë e qeverisë shqiptare. Sërish në zyrën e Edi Ramës është diskutuar për projektet e bashkëpunimit dhe kinezët kanë qenë të qartë se synimi i tyre nuk është të arrijnë marrëveshje të thjeshta biznesi, por një bashkëpunim strategjik afatgjatë. Thuhet se kompania kineze ka qenë e interesuar ndër të tjera edhe për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës.

Interesat e biznesit të kompanisë kineze CEFC në Shqipëri janë fare të qarta dhe për më tepër ato synojnë sektorë strategjikë dhe marrëveshje afatgjata. Mbetet të saktësohet roli i kryeministrit Edi Rama në këtë histori biznesi, por duket se ai tashmë e ka pranuar dhuratën e parë. Një udhëtim i paguar nga një kompani private, me interesa direkte në vendin tonë, është sigurisht një pikëpyetje jo e vogël për marrëdhëniet e kryeministrit të vendit me botën e biznesit.

Dyshimet shtohen edhe më shumë pas reagimit të zyrës së shtypit të kryeministrit, e cila reagoi pas akuzave të opozitës për udhëtimin e Edi Ramës me një avion charter. Në një deklaratë me tone populiste thuhej se “udhëtimi dhe qëndrimi i Kryeministrit Rama dhe delegacionit që e shoqëron në Kinë është organizuar përmes mbështetjes së Ambasadës Kineze, falë së cilës kjo vizitë nuk ka rënduar asnjë qindarkë në xhepat e taksapaguesve shqiptarë”. Ky tekst, ndonëse nuk e thotë direkt, krijon përshtypjen sikur avioni charter është paguar nga ambasada kineze. Lidhja e termit “mbështetje” me fjalinë se shpenzimet e udhëtimit nuk kanë rënduar mbi taksapaguesit shqiptarë jep iluzionin se është shteti kinez ai që ka paguar dhe fsheh dhuruesin e vërtetë që në fakt është kompania kineze CEFC.

Qeveria shqiptare ka shmangur transparencën në këtë rast duke mbuluar një “dhuratë” nga një biznes që qartësisht ka interesa të forta në Shqipëri. Sipas Partisë Demokratike, ky është një skandal dhe kompromentim i pastër, që dikush të përfitojë koncesione në këmbim të dhuratës. Çdo inevstim i kompanisë kineze në Shqipëri do të ishte i paragjykuar pas kësaj për një aferë korruptive dhe në konflikt interesi.