.
×

Djali i Hamëz Jasharit: Babë ti më mësove se sa e vlefshme është liria



Kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, ka vendosur lule mbi varrin e babait të tij, Hamëz Jashari, në 69-vjetorin e lindjes së tij.

Jashari i ka bërë edhe një dedikim përmes rrjetit social Facebook, ku shkruan se i ati e ka mësuar se si duhet të sakrifikohet për lirinë.

Mesazhi i plotë i Bekim Jasharit:

Për ditëlindjen tënde, Babë

Për ty që mi mësove vlerat e larta njerëzore, për ty që më bërë të kuptoj dashurinë për jetën.

Ti dhe vëllai yt, që më vonë do të njihet si Komandat Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkërisht ideologë të saj, u bëtë mësim për gjeneratën Tuaj dhe të tjerat që do t’iu pasojnë, për atdhedashurinë.

Ti më mësove mua dhe të tjerët se sa e vlefshme është liria, si mund të sakrifikohet për liri, sa shumë duhet të angazhohemi për të ndërtuar vendin, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Për çdo ditë, mua më shumë më lartësohet personaliteti yt, i papërshkrueshëm për mirësinë dhe thellësinë e mësimeve me shembuj personal.

Do të jem përgjithmonë mirënjohës ndaj Teje, që ma mundësove të vazhdoj gjurmëve tua në rrethana të reja, të ekzistoj dhe të shkruaj për Ty, në atdheun tonë të dashur!

Urime Babë ditëlindja e 69-të!