.
×

“Ec ma ndryshe”- Komuna e Prizrenit pa leje të ministrisë vendos gurthemelin e Bibliotekës së re në Prizren



Në kuadër të monitorimit të zhvillimeve në sferën e urbanizmit të Prizrenit, “EC Ma Ndryshe” gjatë këtij muaji ka hulumtuar rastin e inicimit simbolik të punimeve për ndërtimin e Bibliotekës së re të Qytetit në hapësirën e shkollës së vjetër “Ryzhdije”.Në bazë të informatave të marra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit rezulton se MKRS ende nuk e ka dhënë pëlqimin përfundimtar për projektin e ndërtimit të Bibliotekës, derisa DUPH-ja akoma nuk ka lëshuar leje ndërtimore për projektin në fjalë.Në fillim të muajit dhjetor kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja me bashkëpunëtorë kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit, e cila sipas autoriteteve komunale do ta ketë karakterin e Bibliotekës Qytetare dhe Universitare. Realizimi i projektit në bazë të deklaratave të kryetarit të Komunës do të kushtoj 500 mijë euro, me ç’rast për vitin 2014 janë ndarë afër 140 mijë euro.Para vënies së gurthemelit, në njërën prej mbledhjeve të kryetarit me drejtorët, drejtori i DUPH-së, Nijazi Kryeziu ka pohuar se mund të vazhdohet me këtë nismë.Mirëpo, pas kërkesës për qasje në dokumente publike, MKRS – Departamenti i Trashëgimisë Kulturore ka konfirmuar se “MKRS nuk ka dhënë pëlqim për projektin në fjalë”.Në këtë shkresë DTK i MKRS ka dërguar edhe rekomandimet e fundit të Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave – Projekteve Restauruese – Konservuese të Trashëgimisë Kulturore të datës 20 nëntor 2014, ku Komisioni ka përsëritur rekomandimin për plotësimin e mëtutjeshëm të projektit sipas udhëzimeve të dhëna nga QRTK në Prizren, me ç’rast të njëjtat i ishin dërguar edhe DKRS-së Komuna e Prizrenit në dokumentin e datës 14 shkurt 2013.Komisioni ka miratuar disa ndryshime/plotësime në projekt, por ka kërkuar edhe:-Zgjatjen e strehës në terrasë dhe vendosjen e pajandrave;-Punimin e strehës nga konstruksioni i drurit dhe pa konzolla betoni-Të eliminohen të gjitha elementet dekorative në fasadë dhe të zëvendësohen me elemente dekorative të arkitekturës së qytetit të Prizrenit;-Të parashihet vendosja e oxhaqeve, tjegullave tradicionale dhe ulluqet prej bakri.Sipas MKRS-së rekomandimet i janë përcjellë QRTK-së për veprim të mëtejshëm dhe për këtë janë informuar edhe zyrtarët e Komunës. Po ashtu në një nga takimet e Komisionit është biseduar me nënkryetarin e Komunës, ku është informuar për procedurën e shqyrtimit të projektit dhe rekomandimet.“Kemi marrë zotimin se projekti do të plotësohet konform rekomandimeve dhe kritereve të domosdoshme por si i tillë ende nuk është dorëzuar”, thuhet në shkresën e MKRS-së.Ndërsa, DUPH-ja e Komunës së Prizrenit ka informuar monitoruesit se komplet lënda është dërguar në QRTK, në vitin 2014, për marrjen e pëlqimit ngase projekti bën pjesë në zonën e mbrojtur të qytetit të Prizrenit, dhe se “nuk është kthyer lënda e kompletuar, nga QRTK-ja, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme, për dhënien e lejes për restaurimin e Bibliotekës në qytetin e Prizrenit”.Ndërkohë pas vënies së gurthemelit të projektit, në mediat sociale janë paraqitur fotografi të projektit ideor për ndërtimin e kësaj biblioteke. Reagimi i komunitetit të profesionistëve ka qenë i menjëhershëm, me ç’rast gjatë debatit ata kanë ngritur shqetësime për arkitekturën e objektit, duke konsideruar se ai nuk mund të jetë përfaqësues i vlerave tradicionale të qytetit, veçmas në hapësirat e dikurshme të Ryzhdijes. Sipas tyre nevojitet një debat më i gjerë për rishikimin e projektit, në mënyrë që ai të përfshijë vlerat e vërteta të arkitekturës vendore, të ofroj një ndërtese reprezentative dhe të plotësoj kushtet funksionale të një Biblioteke.Në bazë të përgjigjeve të marra nga zyrtarët e MKRS-së dhe DUPH-së është e qartë se për realizimin e këtij projekti duhen përmbushur procedurat e duhura ligjore, derisa nga reagimet e komunitetit profesionist del se duhet rishikuar edhe projekti ideor, në mënyrë që Prizreni të ketë një objekt të denjë për Bibliotekë të qytetit. Objekti i Ryzhdijes patjetër që është dashur të jetë pjesë e Projektit Ideor dhe të trajtohet bashkërisht me strukturën e re. Vlen të përmendet se Ryzhdie është pronë e mbrojtur e Trashëgimisë Kulturore, në listën e mbrojtjes së përkohshme të MKRS-së.Bazuar në këto të gjetura EC Ma Ndryshe konstaton se nisja e projekteve/punimeve pa i përmbushur procedurat e duhura ligjore dhe pa u pajisë me lejet përkatëse ndërtimore po shndërrohet tashmë në praktikë nga organet komunale, njëjtë sikurse edhe mosrealizimi i debateve të mirëfillta për investimet kapitale të karakterit të veçantë. Për këtë arsye, rekomandimi për lidershipin komunal është që pikësëpari të zhvillojë diskutime me arkitektët dhe profesionistët tjerë për projektin ideor të Bibliotekës së Qytetit.Pas marrjes së komenteve, sugjerimeve dhe vërejtjeve nga komuniteti i profesionistëve, Komuna duhet të ndjek në përpikëri procedurat ligjore për marrjen e pëlqimit nga Komisioni përkatës i MKRS-së dhe vetëm pas pajisjes me leje të ndërtimit nga DUPH-ja të nisin punimet ndërtimore në këtë projekt. Komuna e Prizrenit duhet të angazhohet më seriozisht edhe në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur, thuhet në fund të komunikatës së lëshuar për medie nga monitoruesja e OJQ “ Ec ma ndryshe “, Elmedina Baxhaku…