[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Dorëheqja e dyshimtë e kreut të AKI-së



Botapress, 28 janar – Agjencia Kosovare e Inteligjencës, që nga e premtja, ka mbetur pa drejtor. “Përkushtimi ndaj familjes” është thënë arsyeja e dorëheqjes së drejtorit të deritanishëm, Agron Selimaj, paraqitur me shkrim Presidentit dhe Kryeministrisë së vendit, shkruan sot Koha Ditore.

Zyrtarisht Selimaj ka thënë se tërhiqet për arsye private. Në letrën, të cilën ia ka dërguar presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Isa Mustafa, dhe e cila është publikuar të premten në ueb-faqen e AKI-së, Selimaj ka kërkuar që të lirohet nga detyra nga pozita udhëheqëse e AKI-së, sepse, siç ka thënë, “pas një kohe të gjatë (më shumë se shtatë vjet), po besoj se tani është koha që unë dhe familja ime të fillojmë një kapitull të ri në jetën tonë”.

Selimaj në letër ka thënë se këto vite pune në këtë institucion kanë qenë ndër vitet më të suksesshme të karrierës së tij.

Por dorëheqja vjen në kohën kur emri i drejtorit Selimaj, bashkë me drejtorin e Inspektoratit të kësaj agjencie, Shkëlzen Sopjani, është përfshirë në disa akuza për keqpërdorime në AKI, ku tërthorazi është i implikuar edhe kryeministri Isa Mustafa.
Një tender prej mbi 12 mijë eurosh dyshohet se në vitin 2015 i është ndarë jashtëligjshëm – duke shpërfillur Ligjin e prokurimit – kompanisë “Makcar” të Besnik dhe Arben Mustafës, djemve të kryeministrit Isa Mustafa, për servisimin e një veture “BMW X5”.

Shkeljet janë renditur brenda një letre, që është dërguar në shtator të vitit të kaluar në adresën e kryeministrit Mustafa, nga tre punonjës të Departamentit të Auditimit të AKI-së. Gjetjet e evidentuara nga auditimi, sipas kësaj letre, nuk ishin përfshirë në raportet financiare kur ishin dorëzuar në Qeveri.

Menu Title