[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Doruntina përkujton babin e vrarë: U bënë 16 vjet padrejtësi



Vajza e aktivistit të LDK-së dhe shefit të ish Qendrës Informative të Kosovës (QIK), Enver Malokut, Doruntina me rastin e 16 vjetorit të vrasjes, ka thënë se u bënë 5 mijë e 840 ditë ankth, dyshime e pritje. Maloku në një shënim në Facebook ka thënë se kaloi edhe një vit i padrejtësisë, duke u bërë kështu 16 vjet padrejtësi.

Doruntina thotë se vrasja e babit të saj Enver Malokut, më 11 janar 1999, ndodhi në sytë e dhjetëra dëshmitarëve, të cilët deri më sot, pavarësisht se panë gjithçka, nuk guxuan të flisnin.

“Heshtën. Ose, nuk e thanë të vërtetën. Por, fajet nuk i kanë ata. Në asnjë mënyrë. Fajet i ka vetëm shteti. Ky shtet që s’bëri as më të voglën përpjekje për t’i vënë para drejtësisë urdhërdhënësit e dhjetëra vrasjeve me motive politike. Madje as nuk ofroi asnjë lloj garance për mbrojtjen e dëshmitarëve”.

Lexojeni të plotë postimin e Malokut në Facebook:

Kaloi edhe 1 vit pa drejtësi. U bënë fiks 16 vjet padrejtësi. 5 mijë e 840 ditë ankth, dyshime e pritje! Këtë gjendje e kuptojnë vetëm ato familje që kanë humbur të dashurit e tyre në atentate politike, të pazbuluara deri më sot për shkak të politikës.

Vrasja e Babit tim, Enver Malokut, më 11 janar 1999, ndodhi në sytë e dhjetëra dëshmitarëve, të cilët deri më sot, pavarësisht se panë gjithçka, nuk guxuan të flisnin. Heshtën. Ose, nuk e thanë të vërtetën. Por, fajet nuk i kanë ata. Në asnjë mënyrë. Fajet i ka vetëm shteti. Ky shtet që s’bëri as më të voglën përpjekje për t’i vënë para drejtësisë urdhërdhënësit e dhjetëra vrasjeve me motive politike. Madje as nuk ofroi asnjëlloj garance për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Prandaj, nuk i fajësoj ata që pavarësisht se në dritë të diellit, në orën 15:50, të 11 janarit 1999, panë gjithçka: një jetë teksa mirrej pa të drejtë, një bashkëshort e prind teksa vritej me sy kah fëmijët e tij që e shihnin Babin nga dritarja, dhe një burrë i cili ishte adresa e vetme për të kuptuar se çka po ndodhte në vendin tonë.

Ata i panë vrasësit! Unë i pashë fqinjtë e mi duke i shikuar vrasësit teksa shkrepnin plumba mbi trupin e Babit tim. Heshtja e tyre mund të thyhet vetëm nëse shteti ynë u garanton atyre jetë edhe pas dëshmisë. Jetë në të gjitha kuptimet e saj. Jam e bindur se ata që kanë qëlluar rastësisht dëshmitarë okularë të atentateve politike nuk duan të heshtin, sikurse që nuk duan të ndryshojnë mënyrën se si jetojnë. Se kanë qëlluar në vendin dhe momentin kur është vrarë dikush, nuk do të thotë në asnjë mënyrë që ata duhet të “dënohen” me një tjetërsim identiteti a ndërrim vendbanimi.

Ish shefi i Task Forcës së Këshillit të Evropës, Clint Williamson, kur publikoi gjetjet e një hetimi gati tre vjeçar të ekipit të tij që vinte prej 18 shtetesh të BE-së si dhe SHBA-së e Kanadasë, tregoi se ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë për krime për të paktën 10 persona, të cilët do të ndiqen ndër të tjera edhe për vrasje politike.

Misioni i OKB-së më herët, ky i BE-së aktualisht, si dhe komplet sistemi gjyqësor i Kosovës janë akuzuar në vazhdimësi për dështim në mbrojtjen e dëshmitarëve kyç në proceset e krimeve të rënda. Dhe jo vetëm kaq! Sistemi ynë i drejtësisë vazhdimisht është kritikuar për shkak se shumica e prokurorëve e gjyqtarëve janë të ndikuar nga politika.

Andaj, themelimi i Gjykatës Speciale duhet të bëhet sa më shpejt. Gjykata Speciale do të ekzistojë dhe do të veprojë sepse sistemi ynë i drejtësisë brenda territorit tonë ka dështuar. Kjo tregon se ne nuk jemi të gatshëm të përballemi me të vërtetat tona. Prandaj, kjo Gjykatë është një rreze shprese për të gjitha ato familje që nuk u prehën asnjëherë për shkak të mos vënies së drejtësisë në vend.

Këtë herë autoritetet hetuese të BE-së kanë dhënë garanca se do të bëjnë çdo përpjekje për të penguar mekanizmin e frikësimit të dëshmitarëve që të ndikojë në procese.

Frikësimi apo eliminimi i dëshmitarëve, sipas shumë raporteve të organizatave për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe raportet për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kanë karakterizuar shumicën e proceseve gjyqësore për krime lufte apo krime të tjera në Kosovë. Për të mos u përsëritur ky rrëfim, radha i mbetet vendosjes së një sistemi të njëmendtë të mbrojtjes së dëshmitarëve, të cilët janë të vetmit që mund ta shenjojnë fillimin e fundit të pritjes për drejtësi.
Doruntinë E. Maloku

Menu Title