.
×

Dritan Syla: Koha zbulon fytyrat e vërteta



 

Ju kuptoj shumë mirë juve që shani me gojët tuaja të fëlliqura se pse nuk u protestua te “Gazivoda” ose pse nuk u bë një protestë në Prishtinë për ta kundërshtuar ardhjen e Vuçiqit në Drenicë, sepse ju jeni rritur nga prindërit që kanë kumbari me serbët e Drenica ka ditur çdoherë t’ua prish rehatinë dhe kumbarinë.

Merrni çojeni në shtëpitë tuaja, askush nuk iu kundërshton dhe askujt nuk i intereson, por mos e merrni nëpër gojë djemtë dhe vajzat më të mira që ka vendi. Ata që dje u ngritën në protestë   ishin nipat dhe mbesat e atyre që me serbin kanë folur vetëm në beteja.

E kuptoj që disa individë po mundohen t’i ngjyrë lokaliste ose ta personalizojnë protestën, por jo nuk munden sepse unë dje pashë në protestë të rinj dhe të reja nga shumë qytete te Kosovës ( Fushë Kosova, Drenasi, Mitrovica, Prishtina, Istogu, Malisheva) e si mund t’i thoni lokaliste kësaj proteste përveç si disa qyqarë si puna e Nexhmedin Spahiut.

E kuptoj po ashtu që disa po mundohen t’i japin ngjyra politike protestës por edhe këta nuk munden sepse dje unë pashë aty te rinj dhe te reja që nuk u interesonin ngjyrat politike sepse ishin ngjyrat kuqezi ato që i bashkonin. Po ashtu dje pashë politikanë nga të gjitha partitë politike, pashë kryetarë komunash, deputetë, ish deputetë, zëvendësministra me ide të ndryshme politike e ideologjike.

Dje u befasova për të mirë kur në mesin e shumë protestuesve pashë një ish deputete, që unë jam rriur me veprimtarinë e saj politike, znj. Melihate Termkolli, me të cilën pata nderin edhe të takohem e të flas, prezenca e së cilës na dha motiv edhe më të madh për protestë dhe kauzën tonë.

Befasitë ndonjëherë mund të jenë edhe për keq. Njëjtë u befasova edhe dhe kur nuk pashë në mesin tonë shumë deputetë e politikanë “patriota” që vijnë në Drenicë vetëm kur është kohë votash. Ta them të vërtetën, u gëzova qe nuk i pashë sepse të tillët “na e sollën ujkun ne shpi”.

Dje e kishit mundësinë të na tregoni që jeni për popull dhe se populli për juve është i shenjtë, por na e vërtetuat te kundërtën, fytyrat tuaja të vërteta i pamë, kjo na gëzon shumë.

Nesër kur do vjen koha e votave, ne do kemi fytyrë për tê votuar kënd ne duam dhe ta presim në konakun tonë nga mesi juaj  kush e meriton, po ju? Ju a do keni fytyrë te vini për të kërkuar votën, mbetet të shihet.

Ne fund…

Nesër mos e merrni rrugën për të ardhur e për të kërkuar  votë në vendin ku dje jo që nuk e vizituat, por as nuk u lodhët për te shpenzuar baterinë e telefonave tuaj, për ta shkruar një status mbështetës për vajzat dhe djemtë që ishin ne rrugë nga ora katër e mëngjesit, jo për të kundërshtuar siç po thonë disa, por për të ndalur ardhjen e Vuçiqit në vendin ku është e ujitur me gjak nga masakrat që i ka kryer ai me bashkëpunëtorë. Mos guxoni të vini, sepse do ktheheni të poshtëruar ashtu qysh jeni në të vërtetë./BP/