.
×

Drejtoria e Inspeksionit ka nisur aksionin për largimin e shitësve ilegalë në Mitrovicë



 Drejtoria e Inspeksionit në komunën e Mitrovicës, ka nisur aksionin për largimin e shitësve ilegalë nëpër hapësirat publike konkretisht tek sheshi i qytetit.

Sipas njoftimit për media, këtë aksion e ka ndërmarrë drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe Kompaninë Regjionale të Mbeturinave ‘Uniteti Sh.A’, të cilët kanë ndihmuar në largimin e mjeteve.

Gjatë këtij aksioni në shëtitoren “Agim Hajrizi” janë sekuestruar disa auto lodra për fëmijë të cilët siç theksohet në njoftim, zhvillojnë veprimtarinë biznesore pa leje nga organet kompetente si dhe shfrytëzojnë hapësirën publike duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se janë të përkushtuar në lirimin e hapësirave publike në sheshin e qytetit dhe nëpër vendet tjera ku pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ushtrojnë veprimtaritë e tyre në mënyrë ilegale.

“Shitësit janë paralajmëruar që të mos vazhdojnë punën ilegale në sheshin e qytetit, por ata kanë vazhduar pavarësisht këtyre vërejtjeve. Aksionet e tilla do të jenë të vazhdueshme me ç’rast do të ketë edhe shqiptim të gjobave, edhe konfiskim të mallrave”, ka thënë ai.

Me këtë rast Drejtoria e Inspeksionit kanë marrë masa konform ligjeve në fuqi dhe kanë ndaluar zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve.