.
×

Dodiku thotë se s’mërzitet fare pse Thaçi s’merr pjesë në samitin e Sarajevës



Anëtari serb i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë për “ATV” se Kosova është ftuar në formatin siç është paraparë për këto takime. Ai ka thënë se nuk i interesojnë fare “ndjenjat” e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. “Pakënaqësia e tij dhe ndjenja e tij për këtë çështje mua aspak nuk më intereson. Në formatin e paraparë për takimet e mëparshme të këtij lloji, Kosova ishte parashikuar me një lloj fusnotë.

Pse atij s’i pëlqen, askush s’do të qajë, dhe s’do të ndiejmë ndonjë humbje pse ai nuk vjen. U ftua në formatin siç është i paraparë për këto takime, unë pajtohem me qëndrimin e tij që ai të mos vijë”, tha Dodiku, transmeton Koha.net. Thaçi tha dje se nuk do të marrë pjesë në samitin e Sarajevës për shkak të “ftesës denigruese” ndaj Kosovës, duke nënkuptuar se është ftuar si përfaqësues i “Kosovo*”, e jo i Republikës së Kosovës. Por, pas anulimit të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit, pjesëmarrjen e ka anuluar edhe Shqipëria në shenjë solidariteti me Kosovën.