.
×

Edhe 5 ditë afat për të emëruar shefin e ri të AKI, a do ta gjejnë dikë Thaçi e Haradinaj?



Ka 15 ditë prej kur institucioni më i lartë i sigurisë në vend ka mbetur pa shef. Shpend Maxhuni tash më shumë se dy javë ka lënë pozitën e drejtorit të AKI-së, derisa sot u bë e ditur se ai po kërkon streh përsëri në Policinë e Kosovës, aty ku udhëhoqi për disa vite. Se kush do të vjen pas tij në këtë pozitë, është mbetur të vendoset brenda pesë ditëve prej presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Shpend Maxhuni nuk arriti që ta çojë deri në fund mandatin pesëvjeçar si shef i AKI-së. Ai dy javë më parë ia dorëzoi dorëheqjen kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, nga i cili edhe ishte emëruar në detyrë.

Haradinaj tha para mediave se arsyeja e Maxhunit ishte shëndetësore, derisa, u raportua se atij iu  premtua një pozitë në Izmir si konsull. Kjo deri sot kur policia e Kosovës konfirmoi se Maxhuni ka kërkuar që të kthehet përsëri në institucionin në të cilin kishte punuar për shumë vite.

Duket se emërimi i shefit të ri të AKI-së do t’i mbetet edhe një herë kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, e presidentit Hashim Thaçi, pasi që kjo procedurë sipas ligjit duhet të kryhet brenda 20 ditësh respektivisht pesë ditëve që kanë mbetur.

Në ligjin për AKI-në thuhet se Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Drejtori i ri i AKI-së do të emërohet për një mandat pesë vjeçar, mirëpo siç ndodh zakonisht, se kush do të vjen në këtë pozitë po mbahet e fshehur për media.

Nuk dihet nëse pozita e shefit të AKI-së do të zvarritet njëjtë si ajo e inspektorit, pasi që AKI ka mbetur pa inspektor që nga marsi i këtij viti, edhe pse emërimi ishte dashur të ndodhë brenda 20 ditësh, pasi që pozita kishte mbetur e lirë.

Emrimi i shefit të ardhshëm të AKI-së ishte kërkuar disa herë që të bëhet nga qeveria e re, që me shumë gjasë do të udhëhiqet nga LDK-ja e Vetëvendosje.

Proceduralisht është e pamundur që kjo të bëhet brenda afatit, sipas ligjit, pasi që ende nuk është bërë as certifikimi i rezultateve.