.
×

Drizan Shala: Veprimi operacional – Rasti “KUMANOVA”



 

Rasti Kumanova, sot është ndër temat që po qarkullon më së shumti, me teori spekulative konspirative. Kjo bëhet me qëllim të krijimit të një mjegullnaje sa më të madhe. Kjo ndikon drejtpërdrejt në pasiguri dhe vendimmarrje të gabuar.

Këto spekulime konspirative janë produkt i kuzhinave që edhe i kanë krijuar shkaqet për “KUMANOVEN” siç ndodhi edhe në rastin “MONSTRA”.

Konstatimi i parë që mund të bëhet në tërë këtë janë pasojat. Ajo që mund të konstatohet po ashtu është fakti se legjislacioni i shtetit që pretendon të quhet Republikë (bullgare-serbe) e Maqedonisë, pa shqiptarët si element shtetformues dhe garantues të ekzistencës së sajë, ka një infrastrukturë ligjore (me theks atë të fushës penalo-juridike) jashtë standardeve ndërkombëtare dhe se në legjislacionin e sajë specifikisht atë penal, mungojnë jo vetëm rolet e sanksionit penal, por edhe humanizimi i ligjit, kriter bazë në legjislaturat e botes demokratike ku implementohen dhe respektohet liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Ky vlerësim do të nxisë shumë qëndrime e reagime të teoricienëve të ligjeve. Por, nëse ndonjëri do të mundohet të demantoj se ligji dhe sanksioni penal si masë ligjore në rolin e tij nuk duhet të ketë edhe humanitetin, ndaj bartësit të pasojës ligjore, atëherë ju them se jeni ndalur ende në kohën e diktaturave komuniste dhe për më keq jeni në periudhën e inkuizicionit të largët dhe doktrinat sanksionuese fetare.

 

 Por, të ndalemi në rrethanat që e sollën KUMANOVEN?

 

Ishte “Sekret publik” përgatitja, organizimi, koordinimi deri në vet precipitimin operativ të ngjarjes në Kumanovë. Si e tillë, ngre shumë pikëpyetje. Lidershipi shqiptarë i Shkupit, i vizitoi dhe ata të  Prishtinës dhe Tiranës, patën takime kokë më kokë, ku s’do mend se u prek edhe çështja e zhurmës që si teori konspirative dhe “sekret publik” veç kishte përfshirë masat e gjera dhe vetë shërbimet, e të tria vendeve përfshirë edhe ato ndërkombëtare që operojnë në rajon.

Secili mund të ishte i qasshëm në angazhimet e tyre. Aspak nuk kishte kriter se kush mund të jetë i besueshëm dhe kush jo në këtë proces. Çdo veprim operativ parapërgatitorë bëhej pa fije konspiracioni dhe çdo komunikim me telefona mobil të përgjueshëm dhe me komunikime me tekste të hapura.

Atëherë shtrohet pyetja, si është e mundur që në një rajon i mbuluar me aq shumë shërbime inteligjente ndërkombëtare, që ushtrojnë protektoratin mbi rajonin e Kosovës e Maqedonisë me theks, si dhe shërbimet inteligjente vendor si filiale informative të tyre, nuk e hetuan këtë mobilitet pa ndonjë takt dhe masa konspirative.

Këtë dilemë e përforcojnë edhe më, veprimet indikative në vet procesin e zhvillimit të operacionit që nga organizimi i forcave, depërtimi në pikat e grumbullimit, kalime i mjeteve logjistike dhe armatimeve, pajisjeve tjera intendente, infiltrimi në territor dhe sulmi teknik në posten e parë ushtarake dhe situatë që u gjet aty që për publikun tani më është e njohur.

Pas vendbazimit të trupave, mjeteve logjistike dhe operative si dhe organizimit të bazës ushtarake, fortifikimeve dhe sistemit të zjarrit, indikacione ngjallin edhe vet veprimet në lagjen e përzgjedhur për krijimin e bazës kryesore për drejtimin e operacionit, si: zbrazja e lagjes përreth, krijimi i transheve lidhëse në mes objekteve në dispozicion të njësiteve, sistemimit të armatimit dhe pajisjeve, krijimi i lidhjeve me banoret dhe individët që do të kryenin detyra logjistike, operative dhe informative.

Këtë dilemë e përforcojnë edhe vet fakti se këta djem që e përbënin grupin udhëheqës operativ, ishin emra të njohur nga e kaluara e luftës në Kosovë dhe Maqedoni, ishin të njohur edhe nga proceset e shumta politike e fushatat zgjedhore në Maqedoni si dhe argatllëkun e shumtë politik, jo ligjor që kishin bërë për liderët lokal atje. E shumë elemente operative që mund ta mbështesin dilemën e madhe dhe indikacionet që ngrihen rreth saj.

Po cili ishte motivi? Janë ngritur disa teori konspirative deri më tani. Qëllimi dhe efekti i tyre ka qenë mjegulla dhe sjellja e situatës deri aty sa masa të mendoj se lidershipi dhe institucionet e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë po veprojnë politikisht drejtë pse po heshtin para një sjellje kaq antiligjore të kuazi shtetit “maqedonas” nga bullgarët.

Por, kush dështoi në tërë këtë kasaphane ligjore në Kumanovë?

Dështimi u përket të dyja parlamenteve, në Maqedoni dhe në Kosovë. Si është e mundur që parlamenti i Maqedonisë me deputet edhe shqiptarë, të mos ketë akoma një raport informues final mbi rastin “KUMANOVA”, ndërkohë që akterët e sajë të arrestuar tani më dënohen me 746 vite burg. Ku pos atyre shtatë vetave edhe tjerët mund të konsiderohen si të tillë, me burgim të përjetshëm që është një zëvendësim i dënimit me vdekje, kategori kjo e sanksionit penal që nuk lejohet në legjislacionin modern humanitar, por që në rastin në fjalë të gjithë me dënim të përjetshëm 7,  me 40 vite shumica janë faktikisht të dënuar me vdekje, për vet faktin se pothuaj secili nga ata të dënuar janë mbi 40 vjeçar, e disa edhe 50 vjeçar.

Dështimi pra i godet edhe parlamentarët e Kosovës që përmes rrugëve institucionale do duhej që krahas një debati parlamentarë të kenë një informacion të kualifikuar oficiel mbi rrethanat e ngjarjes dhe trajtimin e qytetarëve të Kosovës të burgosur atje. Po ashtu institucionet e Kosovës dështuan në realizimin e praktikës juridike, të njohura në botë për kërkimin e ekstradimit të kryesve të këtyre veprave dhe për një gjykim fer ligjor në Kosovë, varësisht nga kualifikimi i veprës së tyre, duke ia nënshtruar një hetimi të pavarur ndërkombëtarë siç kemi bërë në shumë raste, si në Shqipëri etj. ku ka bërë hetime vet FBI-ja etj. E mbi këtë kualifikim të vendosnin masën ligjore dhe mbajtjen në burgjet e Kosovës për shumë arsye edhe humane.

Por, liderët kosovarë si edhe ata në Tiranë dhe Shkup, dështuan dhe duhet të ndjehen të turpëruar sepse shumicën e tyre i kemi njohur dhe personalisht dhe individualisht, dikush nga lufta si vëllezër të armës siç është Ramush Haradinaj, unë, e shumë të tjerë, pastaj vet Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, e të tjerë për punë dhe shërbime të përbashkëta në luftë dhe në periudhën e pasluftës. Në Tiranë i kanë njohur dhe kanë pasur bashkëpunim në rrethana të ndryshme edhe Edvin Rama, Bamir Topi, Fatmir Mehdiu etj. Kurse në Shkup, Ali Ahmeti duhet tua dedikoj fitoret e veta pikërisht këtyre djemve dhe shumë të tjerëve që operonin gjatë fushatave elektorale atje dhe për shumë punë dhe shërbime tjera, pa harruar këtu edhe luftën në Maqedoni që nga Tanusha deri te marrëveshja me shumë pikëpyetje e Kumanovës dhe e Ohrit.

Pra, është edhe dështim moral mos bërja e një telefonate, se çfarë po ndodhte dhe për një kujdes moral prindëror.

 

 

Supozime, 

 

Çfarë ishte rasti “MONSTRA”, cilat ishin konsekuencat”

Ndodhi që u vranë pesë fëmijë, më pastaj u vra dhe një peshkatarë. Peshkatari u vra se kishte parë  ngjarjen dhe se kush i vrau fëmijët. Kryesit e vrasjes së fëmijëve i dhanë shpjegimin edhe vet rastit si të tillë.

Më pastaj në emër të gjoja kryesve të këtij rasti makabër, u ndoqën dhe u persekutuan shumica e komandantëve të UÇK-së. Disa edhe mbajnë dënimet me burgim të përjetshëm, shumë nga ta u vranë nëpër male gjatë ndjekjes nga njësitë elitare speciale maqedonase. Ju visheshin edhe uniforma gjoja të UÇK-së dhe ju liheshin armë afër për të arsyetuar vrasjen e tyre, pa asnjë arsye të mirëfilltë. U vranë këta që mund të konsideroheshin të fuqishmit që e determinojnë vendimmarrjen politike të bosëve të tyre, tani të veshur me petkun politik, dikur Komandant të UÇK-së apo truri politik i saj. Asnjëherë nuk pati një raport të qartë se çfarë vërtetë ndodhi në rastin ”MONSTRA”, por dëmin e pësuan shqiptarët dhe pikërisht luftëtarët e mirëfilltë e shumë komandant trima.

 

Po rasti “”KUMANOVA” çfarë ishte? Cilat janë konsekuencat”

Diçka analoge me rastin “MONSTRA”. Por, këtu “casus beli”, nuk ishte makabër si vrasja e fëmijëve, por një pretekst shumë më i rafinuar dhe që do të krijonte arsyetimet teorike për ti trajtuar si terrorist, që po cenonin sovranitetin politik, territorial dhe rendin kushtetues të një shteti në këtë rast kuazishtetit të Maqedonisë, që me shumë se interes teknik në rajon nuk përbën asnjë kriter e fakt etatist për të ekzistuar si territor unik dhe administrativ. U përballën me njësitë më elitarë të forcave maqedonase “VOLKOVI”, në përgatitjen e të cilëve ishin investuar miliona euro në trajnime dhe armë, disa djem shqiptarë të armatosur lehtë me armë të dobëta PA M70, 7.62mm dhe armë BAZUKA, por me motive të larta për tu sakrifikuar për çështje që ishte kthyer në kod moral të tyre. Djem që në luftën e Kosovës me trimëritë e tyre mund të konsideroheshin dhe vlerësohen si të tillë nga ata që patën rastin të luftojnë me ta si heronj. Djem që tërë pasluftën u sfiduan me luftën e mbijetesës sociale dhe i karakterizoi një jetë e paorganizuar.

Djem që për tërë pasluftën humbën shumë nga ajo përgatitja dhe struktura trupore dhe morale e luftëtarit, por u kishte mbetur vetëm zemra dhe mendja ende e okupuar nga idealet.  Djem që i karakterizonte vetëm trimëria, që i bënte të dalin nga vetvetja dhe të sakrifikohen siç bënë në Kumanovë. Pra, përfundimisht ishin djemë që mund të konsideroheshin “SPARTAN”  në kuptimin e plotë të fjalës, të kohës moderne. Këto cilësi i bënin edhe lehtë të marrin vendime në besim ndaj eprorëve.

Cili ishte epilogu? Të vrarë nga radhët e djemve të Kumanovës (apo Kosovës që luftuan në Kumanovë)?

 

Të arrestuar dhe burgosur dhe më në fund të penalizuar me dënime deri mbi 40 vjet burg të rëndë, burgim të përjetshëm vs “dënime me vdekje moderne”. Nga radhët e forcave elite maqedonase u nxorën nga radhët e tyre më se 40 % e këtyre trupave elitare për luftë kundër terrorit dhe forma asimetrike të luftimit.

Komandanti i tyre, pas këtij aksioni u arratis në Greqi. Zëvendës drejtori i DSK-së shërbimit inteligjent maqedon u gjet i vrarë në pyll. Pra, një epilog tragjik për të dyja palët ndërluftuese.

 

 

Pre supozimet,

 

  1. Zëvendës drejtori i DSK-së, u vra ngase e kishte përgjegjësinë kryesore në përgatitjen inteligjente të operacionit “MOSTRA” si dhe vet operacionit “KUMANOVA”.
  2. Komandantit të njësisë “VOLKOVI”, të arratisur në Greqi kur hetoi se do eliminohej si njëri nga anëtarët e shtabit të operacioneve në fjalë, ju montua që ti gjendet sasi droge te vetja dhe të arrestohej në Greqi, ku me kërkesën dhe në emër të marrëveshjeve ndërshtetërore në rajon, në emër të sigurisë rajonale, pritet të ekstradohet në Maqedoni dhe me siguri do e pres burgu i përjetshëm dhe mbyllja e gojës, mbase edhe me eliminim fizik ose forma tjera të inskenimit të vrasjes ose vetëvrasjes.

2.1. Me çdo kusht duhet të heshtet vs zhduket edhe komandanti i forcave elite “VOLKOVI”, si pjesë e domosdoshme e planifikimit edhe të rastit “MONSTRA” me gjithë pasojat që solli ai, ashtu edhe të rastit “KUMANOVA” ku duhej të zhdukeshin kryesit apo ekzekutorët në rastin “MONSTRA”. Pra, në aspektin taktik dhe strategjik, duke i analizuar pozicionet e luftimit të luftëtarëve nga Kosova, në rastin “KUMANOVA”, sistemin e zjarrit, strukturën e shtëpive dhe rrugëve që i lidhnin ato, pastaj lëvizjen e trupave maqedonase, pozicionin dhe sistemin e zjarrit, konstatoj se nuk ka qenë e mundur që 40 % e kësaj njësie të nxirrej jashtë rreshtit, pra të vriteshin. Nga kjo konstatojmë se ata u vranë pas shpine nga njësi të specializuara dhe snajper, për të zhdukur dëshmitë e mundshme të kryesve të operacionit “MONSTRA”. Me këtë u mbyllej goja të gjithë dëshmitarëve të mundshëm qoftë nga ana maqedonase, qofte nga ana e shqiptarëve.

  1. Është fakt se këta djem me autoritetin destruktiv të tyre dhe trimërinë e përzier me arrogancë, por deri në ekstrem patriot dhe të gatshëm për sakrificë për vlerat kombëtare si liria, Shqipëria etnike, etj. kishin kurajon dhe i thërrisnin në çdo kohë dhe për çdo gjë liderët shqiptarë në të tria qendrat shqiptare, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë si dhe individ të caktuar të fuqishëm ekonomikisht e politikisht dhe e ndikonin procesin politik. (Ta zëmë se po të ishin ata sot të gjallë, demarkacioni dhe asociacioni do ishin çështje që s’do gjenin vend fare në vendimmarrjen politike në Kosovë, nëse ata do e vlerësonin të dëmshme dhe që s’duhej të ndodhte. E kundërta ata që do qitnin nënshkrim në këto çështje do e nënshkruanin fundin e tyre jo vetëm politik. Po ashtu në fushatat zgjedhore në Maqedoni ata e përcaktonin fituesin. Jetët e tyre ishin preokupim deri në nivelet më të larta të shtetit po të ishte nevoja). Prandaj edhe eliminimi i tyre dhe heshtja e përgjithshme në të tri qendrat e vendosjes nga lidershipi shqiptarë, është shumë indikativ dhe të bën të mendosh se është rezultat i një marrëveshje për heqjen e tyre nga rruga.

 

Rishikim, Veprimi i mençur operacional

 

Sikur vendimi për operacionin në rastin “KUMANOVA”, të ishte analizuar profesionalisht dhe vendimi për veprim të mbështetej në vendimmarrje ushtarake, pa motivim politik, atëherë nuk do të vinte assesi deri te vrasjet që kanë ndodhur.

Grupi i Kumanovës, ishin të vendbazuar. Ishin të dekonspiruar endë pa u futur, por po supozojmë se u zbuluan pasi u futën. Pra, ishin të dekonspiruar nga vëzhgimet përmes dronëve, por edhe nga informatorët e terrenit. Atëherë objektivi i forcave maqedonase ka qenë i identifikuar. Po ashtu ka qenë i lokalizuar. Janë ditur përmasat e shtrirjes dhe pothuaj ka pasur informacione të hollësishme mbi numrin, pajisjet, tiparet e tyre dhe mundësitë për operim.

Një komandant operacioni ushtarak që mundohet të eliminoj rrezikun dhe stabilizoj situatën në afat të gjatë dhe ta bëjë të qëndrueshme, nuk do të vepronte siç u veprua në rastin “KUMANOVA”. Kjo do tu bënte të mundur pastaj edhe zbatimin e të drejtës pozitive. Aty ishte e mundur siç edhe u bë që ky grup të futej në rrethim të plotë nga toka dhe të kontrollohej edhe nga ajri. T’iu ndërpriteshin të gjitha rrugët e furnizimit dhe ardhjes së përforcimeve. Të detyroheshin të dorëzohen nga lodhja psikologjike, uria dhe motivimi për veprim. Po ashtu do të ishte e mundshme edhe të negociohej me ta apo përfaqësues që ata do të adresonin. Por, edhe do të ekzistonte mundësia e ndërmjetësimit me marrëveshje e organizmave ndërkombëtare. Kështu do të kishim dëshmitarë të gjallë që do e dëshmonin të vërtetën. Nuk do të kishim viktima. Shteti dhe qeveria maqedonase do të dilnin më të fituar dhe do të kishin arsye për veprim politik më të mbështetur në fakte dhe me përkrahje të detyrueshme dhe të arsyetuara ndërkombëtare. Me këtë, po ashtu do ti jepnin goditje të fortë politike dhe diplomatike edhe lidershipit politik në të tri qendrat e vendosjes në Shkup, Prishtinë e Tiranë.

 

Konkludime të supozuara, 

 

– Ka ndërlidhje suplementare katarzisi, të qartë në mes të dyja rasteve “MONSTRA” dhe “KUMANOVA”;

– Ka një dakordim të heshtur për eliminimin e tyre, mes lidershipit të të tria vendeve. Por, edhe në rajon e më gjerë, nëse i referohemi edhe zhbërjes, eliminimit të Klanit të Zemunit, aq më tepër se kur u zu ngushtë nga ndjekja e shtetit serb, lideri i kësaj strukture gjeti strehim në Prishtinë tek individ të lidhur ngushtë me lidershipin politik të Kosovës. Kuvendet dhe kuvendaret e Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës kanë dështuar në përmbushjen e obligimit ligjor për të qenë të informuar oficialisht për zhvillimet me qytetarët e tyre, përkatësisht në vendin e tyre dhe sistemin e sigurisë e drejtësisë. Ka dështuar Kosova dhe lidershpi i sajë të kërkoj kthimin – ekstradimin e qytetarëve të vet për gjykim dhe sanksionim sipas kualifikimit që do i bëhej veprës së tyre nga hetues ndërkombëtare të pa anshëm.

Ky është edhe dështim moral i përpjekjeve për ndërtim mbi parimet e reciprocitetit, të marrëdhënieve stabile ne rajon.

 

P.S. Autori eshte ekspert i sigurise