.
×

Edhe Rama uron Mustafën, dera jonë gjithmonë e hapur për Kosovën



Prishtinë, 16 dhjetor

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, pranoi një telegram urimi nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama me rastin e zgjedhjes si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Në telegramin e urimit të Kryeministrit Rama  thuhet:

Zoti Kryeministër,

I dashur Isë,

Emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rëndësi për Ju dhe mbarë vendin. Është kënaqësi e veçantë t’ju përcjell, me këtë rast, urimet më të mira për sukses në detyrën e lartë që Ju është mirëbesuar.

Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Këto marrëdhënie unike në llojin dhe historinë e tyre, rajoni dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm i kërkon sa më solide, frytdhënëse dhe paqeformuese. Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom pionier për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembulli i gjallë i një integrimi të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Europian.

Cilado qofshin vështirësitë që do të mund të shfaqen, kam bindje të fortë se në bashkëpunim me Qeverinë e re të koalicionit, të drejtuar prej Jush, realizimi i prioriteteve të agjendës së përbashkët do të përshpejtohet. Në këtë proces historik, ne jemi të inkurajuar e të mbështetur fuqishëm edhe nga platforma e Samitit të Berlinit.

Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, do të ishte mëse e mirëpritur.

Me konsideratën më të veçantë,

Sinqerisht,

Edi Rama