.
×

Dy kosovarë dhe një kroat mashtruan 300 persona në Shqipëri



Skema e plotë e mashtrimit të 300 personave në Shqipëri, duke u marrë nga 3 mijë euro. Ja si dy kosovarë dhe një kroat përfituan gjysmë milioni euro. Rrëfimi i plotë

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim dosjen e një kroati dhe dy kosovarëve, të akuzuar se kanë krijuar një skemë mashtruese piramidale, ku futën në “organizatën speciale” të paktën 300 persona, duke u marrë nga rreth 3 mijë euro secilit, me premtimin se do të bëheshin njerëz të suksesshëm. Të akuzuarit dyshohet se kanë përfituar një shumë mbi 530 mijë euro. Hetimi për këtë çështje ka nisur në vitin 2011 dhe fillimisht janë marrë të pandehur dhe janë dënuar me 10 vjet burgim (në mungesë) dy shtetasit kosovarë, Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku. Ndërkohë, megjithëse ishte i njohur fakti që kishin edhe një bashkëpunëtor të tretë, nuk u arrit të evidentohej në atë kohë shtetasi kroat. Tre personat që akuzohen për “Mashtrim” më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda, si edhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, kanë bindur persona të shumtë për t’u anëtarësuar në shoqërinë “Eurolife”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “Gemak”, të regjistruara në Shkup. Në momentin e anëtarësimit, rreth 300 të dëmtuarit kanë paguar secili shumën 2290 euro, e cila shpërndahej te të pandehurit, të cilët kanë përvetësuar shumën 532.163 euro. Nëpërmjet mashtrimit, drejtuesit e kësaj skeme u premtonin anëtarëve që, pas trajnimeve të tyre, do të kishin mundësi të siguronin shuma të konsiderueshme parash.

Veprat penale

Damir Miserda, 50 vjeç, lindur në Kroaci akuzohet për “Mashtrim” dhe “pastrim parash”. Gjatë vitit 2009 deri në maj 2010, të pandehurit Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku, në bashkëpunim me shtetasin kroat Damir Miserda, me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, kanë bindur persona të shumtë për t’u anëtarësuar ne shoqërinë “Eurolife”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “Gemak”. Të pandehurit kanë përvetësuar shumën 532.163 euro. Ata kanë realizuar, nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, transferimin e pasurisë që ka rrjedhur nga vepra penale, për të fshehur origjinën e paligjshme të pasurisë. Në kushtet kur shumat e transferuara janë në vlera të mëdha, pasojat e shkaktuara nga këto veprime janë shumë të rënda.

Skema e mashtrimit

Damir Miserda, Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku kanë krijuar dhe vënë në funksion një strukturë, të organizuar në pozicione të vendosura në formë piramide. Kjo strukturë nuk është ligjëruar dhe regjistruar në organet kompetente shqiptare si QKR apo Tatime. Veprimtaria është realizuar ne emër të dy shoqërive “Gemak” dhe “Eurolife Dooel”, të cilat janë të regjistruara në Maqedoni. Ata i kanë rekrutuar të dëmtuarit për t’u anëtarësuar në shoqëri, duke i bindur se do të bëheshin persona të suksesshëm dhe do të realizonin fitime të mëdha monetare. Në momentin e anëtarësimit, subjektet e dëmtuara kanë paguar secili shumën 2290 euro, e cila shpërndahej ndërmjet shoqërive dhe përfaqësuesve të saj.

Kurset speciale

Pas anëtarësimit, zhvilloheshin takime periodike të quajtura kurse, seminare, të cilat nuk kanë qenë asnjëherë të tilla. Takimet e personave që ftoheshin të bëheshin anëtarë të shoqërive, janë kryer fillimisht në Shkup dhe më pas në Ohër, në hotelet “Pela”, “Graniti” dhe “Metropol”. Në territorin e Shqipërisë takimet janë bërë çdo javë, në hotel “Kontinental”, në Vorë e Tiranë, apo në bar-restorant “Xibraku”. Titullimi kurse, seminare, apo akademi, realizohej vetëm si koperturë për natyrën e vërtetë të këtyre takimeve. Në këto grumbullime mësohej dhe prezantohej vetëm një leksion “Rekruto anëtarë të rinj”. Në këto organizime nuk trajtohej asnjë mënyrë për përfitimin e dijeve, krijimin e eksperiencës apo rritjen e aftësive profesionale. E vetmja mënyrë që u shpjegohej pjesëmarrësve për të arritur suksesin dhe fitimet monetare, ishte gjetja dhe rekrutimi i anëtarëve të rinj. Secili prej anëtarëve rekrutonte pjesëmarrës të rinj, duke fituar 540 euro nga shuma totale 2290 e paguar prej këtyre të fundit. Nuk lejohej hyrja e atyre që nuk ishin anëtarë.

“Gradimet” për mjeshtëri

Personat e interesuar, të quajtur “Mysafir” dërgoheshin në Ohër të Maqedonisë, ku organizoheshin ceremoni festive, me qëllim bindjen e personave. Këtyre të fundit u caktohej një afat prej 3 ditësh, brenda të cilit duhet të vendosnin regjistrimin. “Mysafirëve” u theksohej se me kalimin e këtij afati, humbnin të drejtën për t’u anëtarësuar. Brenda kësaj periudhe “Mysafiri” parapaguante 2290 euro, moment i cili plotësonte procedurën e regjistrimit. Pas dy shitjeve të produktit, pra sigurimit të dy personave për kursin privat, personi i regjistruar bëhej “Asistent” ose “Nikoqir”.

Nëse “Asistenti” realizonte rekrutimin e “Asistentëve” të tjerë, ai pozicionohej si “Asistent menaxher”. Hallka të tjera të skemës ishin “Lider menaxheri”, “Drejtori gjeneral” dhe “Gjeneral drejtori”. Kështu “Asistent menaxheri” paguhej indirekt për çdo person që asistentët e siguruar prej tij, kanë gjetur dhe regjistruar si “Asistentë aspirantë”. Personi nënshkruante një deklaratë ku theksonte se është njoftuar mbi faktin që paratë e paguara nuk do t’i kthehen në të ardhmen.

 

Krijimi i besimit me anë të fletoreve Veç kursit janë prodhuar edhe katër libra ku dy të parët i dorëzoheshin personit automatikisht në momentin që ai paguante 2290 euro. Ndërsa për librin e tretë dhe të katërt “Mysafirit” i shprehej se merreshin gradualisht, në varësi të ecurisë. Pjesëmarrësit në takime visheshin me veshje serioze, duartrokisnin, brohorisnin dhe shoqëroheshin me muzikë, duke krijuar ambiente festive. Anëtarët ekzistues të shoqërisë, paraqiteshin si persona që kishin fitime të mëdha e të suksesshëm. Fletoret që u jepeshin anëtarëve titullohen: “PRIVATE COURSE FOR PERSONAL DEVELOPMENT”, “Rruga e suksesit. Për shënime të trajnimit tregtar. Pjesa 1”. “PRIVATE COURSE FOR PERSONAL DEVELOPMENT”, “Asgjë nuk është aq me rëndësi sikurse idetë, koha e së cilës që tani ka ardhur.