.
×

Dyshimet për helmim në KQZ, përfshihen edhe ekspertët ndërkombëtarë



Presidenti Hashim Thaçi është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kreun e AKI-së, Shpend Maxhuni, lidhur me rezultatet e hetimeve rreth helmimit të 11 punëtorëve të KQZ’së gjatë ditës së djeshme. Nga ky takim është bërë e ditur se në ekzaminimin e mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve do të përfshihen edhe ekspertët ndërkombëtarë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Zyra e Presidentit ka njoftuar se Thaçi ka kërkuar nga institucionet shtetërore relevante që rasti të hetohet deri në fund.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve. Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

Për gjendjen e të helmuarve kanë dhënë detaje nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.

Në një deklaratë për Express infektologia Berisha ka thënë se gjendja e përgjithshme shëndetësore e këtyre pacienteve është stabile.

“Ne jemi duke e mbikëqyrur gjendjen shëndetësore të këtyre pacienteve. Gjendja shëndetësore e të gjithave është stabile”, ka deklaruar Ajazaj-Berisha.

Ajo tha se edhe dy gratë të cilat kanë qenë shtatzëna, gjendjen e kanë stabile. Tutje, mjekët janë duke i pritur rezultatet e analizave të cilat i janë marrë këtyre pacienteve gjatë ditës së djeshme.

“Po i presim rezultatet. Jemi duke i përfunduar të gjitha ekzaminimet e nevojshme”, ka sqaruar doktoresha e infektivës.

Ndërkohë, rasti tashmë nga Prokuroria Speciale i ka kaluar Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Rastin për marrjen e lëndës e ka konfirmuar për Express, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në Themeloren e Prishtinës, Kujtim Munishi.

Ai tha se janë duke i vazhduar hetimet.

“Po rasti tashmë është tek ne. Ne për këtë çështje jemi duke i vazhduar hetimet”, thotë shkurt Munishi.

Megjithëkëtë, për shkak të mungesës së rezultateve, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e alergjive te këta persona. Andaj, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se mostrat e këtyre zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për të vërtetuar se për çfarë bëhet fjalë.

Për shkak të mungesës së rezultateve, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e alergjive te këta persona. Andaj, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se mostrat e këtyre zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për të vërtetuar se për çfarë bëhet fjalë.