.
×

Edhe një ditë me tensione e gaz lotsjellës (Kronologji ngjarjesh në Kuvend)



Botapress, 19 shkurt – Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë plenare, me një rend dite prej 21 pikash. Ligjvënësit nga opozita hodhën gaz lotsjellës brenda sallës qendrore të Kuvendit dhe punimet u zhvilluan pa praninë e tyre.

Forca të shtuara të sigurisë kanë rrethuar objektin e Kuvendit të Kosovës, ku pritet edhe fillimi i seancës plenare. Opozita ka paralajmëruar bllokimin e punimeve.

10:00

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është sulmuar me vezë nga dy persona, teksa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Njëri nga këta persona është shoqëruar nga Policia e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.

10:04

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të mblidhen në sallën e Kuvendit, ku pritet fillimi i seancës plenare, i paralajmëruar për orën 10:00.

10:21

Aktivistët e opozitës të mbledhur para Kuvendit

Një grup i qytetarëve, shumica prej të cilëve aktivistë të opozitës, qëndrojnë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të përcjellë nga afër zhvillimet në seancën e sotme.

Sipas ftesës së partive opozitare, përveç bllokadës së punës së Kuvendit nga ana e deputetëve opozitar, në rast se Kuvendi provon të zgjedh presidentin e ri, atëherë protestat do të shtriheshin edhe në rrugë.

Këta qytetarë po qëndrojnë përballë forcave të shumta policore dhe kohë pas kohe brohorasin, “poshtë qeveria”

10:21
Linku direkt
10:29

Deputetët fillojnë të futen në sallë

Deputetët kanë filluar të hyjnë në sallën e Kuvendit, ku për pak çaste pritet të nis seanca plenare.

Aty vërehen të pranishëm edhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar. Po ashtu, në Kuvend sërish është futur sigurimi, i cili seancat e fundit është përkujdesur që të mos përshkallëzojë situata brenda sallës së Kuvendit.

10:31

Partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pas vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese tha se disa pjesë të kësaj marrëveshjeje nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Opozita kundërshton gjithashtu edhe marrëveshjen e arritur me Malin e Zi për shenjimin e kufirit.

10:51

Para Kuvendit të Kosovës ka mbajtur një fjalim Ylli Hoxha, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se me mandat Policia është e popullit, përderisa pushteti e ka mbërthyer Policinë e Kosovës.

Urdhrat e Thaçit, siç i quajti ai, janë gjuhë mafiozësh, dhe që nxisin luftë civile.

Ai i ka falënderuar protestuesit që ndodhen para Kuvendit, duke theksuar se nuk do të lejojnë që Thaçi të zgjidhet president.

nuk do të lejojnë që Thaçi të zgjidhet president.

10:53

Fillon seanca, i pari flet Visar Ymeri

Me të filluar seanca e sotme plenare, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ia ka dhënë fjalën kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ai ka bërë thirrje sërish për dorëheqjen e qeverisë duke u zotuar se opozita nuk do të lejojë qeverisjen e vendit nga ky koalicion.

10:54

Sërish gaz lotsjellës në Kuvend

Deputetët opozitarë në Kuvendin e Kosovës kanë përdorur sërish gazin lotsjellës në përpjekje që të pamundësojnë seancën plenare.

10:58

Veseli shpallë pauzë pas gazit lotsjellës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shpallur pauzë të punimeve të seancës plenare, pasi që deputetët nga opozita hodhën sërish gaz lotsjellës në sallë. Ai ka paralajmëruar vazhdimin e shpejtë të punimeve, edhe pse salla është tashmë e mbushur me tym.

Gazi lotsjellës shpërtheu ndërkohë që zoti Veseli përpiqej të lexonte një deklaratë për miratim, në ndërlidhje me me vendimin e një gjykate të lartë në Serbi për dënimin e tetë eprorëve, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilëve janë edhe dy ligjvënës.

Deklarata u miratua me 79 vota për, me gjithë tymin e gazit lotsjellës që gjendej në sallë.

11:12

Pamje kur deputetë nga opozita hedhin gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Sërish gaz lotsjellës në Kuvend
11:20

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar, i cili ka sulmuar me vezë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Policia e Kosovës informon se rreth orës 09:40, afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, një person i dyshuar me inicialet (S.SH) ka sulmuar me vezë Albin Kurtin. Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë dhe ka arrestuar personin e dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas policisë, i dyshuari është dërguar në stacion policor, për procedura tjera ligjore, dhe vendimet tjera do të merren në konsultim të plotë me prokurorin kompetent.

11:20

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka cilësuar veprimet e sotme nga forcat politike në opozitë, si veprime “kundër perspektivës evropiane të Kosovës”, meqë në rendin e sotëm të ditës, në Kuvendin e Kosovës, janë edhe disa çështje që “ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave” për qytetarët e Kosovës.

Në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, ai u ka thënë gazetarëve se “dialogu është zgjidhja e vetme politike”.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, po kërkojnë largimin e qeverisë së Kosovës.

11:37

Hendeku ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës nisi të thellohet më 25 gusht 2015, atëherë kur Kosova dhe Serbia nënshkruan katër marrëveshje.

Opozita kërkonte shfuqizimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe atë për shenjimin e kufirit me Malin e Zi, duke i cilësuar si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2015, për shkak të gjendjes së ngrirë në Kuvendin e Kosovës, marrëveshja për Asociacionin përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila në vlerësimin e saj ka thënë se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën.

11:53

Pas pauzës, ligjëvënësit u mblodhën sërish në sallë, sigurimi u mblodh rreth foltores së Kuvendit, por gazi lotsjellës sërish shpërtheu brenda sallës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sërish shpalli pauzën prej 5 minutash, deri në ajrosjen e hapësirës.

Linku direkt
12:03

Aktivistët e opozitës të mbledhur para Kuvendit

Një grup i qytetarëve, shumica prej të cilëve aktivistë të opozitës, qëndrojnë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për të përcjellë nga afër zhvillimet në seancën e sotme. Sipas ftesës së partive opozitare, përveç bllokadës së punës së Kuvendit nga ana e deputetëve opozitarë, në rast se Kuvendi provon të zgjedhë presidentin e ri, atëherë protestat do të shtriheshin edhe në rrugë.

Linku direkt
12:11

Pezullohen nga seanca nëntë deputetë opozitarë

Pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka marrë vendim që të pezullojë nëntë deputetë opozitarë nga punimet e mëtutjeshme të seancës.

Sipas një komunikate të lëshuar për media, vendimi është mbështetur në Kushtetutë dhe Rregullore të punës së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës.

Deputetët e pezulluar për këtë seancë janë: Shqipe Pantina, Salih Salihu,Mytaher Haskuka, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Albin Kurti, Enver Hoti,Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli.

12:25

Gazi i tretë lotsjellës me radhë u hodh në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke nxitur kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të shpallë sërish pauzë.

Në sallë gjendeshin edhe deputetët nga opozita, për të cilët zoti Veseli kishte marrë vendim që të pezulloheshin nga seanca e sotme.

Linku direkt
12:41

Pezullim nga seanca edhe për nëntë deputetë të tjerë opozitar

Për shkak të pengimit të punimeve të Kuvendit, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka marrë vendim që të pezulloëj nga punimet e seancës edhe nëntë deputetë të tjerë, duke çuar numrin e të larguarve nga seanca në 18 veta.

Deputetët e pezulluar së fundit janë: Rexhep Selimi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Daut Haradinaj, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Zafir Berisha, Pal Lekaj dhe Shukrije Bytyqi.

12:59

VIDEO – Largimi i deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit

Sigurimi i Kuvendit të Kosovës duke i larguar dhunshëm deputetët e opozitës, të cilët janë pezulluar nga seanca e sotme.

Linku direkt
13:08

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se seanca e sotme do të vazhdojë punimet në orën 15:00.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deri më tash ka pezulliar gjithsej 18 ligjvënës nga radhët e opozitës, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, tri herë me radhë.

Reagimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka deklaruar në Novo Bërdë të Kosovës se është i zhgënjyer me vendimin e partive politike në opozitë, për të hedhur sërish gaz lotsjellës në Kuvend.

“Vetëm dy ditë pasi kremtuam ditëlindjen e Kosovës, është për keqardhje që tani shoh se ka njerëz të cilët përpiqen ta cenojnë demokracinë e Kosovës”, ka thënë ambasadori amerikan, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të punojnë bashkërisht përmes dialogut, për t’i dhënë fund krizës politike.

“I ftoj të gjithë që të shmangin fjalorin nxitës, duke cilësuar njëri-tjetrin ‘tradhtar’ ose ‘qyqar’, gjë që e vështirëson mundësinë e dialogut dhe zhvillimin e Kosovës, ashtu siç kanë nevojë dhe e duan qytetarët e Kosovës”, ka thënë ambasadori amerikan.

14:24

Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së dhe deputetinPal Lekaj, njofton AAK përmes një komunikate.

Ata, në këto momente, po mbahen në departamentin e krimeve të rënda në Prishtinë.

E ndaluar nga policia është edhe Besa Baftiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

14:50

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shoqëruar për në polici gjashtë persona të dyshuar për kryerje të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve” (gazit lotsjellës), nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Në një komunikatë, policia e Kosovës shpjegon se nga gjashtë të ndaluarit, tre janë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr dhe po ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet në komunikatën e policisë.

15:15

Kuvendi i Kosovës i ka rifulluar punimet në sallën qendrore, por pa deputetët e Lëvizjes vetëvendosje, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën.

Shumica nga 31 deputetë sa llogaritet se kanë partitë opozitare, me vendim të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli janë pezulluar nga seanca për shkak të pengimit të punës së Kuvendit.

Në seancë është vetëm Ilir Deda nga Vetëvendosje, i cili tha se “Kosova do të përfundojë keq, me inate kundër njëri – tjetrit”.

Ndërsa seanca po i vazhdon punimet, një grup i qytetarëve sërish është mbledhur para Kuvendit në mbështetje të opozitës.

15:25

Deputetët e partive opozitare, përfshirë edhe ata të pezulluar nga seanca, po qëndrojnë në hollin e Kuvendit, përballë sigurimit, i cili nuk po i lejon të hyjnë në sallë.

Largimi i tyre nga seanca është bërë me vendim të kryetarit të Kuvendit,Kadri Veseli, për shkak të pengimit të punimeve të seancës dhe përdorimit të gazit lotsjellës.

15:50

Tre liderët e partive opozitare janë prononcuar për medie, nga holli i Kuvendit të Kosovës, ku kanë qëndruar deri më tani.

Përjashtimin e deputetëve të opozitës nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e kanë cilësuar si shkelje të demokracisë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se askush nuk ka dokument të shkruar për arsyet e përjashtimit nga seanca dhe se kjo gjë është bërë në mënyrë arbitrare.

“Nëse Republika nuk është demokratike, nuk mund të quhet Republikë”, ka thënë Ymeri.

“Ky shtet është i kapur nga ‘klika’ e Mustafës dhe Thaçit, të cilët po mundohen që këtë shtet ta përdorin për interesa personale”, ka shtuar ai.

Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se opozita e përjashtuar në rrugë është zgjidhja e pushtetarëve për krizën.

Shfrytëzimi i Policisë, në ruajtje të pozicionit të tyre, është metoda që po përdorë pushteti, për ta qeverisur vendin, ka thënë ai.

“Kjo është kriza për të cilën po flasim ne”, ka thënë Limaj.

Ndërsa Ramush Haradinaj, lideri i Alenacës për Ardhëmrinë e Kosovës, ka deklaruar se pushtetarët sot e kanë keqpërdorur Policinë e Kosovës për t’i arritur qëllimet e tyre.

Këtë përjashtim të deputetëve ai thotë se nuk e ka parë e as përjetuar asnjëherë.

15:57

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se është në Kosovë për ta mbështetur punën e institucioneve të vendit.

“Kam neveri nga veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës dhe AAK-së, për atë që kanë bërë sot në Kuvend”, ka thënë Greg Delawie, duke iu drejtuar gazetarëve në mjediset e Kuvendit.

Ai ka përmendur se para 17 – 18 vjetësh shumë qytetarë të Kosovës janë larguar nga Kosova, e shumë të tjerë kanë humbur jetët e tyre.

Qyetatarët, sipas tij, kanë kërkuar pavarësi dhe liri.

Veprimet në Kuvend dhe hedhja e gazit lotsjellës, po ua mohon lirinë qytetarëve të Kosovës, ka thënë Delawie.

16:09

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i shoqëruar nga deputetiAlbin Kurti, tashmë janë larguar nga Kuvendi i Kosovës.

Ata u janë drejtuar protestuesve, të cilët ndodhen para Kuvendit të Kosovës.

“Sot Hashim Thaçi nuk arriti të bëhet president”, ka thënë Ymeri, përderisa protestuesit thërrisnin: “Thaçi në burg”.

Ymeri shtoi se sot u dëshmua që ‘klikës’ së Thaçit dhe Mustafës i ka ardhur fundi.

Ai tha se protestën e radhës do ta mbajnë më 27 shkurt, ashtu siç e kanë paralajmëruar më herët, por, në rast se pushtetarët provojnë ta zgjedhin presidentin, Ymeri ka thënë se do të tubohen prapë para Kuvendit të Kosovës.

“Shihemi në protestën e radhës”, u ka thënë në fund të fjalës së tij, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

16:29

Pas daljes së udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, dhe pas fjalimit që ata mbajtën para protestuesve, këta të fundit janë shpërndarë të qetë.

16:43

Haradinaj dorëzon mandatin e tij të deputetit…

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dorëzuar mandatin e tij të deputetit.

“Duke e parë se Kuvendi i Kosovës, është shndërruar në një institucion për mbluesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria; duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët me urdhër politik, tërhiqën zvarrë nga policia; dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të Opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga AAK, në të cilën konfirmohet vendimi i Haradinajt.

“Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshire edhe gabimet që po bëhëshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit”, citohet të ketë deklaruar ai.

17:24

Veseli: Kuvendi do të vazhdojë punën

Në një takim të thirrur në orët e vona të pasdites, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar edhe një herë “opozitën për dialog të hapur brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, për zgjidhjen e çdo problemi”.

“Çdo veprim si ai sot, që pengon funksionimin e Kuvendit, është sa i dëmshëm, aq dëshpërues dhe i papranueshëm për ne”, tha mes tjerash zoti Veseli, duke shprehur vendosmërinë e Kuvendit që të vazhdojë punën e tij.

“Kuvendi nuk do të jetë vendi për rrëzimin e qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha zoti Veseli.

Veseli tha se nuk e ka të qartë se cili është qëndrimi i opozitës.

“Le të vijnë me një opsion le të na tregojnë se cili është qëndrimi i tyre. Janë për bashkim kombëtar… janë për këtë apo atë flamur.. cili është qëndrimi i tyre”, ka shtruar dilemat zoti Veseli.

17:40

Lexues të nderuar,

Këtu po e përmbyllim mbulimin direkt të ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës, seanca e së cilës edhe sot, e premte 19 shkurt, u përshkua me tensione.

Partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë ndëprerë tri herë me radhë punimet e sotme, duke hedhur gaz lotsjellës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pezulloi pjesën dërmuese të ligjvënësve nga opozita për shkak të këtyre veprimeve dhe Kuvendi arriti t’i vazhdojë punimet pa praninë e opozitës në sallë.