.
×

Dje, në Rrëshen të Mirditës me çmimin “Stema e artë” u nderua dëshmori mirditor Kolë N. Mirdita



 

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Dëshmorët asnjëherë nuk kanë nevojë për përvjetoret e tyre të rënies, njëkohësisht as për asnjë akademi përkujtimore, pse e themi ketë, e themi sepse ata e kanë kryer detyrën më madhore Profetike ndaj Atdheut dhe ndaj nesh si popull. Por nevojë për përvjetorët dhe akademitë kushtuar atyre u kemi ne e brezat në vijim, përkujtim yni i denjë për çmimin e Lirisë së Atdheut, sepse, sa herë t’i kujtojmë vet deshmorët e forcojmë tutje edhe me tepër besimin në vetën tonë për një Shqipëri të Kastriotit.

Andaj dje, me 7 korrik 2018, në Rrëshen të Mirditës, ishte vertet një ditë e mrekullueshme, një ditë lavdie, nderimi, perjetimi dhe respekti për deshmorin Mirditor, Kolë N. Mirdita, nga Ranoci i Lugut të Drinit – Klinës, i cili në moshën 22 vjeçare apo njëzet vite më parë në Rrasë të Zogut, nën ombrellën e UÇK-së është vrarë në kufirin shqiptaro-shqiptar për idealin kombëtar, liri dhe pavarësi dhe se gjaku i tij s’bashku me deshmorët e tjerë po shkelqejn si diamant në altarin e lirisë. Perkujtimi i tij është bërë nga ana e Bashkisë së Mirditës më në krye me kryetarin e saj z. Ndrec Dedaj, e në bashkëpatronazh me Komunën e Klinës, përkatësisht kryetarin, prof. dr. Zenun Elezaj, me të cilin perveq pjesmarrjës së nikoqirëve të zonës së Mirditës për në këtë ngjarje të rëndësishme madheshtore, shtegëtuan edhe shumë qytetar nga Lugut i Drinit-Klinës për të marr pjesë në ceremonin e ndarjës çmimit: “STEMA E ARTË”, çmim të të cilit permes një veprimtarie madhështore kulturore, iu nda deshmorit Kolë N. Mirdita, në emër të Bashkisë së Mirditës ekryetari i saj z. Ndrecë Dodaj. Akademia perkujtimore, ceremonia e nderimit dhe ndarja e çmimit është zhvilluar nën pjesmarrjën e mijëra pjesmarrësve mirditor e udhëheqësve politik të të Shqipërisë e Kosovës – ish-presidenti i Kosovës, prof. Fatmir Sejdiu, eprori ushtarak amerikan z. Zedler, ministrja – deputetja nga Shqipëria zonja Nikolli, deputeti z. Anton Quni, kryetari i komunës së Klinës prof. dr. Zenun Elezaj, gjenerali Sander Lleshi,  boksieriKosovar Luan Krasniqi etj. Veprimtaria nisi permes një protokolli të lartë zyrtar, me këngën e Iliri Shaqirit dedikuar deshmori Kolë N. Mirditës, njëkohësisht permes një moderimi të shkelqyer nga ana e moderatorit prof. Gjergj Marku,e cila vazhdoime kumtesa, evokime, kujtime, fjalime të shumta për deshmorin dhe veprimtari të tjera kulturore e artistike.

Aktivitetin në fjalë me fjalë përshenedetëse për të gjithë të pranishmit e hapi kryetari i Bashkisë së Mirditës z. Ndrecë Dodaj,i cili në shënjë lavdie e perkujtimi ia dhuroi ‘’STEMEN E ARTË” babait të deshmorit Ndrecës, dhe e bëri një përmbledhje të shkurtër për vlerat e deshmorit duke vlerësuar figurën e deshmorit z. Dedaj  kjo ditë korriku do te mebetet e shenuar për zonën e mirditës, pasi po ngjallim njërin mirditor prej heronjëve të luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës, deshmorin Kolë N. Mirdita, po kujtojm dhe lartësojm kontributin e tij sublim i cili e dha jetën për kombin tonë në pergjithësi. Andaj në vazhdim kryetari Dedaj tha se jam këtu ne cilësin e drejtuesit të bashkisë e që mu dha rasti ta bëjë një drejtim të tillë në zemër të mirditës.   Ne nuk do të thonin se kishim jetë të humbur nga luftërat e llojllojeshme sepse njeri prej deshmorëve apo nga ata deshmorëishte Kola i cili që në moshën e rinisë luftoi dhe e dha jetën për lirin e Kosovës duke u ngjitur si përmendore në qiellin e lirisë dhe duke e jetësuar ëndrrën shekullore për Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran theksoi më në fund kryetari Dodaj.

Që në fillim me kumetsën e pare e filloj, Prof. Pal Canaj, i cili tha se sot  dëshmori i Kosovës dhe i Kombit shqiptar, Kole Ndrecë Mirdita, na ka bashkuar ne të gjithëve, këtu në sheshin Abat Doçi në Rrëshen, pikërisht në Mirditën e tharmit të shqiptarisë. Këtu jemi se bashku klinas dhe mirditorë, të prire nga kryetari i Komunës se Klinës, z. Zenun  Elezaj dhe nga kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Ndrec Dedaj, për të bërë homazh në 20- vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Kolë Ndrecë Mirdita. Heronjtë që flijojnë jetën e tyre për liri, e njomin tokën e atdheut me gjakun e tyre, që t’i japin jetë lirisë së kombit dhe, Kole Ndrec Mirdita, e derdhi gjakun nga shtati i  tij i njomë, që shteti i Kosovës të ketë jetë dhe kombi shqiptar të ketë të ardhme në përbashkësi dhe kahe drejt civilizimit evropian. Ndërsa, shteti dhe kombi në përkujtimet e  këtyre figurave të kësaj natyre sikur kjo e sotmja, i përjetëson heronjtë  në piedestalin e lavdisë e të përjetësisë, ashtu siç po përjetësohet sot dëshmori Kole Ndrecë Mirdita, duke u nderuar me Stemën e Artë nga  Bashkia e Mirditës, në krye me Kryetarin Ndrec Dedaj. Kyçja e Kolës ne Ushtrinë Çlirimtare te Kosovës nuk ishte ndonjë motiv i rastësishëm, por një vazhdimësi e traditës së breznive të tij si nga vija e trungut Mirdita e po ashtu nga vija e dajallarëve Jakaj. Sepse, gjyshërit e tij shquheshin për vlerat e tyre patriotike e luftarake në mbrojtje të trojeve tona etnike, për çka   kishin dhëne edhe jetën në shërbim te këtyre vlerave.  Kola në kushtet e atëhershme në Kosove e kishte begatinë ekonomike të jetës familjare, por Kolës i mungonte liria e popullit të tij, prandaj mori armën dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me të vetmin qëllim për ta zhbërë robërinë e Kosovës nga okupatori serb. Kola, kur doli nga shtëpie e tij për  tu nisur në rrugën e idealit të tij në shërbim të lirisë së Kosovës nga okupatori serb, mori inkurajimin e babës Ndecë dhe bekimin e nënës Grishë,  prej të cilës mori përqafimin dhe uratën rruzare.  Këto rruzare dhurate nga e ëma, Kolën e shoqëruan  gjate gjithë kohës e deri në rënie dhe në identifikim  e trupit të tij, pas çlirimit të Kosovës, të cilat bartnin në cilësinë e tyre kuptimësinë e simbolikës, që nga lashtësia, përbetimin  epik të anasve: “Pasha tokë e qiell”, kur besatoheshin në mbrojtje të atdheut, dhe porosinë e Formulës së Pagëzimit, të lënë si testament nga Pal Engjëlli, bashkëluftuar i Skënderbeut.   Për lirinë e vendit dëshmori Kolë Ndrecë Mirdita si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përballi tytat me forcat serbe në rajonet e ndryshëm të Dukagjinit e gjetiu në Kosovë. Si nevojë e luftës për furnizimin me armatim u nise për në Shqipëri së bashku me grupin e shokëve tjerë, ku me bashkëvendësit e tij,  Pal Mirdita e Nikë Frokun,   fuqizoheshin mes veti  me virtytin e guximit  përgjatë rrugëtimit  për në Shqipëri, dhe kthimit nga andej. Ata dhe grupi i tyre ishin të ngarkuar përplot me armë , me ato vegla nga më të egrat, të cilat janë të bekuar kur përdoren në shërbim të lirisë së atdheut, sepse vetëm armët e lirisë i heshtin armët e pushtuesit. Përgjatë kapërcimit të kufirit që i ndante shqiptarët dhe  hyrjes në Kosovë, te Rrasa e Zogut, në natën e 9 korrikut të vitit 1998, u zhvillua një luftë e ashpër në mes të forcave serbe dhe grupit të luftëtarëve te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë errësirë nate forcat serbe kishin zënë priten duke zbrazur breshër të  predhave prej armatimeve të gjithëllojshëm të shoqëruara me projektilë të ndriçimit verbues, ku qëllohet për vdekje Kola, sikur dëshira e fundit e tij për bashkëvendësin dhe bashkëluftëtarin e tij Nikë Frrokun, do te ishte porosia profetike e bartur nga  At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregu”, gjë që Nika pas dy vitesh  u gjend në vendin  e rënies dhe tek korpi i dëshmorit Kole Ndrecë Mirditës. Dijetari  Shën Augustini pati thënë: ”Në luftën midis të mirës dhe të keqes, triumfi i takon të mirës.” Dhe, dëshmori Kolë Ndrecë Mirdita, me gjakun e tij ndihmoi në triumfin  e së mirës, në realizimin e lirisë dhe shtetësisë se Kosovës, ndërsa Mirdita, si gjithherë, edhe sot po i jep krahun të mirës dhe vlerave të përbashkëta kombëtare than ë permbyllje  të fjalës së tij prof. Pal Canaj.

Me kumtesën e tij të radhës ishte Prof. Mikel Gojani, cili foli gjerë e gjatë për biografin dhe misionin e shënjt të Kolës duke thënë se jemi mbledhur në këtë atmosferë homazhi, por edhe krenarie që sonte po mbretëron në  këtë  shesh të këtij qyteti të bukur dhe historik të Rrëshenit, nuk mund t’i fsheh emocionet e ligjshme, kur në kujtesë po e rilindim birin e origjinës së kësaj palce të vendit tonë të dashur, dëshmorin e kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, i cili, pikërisht  para 20 vjetëve, në  kufirin shqiptaro-shqiptar, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut ra heroikisht për lirinë e Kosovës.  Vetë motoja e këtij evenimenti homazhi përkujtimor, MIRDITA NDERON DËSHMORIN E KOMBIT KOLË NDRECË MIRDITËN, ngërthen një dimension tepër kuptimplotë, që kreshpëron çdo njërin prej nesh, që njeh të kaluarën dhe të tashmen historike të këtij populli të një gjaku, një gjuhe, një flamuri dhe të një fati. Këto lidhje dhe këtë gjakim i ka drejtuar gjaku i përbashkët  dhe kushtrimi i të parëve. Kanë qenë rrënjët e tyre të përbashkëta dhe që në të dy anët e kufirit ushqenin të njëjtën degë të  një trungu të nyjëzuar qysh nga thellësitë e shekujve deri me sot. Mirdita dhe mirditorët me këtë respekt që i bëjnë dëshmorit të kombit, Kolë Ndrecë  Mirdita, dëshmojnë  se ky truall, ky dhe i gjakosur me shekuj, i respekton dhe përkulet  me pietet para  gjakut të  cilit do biri shqiptar, që kanë bërë veprën më sublime, jetën e kanë flijuar për dheun e tyre. Prandaj, për Mirditën dhe mirditorët, për Bashkinë e Mirditës, në krye me kryetarin e saj shumë denjitoz dhe të suksesshëm, zotëri Ndrec Dedaj, kemi  mirënjohjen më të thellë dhe  falënderimin të pakufi. Andaj tutje në vazhdim prof. Mikel Gojani vazhdoi me biografin e deshmorit Kolë Ndrecë Mirdita i cili u lind më 18 shtator të vitit 1976, nga babai Ndreca, bir i një patrioti të shquar, Kolë Mirdita, dhe nga nëna Grishë Mirdita, po ashtu  bijë e një nacionalisti të viteve të dyzeta, Pjetër Jaku,  i cili u vra më 1945  nga dora gjakatare serbe. Nënë Grisha nuk pati fatin që ta përjetojë këtë ngjarje madhështore për birin e saj, sepse pati fatin që pikërisht kohë më parë të shuhet nga jeta, për të ikur me zemër të thyer. Kolë shkollën fillore e kreu në Zllakuqan, ndërsa  shkollimin e mesëm e vijoi në gjimnazin “Luigj Gurakuqi në Klinë”. Meqë pushtuesi i atëhershëm serb mbylli dyert e shkollave shqipe në Kosovë, edhe  të gjimnazit të Klinës, ai mësimet bashkë me nxënës të tjerë  vijoi në shtëpinë-shkollë në fshatin Zllakuqan, që ishte shtëpi private e  arsimdashësit Pashk Përnoka, shtëpi – shkollë, e cila për disa vjet gjatë atij okupimi kreu funksionin e shkollës së mesme. Ishin këto kohë të vështira për arsimin shqiptar. Pushtuesi serb elaboronte projektet e tyre për shkatërrimin e arsimit dhe të edukimit shqip. Këto elaborate  aplikoheshin në format më drastike, në fillim me helmimin e nxënësve. Kjo formë që mori përmasa në gjithë Kosovën,  elaboratet e para pikërisht janë bërë në Klinë. Më pastaj, vazhduan format e tjera të shtypjes dhe represionit, si kërcënimet, përndjekjet, rrahjet, burgosjet, vrasjet etj.Ditët e para të marsit 1998. Pushtimi i vendit  rëndonte si plumb në zemrat e çdonjërit. Por, tani fatet e çlirimit të vendit e te popullit ishin vendosur. Ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila tashme radhët e veta i kishte konsoliduar dhe përforcuar me shumë luftëtarë trima të paepur, të cilët për çlirimin e atdheut  kishin obliguar jetën e tyre. Kështu, UÇK-ja bënte një punë të madhe për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur kundër pushtuesit serb. Luftëtarët e UÇK-së ishin kudo në mbrojtje të popullit e të atdheut.Këtyre radhëve u ishin bashkangjitur edhe shumë trima të vendosur të Lugut të Drinit. Djemve lugdrinas u prinin dy trima te paepur dhe idealistë – heronjve të gjallë të luftës së UÇK-së, Pal Mirdita dhe Nikë  Frroku, të cilët  nuk e lëshuan pushkën nga dora deri me fitoren e lirisë së Kosovës. Këtyre trimave qysh në orët e para të thirrjes së atdheut, iu bashkëngjit edhe dëshmori i kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, derisa u vra ,më 9 korrik 1998, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, duke bartur armatim nga Shqipëria për t’iu dërguar shokëve të tij të në Kosovë. Trupi i dëshmorit Kolë Mirdita për dy vjet qëndroi roje nderi në këtë kufi për ta shkrirë dëborën e akullin që ndanin një popull të një gjaku, gjuhe dhe flamuri…

Pas dy vjetëve luftëtari i lirisë dhe bashkëluftëtari i Kolës, Nikë Frroku, përmes uratave që nëna Grishë i kishte vendosur në qafë Kolës, ka identifikuar trupin e Kolës dhe duke kaluar përmes  qindra minave të mbetur pas luftës në atë terren  malor dhe shkëmbor, arrin që trupin e Kolës ta sjellë në vendlindje dhe më 27 shtator të atij viti trupi i truimit  u varros  në varrezat e vendlindjes, në Ranoc të Lugut të Drinit me nderimet më të larta kombëtare, për t’u përjetësuar sot e asaj dite në altarin e shenjtë të Heroit të Lirisë Kombëtare.  Për veprën e tij  sublime, flijimin për atdheun e tij, Kolë Mirdita nga institucionet  shtetërore është laureuar me mirënjohje dhe medalje të shumta. Nga të gjitha vlen  ta potencojmë kësaj radhe Medaljen e dhënë  me motivacionin: “Luftëtari i Lirisë – Adem Jashari”. Motivacioni: “Për trimërinë e treguar në Luftën Çlirimtare për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Prof.  Dr. Fatmir Sejdiu ,  Prishtinë, më 11.7.2008, të cilin e kemi fatin që sot ta kemi këtu prezent. Dhe Kolë Mirdita ra për lirinë e Kosovës.Ra për t’mos vdekur kurrë.Dëshmori i kombit Kolë Mirdita, sikur të gjithë dëshmorët e tjerë që ranë për lirinë e Kosovës do të përjetësohen. Brezat që pasojnë ata do t’i rilindin. Sot në epitafin e varrit të këtij dëshmori shkruan: ATY KU MBOLLE /DASHURINË,/ ATY KU I DHE  DRITË JETËS;/ JEMI GJAKU DHE SHIKIMI YT PËRHERË…

Andaj sot, pas 20 vjetëve, Kolën po e  rilindim në kujtesë në vendin e origjinës  së të të parëve të tij, në MIRDITËN e bukur dhe shumë të dashur, Tokën tonë të nderueme Arbërore tha në fund të fjalës së tij prof. Mikel Gojani.

Me një fjalë tjetër të veçantë u paraqit edhe kryetari i komunës së Klinës prof. dr. Zenun Elezaj, I cili në fjalën e tij qysh në fillim theksoi se ndjehem sot këtu i lumtur dhe krenar, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Klinës dhe të bashkëpatronazhit me Bashkinë e Mirditës, përkatësisht të kryetarit të kësaj Bashkie, zotit Ndrec Dedaj. “Kam udhëtuar nga Klina deri këtu në Rrëshen, qendrën administrative të Mirditës  historike dhe legjendare, me shumë bashkëqytetarë të mi për ta kujtuar dëshmorin e lirisë, Kolë Ndrecë Mirdita, tek rrënjët e origjinës së të parëve të tij, duke iu përkujtuar brezave që ky vend gjatë historisë, edhe dje, edhe sot, ka lind  burra të paepur për të mirën e kombit dhe popullit të tij. Kam ardhur sot  këtu me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit për personalitetin e  shquar të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Kolë Ndrecë Mirditën, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që ka dhanë familja Mirdita, për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve”, është shprehur kryetari Elezaj, i cili në vijim theksoi se dua të theksoj nga ky tubim nderimi në këtë ditë të përkujtimit dhe të ndarjes së mirënjohjes me moton “Mirdita nderon dëshmorin e kombit Kolë Mirdita”, se qëllimi i lartë i Kolës ishte t’i shihte  njerëzit të bashkuar dhe të dinjitetshëm,  sepse kjo ishte rruga e vetme që do të mund të sillte lirinë e vendit tone. “Puna për lirinë e Atdheut ishte moto që u shndërrua në parim të veprimit politik dhe kombëtar dhe që e frymëzoi  këtë dëshmor lirie dhe gjithë dëshmorët e tjerë  deri në çastin e fundit të jetës së tyre.Ne duhet të jemi krenar se bota ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e popullit tonë për të mos jetuar i i robëruar  dhe i nëpërkëmbur.  Por, tani është koha për t’i  dhënë obligim të çdoditshëm vetes, e sidomos institucionet tona;  të punohet shumë që vendi ynë të jetë i zhvilluar dhe i përparuar dhe qytetarët të kenë mundësinë të bëjnë një jetë të mirë dhe denjitetshme dhe të gjejnë vend nën kulmin  e familjes të Europës dhe vendeve tjera të qytetëruara të botës. Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Shqipëri e Kosovë, në Çamëri e Iliridë dhe gjithë gjeografinë tonë etnike, duhet të kultivojmë mirëkuptimin, tolerancën dhe respektin për gjithsecilin, thesare trashëgimie këto në traditën e popullit tonë, dhe që tashti janë edhe vlerat më të çmueshëm të qytetërimit bashkëkohor.  Në këtë kontekst, është koha të ketë respekt dhe vlerësim me pietet, dinjitet dhe pa dallime për të kaluarën, për të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët, për të gjithë atdhetarët dhe të përkushtuarit e përjetshëm që punuan, me dije dhe djersë, që Kosova dhe shqiptarët të jenë të lirë, krenar për të kaluarën dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Është koha të marrin fund ndarjet dhe pjesëtimet që nuk kanë ekzistuar asnjëherë në qenien e njerëzve që sakrifikuan në beteja, burgje dhe izolime, sepse liria për të cilën ata dhanë gjakun dhe jetën e tyre, nuk mund të ndahen asnjëherë. Të gjithë dëshmorët dhe njerëzit që punuan me devotshmëri për liri, i përkisnin të kaluarës së përbashkët, i përkasin të tashmes së përbashkët dhe do t’i përkasin të gjithë si një, të ardhmes së përbashkët. Kjo mirënjohje e ndarë nga Bashkia e Mirditës, është vlerësim institucional për rolin dhe kontributin e këtij dëshmori të kombit në një periudhë të kthesave të mëdha historike të vendit tonë, atëherë kur zëri i Atdheut grishte për t’i dalë në ndihmë. Edhe Kolë Mirdita, edhe gjithë dëshmorët tjerë që jetën e tyre e dhanë për lirinë e Kosovës,  treguan me veprën e tyre se si duhet të mbrohet e drejta e popullit për të jetuar i lirë dhe për të qeverisur veten”, ka permbyllur fjalimin e tij kryetari Elezaj.

Ndërsa nga familja e deshmorit, me një fjalë rasti u paraqit ish/ambasadori, prof. dr. Vilson Mirdita, vëlla i deshmorit i cili që në fillim i pershendeti të gjithë pranishmit e nismëtarët kryesor gjeneral Sander Lleshi, prof. Mikel Gojanin e prof. Gjergj Markun, njëkohësisht nikoqirin z. Dedaj, e homologun e tij nga Klina z. Elezaj , si dhe perkushtimin e tyre të përbashkët të cilët mundësuan që Kola të perkujtohet me këtë akademi të madhe perkujtimore këtu në Mirditë. Njëkohësisht prof. Vilson Mirdita, e falenderoj edhe Shoqatën ‘ Mirdita” me në krye me kryetarin e saj z. Gjon Lleshaj…

Menjiherë me një tjetër fjalë rasti në podiumin e këtij evenimenti madhështor u paraqit edhe ish/presidenti, prof. dr. Fatmir Sejdiu icili me plotë emocione pershkrou aktivitetin e Kolës dhe familjës së tij pikërisht potencoi duke thënë se Kolën edhe pse nuk e kemi në mesin tone ai mbetet një fanar ndriques për ne të gjallët dhe gjeneratat që vijnë. Me sakrificën e tij dhe perkushtimin e tij prej një familje  të ndershme për të pasë Kosovëne lirë, andaj edhe si presdinet kam marr vendimin që Kolë Mirditën ta dekoroj me  medaljen e lirisë dhe të luftetarit të të lirisë “ ADEM JASHARI” andaj unë edhe nuk e kam pasë aq të veshtirë të e njoh ketë familje emblematike atdhetare e patriotike e njoha edhe më përafër nga Ismeti ( Rraci,  shënimi im ), Prenka ( Gjetaj, shënimi im), Antoni ( Kolaj, shënimi im), Hamiti ( Krasniqi shënimi im ) etj.

Gjatë këtij evenimenti kishte edhe evokime të ndryshme nga Nikë Frroku, bashkluftetar i Kolës dhe më në fund me fjalime të tjera u paraqitën edheushtaraku amerikan z. Zedler dhe gjenerali Sander Lleshi.Kishte edhe shumë telegrame pershëndetëse pikërisht u veçua telegramii  Shoqatës së Intelektualëve “Trojet e Arbrit” e cila drejtohet nga kryetari i saj Mr. sci. Nue Oroshi.

Fare në fund ishte edhe skena artistike nga Ansambli Artistik” Mirdita” me këngë e valle shqiptare nga të ftuarit:Ilir Shaqiri, Arif Vladi,Nikollë Nikprelaj,Arlinda Gjoni e Gofile Paplekaj e cila u paraqit me këngën e saj me të re për deshmorin Kolë Mirdita etj.Ky aktivitet madheshtor për të gjithë të pranishmit ne sheshin e Prelatit dhe Rilindasit të madh “Imzot Abat Doçi” në Rrëshen u shoqerua me një koktej në fund të tij.